Ndërlidhjet

I. HASANI: NISMA PËR FORUM- MBËSHTETJE E PROCESEVE POLITIKE NË KOSOVË


Ismail Hasani, analist politik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, diskutimet politike në Kosovë duket të jenë orientuar drejt formimit të forumit politik në të cilin do të diskutoheshin çështjet e interesit kombëtar. Si e shihni ju një iniciativë të tillë të shefit të UNMIK-ut?

ISMAIL HASANI
Unë e përshëndes nismën për formimin e asaj që nuk jam i prirë ta emëroj forumi politik, le të quhet si të dojë – është me rëndësi që edhe administrata ndërkombëtare, edhe faktori politik shqiptar janë përafërsisht në një koordinatë sa i përket nevojës për formimin e një trupi të tillë, i cili nuk është me rëndësi se çfarë do të jetë formulimi në pikëpamje formale, por gjithsesi konsideroj se është mbështetje e proceseve politike që aktualisht po zhvillohen në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë mospajtimet ndërmjet partive opozitare dhe atyre të koalicionit qeverisës sillen rreth egzistimit apo jo të prerogativave vendimmarrës të këtij forumi. Cili është mendimi juaj?

ISMAIL HASANI
Unë konsideroj që faktori politik kosovar nuk do të duhej të merrej me prerogativa, pasi në instancën e fundit faktori politik kosovar është i privuar vetvetiu nga prerogativat. Ai duhet të jetë në union sa u përket këtyre proceseve, që të përkrahet çdo nismë që avancon gjërat dhe përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara ka dhënë vija të qarta sa i përket natyrës së këtij trupi që do të formohet, që do të jetë një trup që do të ndihmojë dhe koordinojë në rrjedhën e mëtejme të këtij procesi.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i zyrës amerikane Goldberg ka thënë se në debatet politike ndonjëherë sikur mungon vizioni i gjerë për fazën e përcaktimit të statusit. Sipas jush, cili është pozicioni i klasës politike në raport me këtë fazë?

ISMAIL HASANI
Nuk ka ndonjë përgatitje të duhur të faktorit politik në Kosovë sa i përket pozicionimit. Ka deklarime shumë të qarta që mbështeten në vullnetin politik të popullit të Kosovës sa i përket statusit përfundimtar të Kosovës, por do të thosha nuk ka ndonjë përkufizim të qartë se çfarë i duhet në të vërtetë faktorit politik kosovar për momentin, që të jetë i gatshëm të pranojë një dinamikë të re që po vjen, e që është e lidhur me nismat për hapjen e bisedave për statusin përfundimtar të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, zoti Hasani, si duhet të pozicionet klasa politike e Kosovës në këtë fazë?

ISMAIL HASANI
Klasa politike në Kosovë do të duhej të pozicionohej konform asaj që është nevojë e domosdoshme në Kosovë, për t’u ingranuar në rrjedhat normale politike, për të pranuar do thosha edhe sugjerimet e faktorit ndërkombëtar që është i lidhur drejtpërdrejt me kryeadministratorin, e normalisht edhe të miqve tanë që në një mënyrë apo në një tjetër, japin sinjale shumë të qarta që ne do të duhej të jemi shumë kooperativë në këtë fazë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, kohët e fundit është vërejtur një rritje tensionesh ndërmjet partive të opozitës dhe atyre të koalicionit qeveritar. Si i shihni ju këto fërkime dhe refleksionet eventuale të tyre?

ISMAIL HASANI
Fërkimet kanë një dinamikë pak më tjetër. Ne nuk i kemi vetëm tani këto fërkime, të cilat janë refleksion i vetëdijes politike të bartësve funksioneve të ndryshme në jetën politike dhe institucionale në Kosovë. Ndoshta dinamika me koincidencë ka imponuar një situatë, që në pamje të parë krijon përshtypjen e një lëvizjeje që nuk është siç ishte më parë, por unë megjithatë konsideroj se nuk ka ndonjë gjë që është jashtë asaj, që ne i themi për fat të keq rrjedhë normale e jetës politike në Kosovë, me problemet, me divergjencat, me mospajtimet, me mungesën e profilit politik të njerëzve, domethënë është rezultat i një situate, i një klime të tillë të krijuar në jetën politike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, si do të ndikojë kjo në fazën në të cilën po hyn Kosova. A do të ketë ndonjë refleksion?

ISMAIL HASANI
Është normale që krijon imazh jo të lakmueshëm, pasi faktori ndërkombëtar tani na shikon me një dioptri tjetër, na shikon si një subjekt që do të duhej të jetë shumë i përgatitur për t’i pranuar rrjedhat e proceseve të ndryshme politike dhe për t’i avancuar ato më tej dhe çdo fërkim ka normalisht edhe pasojat e veta.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi vendosi që serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në institucione. Si e shihni ju një zhvillim të tillë?

ISMAIL HASANI
Beogradi nuk e bën këtë për herë të parë, për fat të keq, edhe për fat të keq të serbëve të Kosovës, po ashtu. Normalisht se serbët e Kosovës do të duhej të vetëdijësoheshin për dinamikën për proceset që po zhvillohen në Kosovë dhe për faktin se nëse nuk janë kooperativë dhe të ndërgjegjshëm për pozicionin që e kanë në Kosovë, do të krijohen dëme politike për serbët që jetojnë në Kosovë.

Intervistoi Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG