Ndërlidhjet

logo-print

VENEGONI: NË KOSOVË KA KORRUPSION DHE KRIM EKONOMIK QË UDHËHIQET NGA NJERËZ ME POZITA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Krimi ekonomik dhe korrupsioni që në Kosovë udhëhiqet nga grupe të organizuara njerëzish, është një kancer që po e pengon dhe do ta pengojë zhvillimin ekonomik të Kosovës, ka thënë sot në Prishtinë prokurori ndërkombëtar Andrea Venegoni, ekspert për ndjekjen e krimit ekonomik. Këto komente zoti Venegoni i ka bërë në një simpozium të mbajtur sot në Prishtinë, lidhur me sfidat e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të Kosovës. Që në muajt e parë të punës sime në Kosovë u ndesha me situata të ndryshme të krimit ekonomik, tha prokurori Venegoni:
"Unë menjëherë e mora vesh se prania e korrupsionit dhe krimit të organizuar është si një kancer që e pengon zhvillimin dhe rritjen e ekonomisë së Kosovës," tha Andrea Venegoni, sipas të cilit shumica e zyrtarëve që kanë pozicione në pushtet përpiqen të përfitojnë nga pozitat e tyre, duke kërkuar rryshfet, ndërsa në rastet e tjera atyre u ofrohet rryshfeti, por dështojnë ta refuzojnë atë.
Ai tha se në Kosovë ka korrupsion dhe krim ekonomik, si dhe mashtrime e keqpërdorime, që janë të lidhura me aktivitetet e kompanive të mëdha dhe me procesin e privatizimit, ndërsa keqpërdorimi i parave të buxhetit dhe ndërmarrjeve publike, është një gjë e zakonshme në Kosovë, tha Venegoni. Ai tha se një pjesë e fajit për ndjekjen efikase të krimit qëndron edhe në mungesën e infrastrukturës së nevojshme ligjore dhe shembull për këtë mori privatizimin, ku, siç u shpreh Venegoni, më se një herë ka pasur raste të tilla:
"AKM-ja shpall tender për privatizimin e një ndërmarrje dhe dy apo tre ofertues bëjnë marrëveshje për ofertat, duke shpresuar se do të jenë i pari, i dyti dhe i treti dhe pas kësaj, i pari dhe i dyti tërhiqen nga konkurrimi, për t’ia lënë blerjen e ndërmarrjes kompanisë së tretë me çmim më të lirë, që dëmton të hyrat e AKM-së," shpjegoi prokurori Venegoni, për të shtuar se një pjesë e ekonomisë së Kosovës është ekonomi e zezë dhe shpesh udhëhiqet nga grupe të organizuara njerëzish që merren me trafik droge, kontrabandë veturash dhe nafte, si dhe me trafik njerëzish. Edhe pse infrastruktura ligjore mund dhe po përmirësohet, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për ta luftuar krimin, pa një një mentalitet të zhvilluar kundër korrupsionit dhe keqpërdorimeve:
"Me gjithë rregullat e reja, pa ndryshime në mentalitetin ekonomik, Kosova nuk do të jetë kurrë vend i dëshirueshëm për investuesit e huaj dhe kjo nuk do të lejojë zhvillim të plotë të kësaj ekonomie," tha prokurori ndërkombëtar Andrea Venegoni.
Ekspertë të ekonomisë ndërkohë kanë tërhequr vërejtjen edhe për një menaxhim të keq të financave publike dhe sidomos të transparencës lidhur me to, tha ekonomisti Sabri Kadriu:
"Unë mendoj se në historinë e financave publike, Kosova do të jetë një shembull I keq dhe kuriozitet".
Eksperti juridik, Riza Smakaj tha ndërkaq se në fushën e të drejtave të rezervuara, UNMIK-u duhet të bëjë ligje që e parandalojnë dhe pamundësojnë korrupsionin, si dhe të promolgojë ligjet e qeverisë së Kosovës, ndërkohë kritikat kryesore i ka drejtuar kah qeveria vendore:
"Ka vend për kritika serioze dhe të sinqerta për qeverinë tonë të mëparshme dhe për këtë të sotmen, pasi në këtë drejtim është shumë joefikase,sepse ka shumë vakuume juridike dhe shumë mospërputhje të dispozitave juridike, për arsye se rendi juridik i Kosovës është sui generis me tri shtresa ligjore."
Zoti Riza Smakaj tha ligjet e qeverisë vendore, ato të UNMIK-ut dhe ligjet e mbetura të Serbisë, shkaktojnë shpesh mospërputhje juridike.
Agim Krasniqi, kryetar i Shoqatës së juristëve të Kosovës dhe gjyqtar i Gjykatës Supreme të Kosovës, tha se nuk mund t’i hidhet gjithë faji legjislacionit, ndërkohë që kishte vërejtje për organet e ndjekjes kundër çfarëdo krimi, e sidomos kundër krimit të organizuar.
"Unë shoh shumë hezitime nga UNMIK-ut dhe SHPK, por sidomos edhe të prokurorëve. Deri më tani nuk kemi pasur në procedura ndonjë lëndë madhore, ndërkohë që flitet sheshazi në mjetet e informimit se ekzistojnë krime të rënda kundër ekonomisë dhe në çdo fushë tjetër."
Zoti Krasniqi tha se përderisa në shumë vende të zhvilluara pikërisht mediat janë ato që ndikojnë për t’u inicuar ndjekje penale, në Kosovë ende nuk ka pasur ndonjë rast kur ndonjë prokuror ka filluar ndjekjen ex oficio në bazë të shkrimeve të gazetave. Ai u angazhua që të hetohet hollësisht edhe puna e vetë gjyqtarëve dhe krimit e korrupsionit në gjyqësi.
Sidoqoftë, ishte një konstatim i përbashkët se hetimi dhe zbulimi i krimit dhe korrupsionit është një çështje e ndërlikuar që kërkon ekspertë të policisë dhe prokurorë të aftësuar për këtë punë.

XS
SM
MD
LG