Ndërlidhjet

UNMIK-U DHE QEVERIA SHPREHIN KEQARDHJE PËR VENDIMIN E BEOGRADIT QË SERBËT E KOSOVËS TË MOS MARRIN PJESË NË INSTITUCIONE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës e ka pritur me keqardhje vendimin e djeshëm të Këshillit për Kosovën në Beograd, për mospjesëmarrjen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës në institucione. Aq më tepër në qeverinë e Kosovës shprehet pakënaqësia me faktin se serbët e Kosovës po i sakrifikojnë interesat e tyre dhe të komunitetit serb, duke mbetur peng i respektimit të interesave të politikes ditore të Beogradit. Vendimi i djeshëm në Beograd, nuk është mirëpritur as nga Misioni i Kombeve të Bashkuara. Por edhe vetë përfaqësuesit serbë, ndonëse thonë se do ta respektojnë këtë vendim, theksojnë se vetëm përmes pjesëmarrjes ata mund t’i mbrojnë më mirë të drejtat e komunitetit të tyre.
Zëdhënësi i administratës ndërkombëtare, Neeraj Sing, tha se UNMIK-u e konsideron si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në institucione dhe do të vazhdojë t’i inkurajojë edhe serbët që të kthehen në punën e këtyre institucioneve:
“Kemi një kohë shumë të shkurtër, kurse para nesh kemi edhe shumë sfida, prandaj ne do të vazhdojmë t’i ftojmë serbët që të marrin pjesë në të gjitha institucionet e Kosovës”, tha Sing.
Ndërkohë që në kabinetin e kryeministrit Bajram Kosumi, zëdhënësi i tij, Daut Dauti, tha se gjatë bisedimeve të zhvilluara ndërmjet kryeministrit Kosumi dhe përfaqësuesve serbë, ata ishin marrë vesh që të kthehen në institucione, pra edhe në qeveri:
“Ne shpresojmë që ky vendim i tyre është i ngutshëm, se do të jetë i përkohshëm dhe këta së shpejti do të vendosin që ta zhvleftësojnë këtë vendim dhe të kthehen në institucionet e Kosovës. Kjo për arsye se disa nga ta, vetë e kanë theksuar se humbja e kohës që e kanë patur deri tani, ka shkuar në dëmin e tyre”, tha Dauti.
Vendimi i Këshillit për Kosovën në Beograd do të respektohet nga ana e subjektit më të madh të serbëve, Listës Serbe për Kosovën e Metohinë. Një zyrtarë i lartë i kësaj partie, Goran Bogdanoviq, tha për Radion Evropa e Lirë, se ky vendim në fakt vjen nga kreu më i lartë politik i Serbisë, dhe se Lista Serbe do ta respektojë atë pavarësisht faktit se ky subjekt është është i vetëdijshme që vetëm përfaqësimi në institucione, do t’u mundësonte atyre t’i paraqesin pikëpamjet në lidhje me proceset aktuale politike, si dhe të mbronin më mirë interesat e pakicës serbe:
“Unë do ta respektoj këtë vendim dhe pse mendoj se kjo nuk është zgjidhje për problemet e serbëve në Kosovë, ngase vetëm përmes institucioneve dhe pjesëmarrjes në institucione mund t’i realizojmë disa interesa vitale të serbëve”, tha Bogdanoviq, duke shtuar se me pjesëmarrjen në institucione ata kanë menduar se do të mund të bënin edhe një lloj presioni te UNMIK-ut për realizimin e kërkesave të tyre. Sidoqoftë, Bogdanoviq tha se është qëndrim i përbashkët që përfaqësuesit e këtij subjekti politik të vazhdojnë të marrin pjesë në grupet punuese për decentralizimin dhe ato për dialogun me Beogradin:
“Ne do të vazhdojmë të marrim pjesë në grupet punuese, atë për kthimin e të zhvendosurve, grupin për decentralizim, si dhe personat e zhdukur dhe atë të energjetikës”, tha Bogdanoviq, duke e përjashtuar mundësinë vetëm për të marë pjesë në institucione.
Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, që drejtohet nga Oliver Ivanoviq, ka tetë vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe një ministri në qeveri, por që nuk i ka shfrytëzuar që nga konstituimi i institucioneve gjatë fundit të vitit të kaluar. Ndërkohë që një subjekt tjetër i serbëve, Partia Demokratike Serbe e Kosovës e Sllavisha Petkoviqit, ka dy vende dhe përfaqësohet në Kuvend si dhe drejton Ministrinë për Kthim e Komunitete.


XS
SM
MD
LG