Ndërlidhjet

logo-print

PETERSEN: FORUMI NUK ËSHTË ZËVENDËSIM I INSTITUCIONEVE DEMOKRATIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të partive politike kanë shprehur sot pikëpamje të ndryshme lidhur me propozimin e shefit të UNMIK-ut Soren Jessen Petersen për formimin e një forumi joformal, në të cilin krerët e partive politike të Kosovës do të diskutonin për çështje me interes kombëtar për Kosovën, siç është shprehur Petersen.
Shefi i zyrës amerikane në Kosovë Philip Goldberg, ka thënë sot se ecja drejt statusit kërkon më shumë pajtueshmëri dhe qëndrime të përbashkëta:
"Ajo që ndonjëherë i mungon debatit të përditshëm politik është një pikëpamje e përgjithshme e rrugës përpara, e një vizioni të gjerë, që përfshin lëvizjen drejt diskutimeve për statusin përfundimtar," tha zoti Goldberg.
Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, i cili sot ka takuar liderin e PDK-së, Hashim Thaçi dhe shefin e partisë Ora, Veton Surroin, tha se asnjëherë nuk kishte synuar që forumin ta bënte një shtesë të institucioneve demokratike:
"Ky është një forum i Kosovës, në të cilin unë përpiqem të ndihmoj që të bashkohen krerët e partive politike të Kosovës, për të pasur një dialog konstruktiv dhe që të kërkojmë konsensus për atë që e kam quajtur konsensus kombëtar," tha shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen.
Mirëpo, kryetari i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi, tha se forumi duhet të jetë vendimmarrës, qoftë edhe nëse ka nevojë që të ndryshohet Korniza Kushtetuese:
"Forumi duhet të jetë forum politik vendimmarrës që duhet të përbëhet nga LDK, PDK, Ora dhe AAK. Ky forum duhet të ketë një rregullore të punës dhe natyrisht duhet të ndryshohet edhe Korniza Kushtetuese nëse ka nevojë, që të jetë forumi më efektiv".
Duke e qartësuar qëndrimin e tij, zoti Thaçi tha se një qëndrim i tillë, nuk do të thotë refuzim për forumin, pasi sipas tij PDK do të jetë e pranishme kudo që do të ketë konsensus. Sipas zotit Thaçi forumi duhet të merret me çështjet e standardeve dhe statusit, të ketë platformën e qartë për shtet të pavarur dhe sovran dhe këto vendime që do të merreshin në këtë forum, do të duhej të kalonin nëpër parlamentin e Kosovës. Lidhur me këtë Petersen tha:
"Unë kurrë nuk kam synuar dhe as që kam për qëllim që forumi të jetë institucion shtesë demokratik," tha Petersen, duke bërë të ditur se tani nuk ka shumë kohë për të biseduar dhe se pasi kishte marrë përgjigjet nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mbetej në pritje të përgjigjeve të qarta nga dy partitë opozitare PDK dhe Ora. Në anën tjetër, shefi i zyrës amerikane Philip Goldberg, i cili ka takuar po ashtu sot liderët opozitarë, tha se është e qartë se në Kosovë egziston një trup vendimmarrës për çështjet që kanë të bëjnë me standardet dhe me politikën ditore, që është parlamenti i Kosovës, i cili duhet të jetë më i hapur dhe t’u krijojë mundësi partive opozitare, që të shprehin pikëpamjet e tyre, por:
"Ajo që diskutuam janë çështjet e lidhura me statusin përfundimtar që shkojnë përtej këtij debati dhe për çka, të gjithë duhet të kenë një rol dhe të gjithë pajtohen për këtë," tha Goldberg, për ta theksuar me këtë rast rëndësinë e të qenit të përgatitur për diskutimet për statusin e Kosovës. Kjo nuk është çështje domosdoshmërisht e parlamentit, por e përpjekjes së njerëzve për të qenë së bashku dhe për të prezantuar një qëndrim sa më unik.

XS
SM
MD
LG