Ndërlidhjet

MOSPAJTIMET RRETH DECENTRALIZIMIT ENDE TË PRANISHME


Zijadin Gashi, Prishtinë

Partitë parlamentare në Kosovë thonë se e kanë shqyrtuar draftin e qeverisë në lidhje me decentralizimin e pushtetit dhe presin që më 19 maj, kur Kuvendi do të debatojë për këtë çështje, të dilet me rekomandime konkrete për qeverinë e Kosovës. Naim Maloku, anëtar i Kryesisë së Kuvendit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që drejton qeverinë e koalicionit, thotë se AAK-ja ka qëndrim pozitiv në lidhje me planin e qeverisë për decentralizimin, por sidoqoftë, ai pret që deputetët dhe Kuvendi si tërësi të dalin me rekomandime për t’i ndihmuar qeverisë në këtë proces:
“Mendoj se do të formohet një komision parlamentar, i cili do t’i nxjerrë rekomandimet që do të dalin nga kjo pikë e rendit të ditës dhe si i tillë do t’ia procedojë qeverisë”, theksoi Maloku.
Në anën tjetër, deputeti Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh opozitar, vlerëson se plani i qeverisë ka shumë të meta dhe si i tillë nuk garanton mbarëvajtjen e procesit. Hoxhaj e sheh të domosdoshëm që Kuvendi të plotësoj draft-dokumentin e qeverisë, ose në të kundërtën ai mendon se opozita nuk do ta mbështeste planin e qeverisë Kosumi:
“Draft-propozimi i ofruar nga qeveria e Kosovës jo vetëm që fokusohet në disa projekt-pilote, por edhe i mungon vizioni për reformën e pushtetit lokal i cili duhet të ndodhë në Kosovë për 10-15 vitet e ardhshme, i mungon aspekti i infrastrukturës së nevojshme ligjore dhe i mungon aspekti i financimit. Ne si parti politike jemi të interesuar që ky draft-propozim ose ta ketë përgatitjen e nevojshme të jetë i plotë, ose nuk jemi të interesuar të mbështesim politikisht diçka qëi synon të ofrojë zgjidhje vetëm parcialisht”, tha Hoxhaj.
Deputeti Hoxhaj, thotë po ashtu se Kuvendi nuk parasheh votim, por debat për decentralizimin, prandaj thotë ai, do të ishte shumë me rëndësi për vetë procesin e decentralizimit që Kuvendi t’i jepte në parim mbështetje decentralizimit si proces:
“Nëse debati ndodh vetëm për sa i përket formës, jam shumë i sigurt që koha do të tregojë që projekt-propozimi është i dobët dhe koha do të tregojë që ky projekt-propozim nuk është zgjidhja e problemeve por do të jetë vetë problemi që do ta përcjellë Kosovën”, vlerësoi deputeti Hoxhaj.
Në anën tjetër edhe deputeti Naim Maloku, vlerëson se qëndrimi unik i Kuvendit për decentralizimin, do të thoshte përkrahje e madhe procesit, pas shumë polemikave dhe pozicioneve të ndryshme që janë paraqitur deri më tani nga partitë kryesore politike në Kosovë:
“Qëndrimi unik i Kuvendit në lidhje me këtë proces, do të kishte jehonë pozitive edhe brenda te qytetarët e Kosovës, pra do të kuptohej ky proces i reformimit të pushtetit lokal, i cili de fakto është një proces i cili është për qytetarët e Kosovës, jo për minoritetet. Është ofrimi i pushtetit në nivele sa më afër qytetarëve të Kosovës”, tha Maloku.
Ndërkohë përfaqësuesit e subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës, në kuadër të Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, ende nuk kanë qëndrim unik në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në këtë seancë dhe grupet punuese për decentralizimin:
“Nuk kemi përkrahje që të marrim pjesë në këtë grup punues pasi bëhet fjalë për një çështje mjaft serioze dhe presim që fillimisht të ndodhin takime në nivele më të larta para se të vendosim”, tha Dragisha Kërstoviq, zyrtar i këtij subjekti politik.
Sipas tij, rezultatet e takimit eventual ndërmjet kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi dhe atij të Serbisë, Vojisllav Koshtunica, mund të jenë përcaktuese edhe sa i përket përfaqësimit të serbëve në institucionet e Kosovës dhe proceset aktuale. Sidoqoftë, më 19 maj, pas afër dy viteve të punës së ish-qeverisë Rexhepi dhe tani asaj Kosumi, Kuvendi i Kosovës për herë të parë do ta shqyrtojë dhe do të deklarohet në lidhje me decentralizimin, që sipas analistëve vendorë, bën pjesë në çështjet më të ndërlikuara në Kosovë, kurse për komunitetin ndërkombëtar paraqet një prej prioriteteve që qeveria e Kosovës duhet ta përmbushë.

XS
SM
MD
LG