Ndërlidhjet

FERRERO: KOSOVA DHE SERBIA NUK MUND TË MBETEN NË NJË BASHKËSI


Jorge Nunez FERRERO, ekspert në Qendren për Politikë Evropiane/Bruksel/


RADIO EVROPA E LIRË
A është Ballkani në këtë çast në mesin e prioriteteve të Unionit Evropian?

JORGE NUNEZ FERRERO
Po, ky është një nga prioritetet, ndonëse Bashkimi Evropian aktualisht ka problemet e veta dhe ato kanë të bëjnë me Kushtetutën dhe referendumet për këtë çështje në vendet anëtare. Por, Balkani në Bruksel nuk është harruar.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se koncepti i deritashëm i zgjërimit të Unionit Evropian është përkatës edhe për Balkanin. Disa ekspertë konsiderojnë se koncepti tradicional duhet ndryshuar?

JORGE NUNEZ FERRERO
Çdo zgjërim është i ndryshëm nga ai i mëparshmi. Por një është esenciale: vendi përkatës duhet të miratoj normat dhe ligjet evropiane. Kemi të bëjmë me qindra faqe të rregullativës ligjore. Kjo është pjesa tradicionale e çështjes dhe e tillë do të mbetet, sepse pa këtë vendet evropiane nuk mund të funksionojnë si bashkësi.....

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është vizioni i juaj për bashkësinë shtetërore Serbi – Mali i Zi?

JORGE NUNEZ FERRERO
Serbia dhe Mali i Zi kanë marrë pëlqimin e studimit të fisib ilitetit si një shtet, por Brukseli u ka pranuar të drejtën për ecje paralele në rrugën drejt Unionit Evropian. Vështirë është të thuhet se cila është e ardhmja e raporteve të tyre të ndërsjella. Supozoj se do të mbeten një vend, një formë e konfederatës, por me rregulla të ndryshme dhe me një formë të pavarësisë. Në Evropë ekziston një rast i tillë. Kjo është Belgjika me pjesën Valone dhe Flamane që kanë ligje krejtësisht të ndryshme dhe vetëm pak çështje të përbashkëta. Nuk besoj se në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi do të ketë ndarje të re, ndonëse Unioni Evropian është fleksibil kur bëhet fjalë për marrëdhënjet brenda ndonjë shteti dhe në procesin e integrimit këto fakte do të kihen parasysh.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë statusi përfundimtar i Kosovës?

JORGE NUNEZ FERRERO
Pavarësisht që këtë shumkush nuk dëshiron ta dëgjoj një është e sigurt– statusi i tashëm i Kosovës është i pa qëndrueshëm. Duket se integrimi i Kosovës në Serbi është i pamundur, por edhe situata e tashme nuk mund të qëndrojë. Bashkimi Evropian duhet të përfshihet në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, krahas garantimit të të drejtave për pakicën serbe. Me gjasë do të kemi një formë të pavarësisë. Rruga deri te ky epilog do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por zgjidhje tjetër në këtë çast nuk shoh. Kjo do të kërkoj ndryshimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara, por edhe të raporteve të përgjithshme në rajon. Bisedimet do të jenë të gjata dhe të mundimshme, sepse duhet ndryshuar mentalitetin dhe gjetur rrugën për normalizimin e marrëdhënjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe kur bëni të gjitha llogaritë gjithnjë paraqitet vetëm një zgjidhje – një formë e pavarësisë. Nuk do të dëshiroja të deklarohem se çfarë do të jetë ajo pavarësi, e plotë apo e pjesshme, mbi bazën e ndonjë marrëvshje speciale e të ngjashme. Por, në planin afatgjatë Serbia dhe Kosova nuk mund të mbeten së bashku.

Intervistoi: Mirjana RAKELA
XS
SM
MD
LG