Ndërlidhjet

logo-print

TBILISI


Presidenti amerikan George Bush, ka përfunduar vizitën në Gjeorgji, që ka qenë ndalesa e fundit e turneut të tij evropian.
Bush i është drejtuar qindra mijëra qytetarëve të mbledhur në "Sheshin e Lirisë" në Tbilisi, kryeqyteti i Gjeorgjisë, duke kujtuar ndryshimet e bëra në vend pas revolucionit të purpurtë në vitin 2003.
"Ju keni ndërmarrë hapa të vështirë për të reformuar ekonominë dhe për të luftuar korrupsionin. Po ndërtoni një shoqëri demokratike ku respektohen të drejtat e pakicave, ku shtypi i lirë po lulëzon, ku opozita është e mirëpritur dhe ku bashkimi i vendit është arritur me paqe. Në këtë Gjeorgji të re sundimi i ligjit do të triumfojë dhe liria do jetë e drejtë e çdo qytetari", tha Bush, fjalimi i të cilit është shoqëruar me brohoritje të pandërprera.
Presidenti amerikan përsëriti mbështetjen e vendit të tij për Tbilisin.
"Shtegu i lirisë që keni zgjedhur nuk është i lehtë, por ju nuk do të jeni vetëm. Amerikanët respektojnë zgjedhjen tuaj kurajoze për liri dhe derisa ndërtoni një Gjeorgji të lirë e demokratike, populli amerikan do jetë me ju", tha Bush, që përsëriti qëndrimin e Uashingtonit për ruajtjen e tërësisë territoriale të Gjeorgjisë. Për këtë sipas Bush është themelore integrimi në NATO e Evropë si dhe zgjidhja paqësore e konflikteve territoriale në Osetinë jugore dhe Abkazi. Të dyja këto republika kanë lidhje të ngushta me Rusinë.
Zoti Bush deklaroi se ka marrë garanci nga Moska për tërheqjen dy bazave ushtarake ruse nga Gjeorgjia.
Gjatë këtij turneu evropian Bush ka marrë pjesë në ceremonitë e zhvilluara në disa vende në 60-vjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore.
XS
SM
MD
LG