Ndërlidhjet

logo-print

POLLOZHANI: DEKLARATA E BOLONJËS PO ZBATOHET ME PËRKUSHTIM


Aziz Pollozhani, Ministër i Arsimit i Maqedonisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pollozhani, më 19 dhe 20 maj do të merrni pjesë në konferencën e katërt të procesit të Bolonjës, ku do të paraqitni raportin për zhvillimin e arsimit të lartë në Maqedoni. Çfarë përmban ky raport?

AZIZ POLLOZHANI
Këtë proces faktikisht si institucionet e arsimit të lartë, po ashtu dhe ministria e kanë marë ta realizojnë me seriozitet dhe mundohen të bëjnë hapat e nevojshme drejt realizimit të disa segmenteve të këtij procesi, në funksion të përshtatjes së sistemit tonë arsimor, elemente të cilat janë në funksione të përshtatjes së krejt shoqërisë dhe nevojave që dalin nga kjo me tregun e punës, standardet e ndryshme, që janë më të përafërta me standardet e vendeve të zhvilluara etj. Ky është një proces me një dinamikë edhe të kushtëzuar tanimë nga vetë takimet të cilat ministrat i realizojnë. Këtë herë ne do të prezantojmë atë që kemi arritur dhe synimet që presim po ashtu në proces t'i realizojmë në vitet e ardhshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pollozhani, cila është zgjidhja e problemit të studentëve të mjeksisë, të cilët janë transferuar nga Universiteti i Tetovës në atë të Shkupit?

AZIZ POLLOZHANI
Mbas një vonese të paarsyeshme megjithatë u arrit ajo që ishte menduar të realizohet. Studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe studentët e patologjisë që ndiqnin mësim në Universitetin e Tetovës, tanimë ata që kanë dëshiruar dhe janë paraqitur, kanë marë statusin e studentit të Universitetit të Shkupit dhe si të tillë kanë rrumbullakësuar një nga elementet e përfshirjes së tyre në sistemin arsimor të Maqedonisë. Është në vijim e sipër procedura, që në njëfarë mënyre është dhe një procedurë lehtësuese madje, që të verifikohen njohuritë e tyre, me qëllim që të kyçen në stadin që faktikisht do të dalë si rezultat i një vlerësimi pak më të gjerë që do të realizohet në Fakultetin e Mjekësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit ka patur reagime nga sekretari shtetëror i Ministrisë së Arsimit, zoti Zoran Popovski dhe nga një pjesë e mediave, se interesimi juaj kryesor është orientimi i mjeteve financiare në shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Si i vlerësoni këto kritika?

AZIZ POLLOZHANI
Kjo qasje buron nga mospranueshmëria e një segmenti shoqëror në Maqedoni, e faktit që Ministria e Arsimit të udhëhiqet nga një shqiptar. Por megjithatë çmoj se ne arritëm ta nxjerrim arsimin nga konteksti ndëretnik dhe të merremi me çështje të cilat kanë të bëjnë më shumë me cilësinë dhe reformat në arsim.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pollozhani, cili është modeli i përfshirjes së historisë shqiptare në planprogramet mësimore?

AZIZ POLLOZHANI
Ne ju qasëm rishikimit të programeve, me qëllim që t'u mundësojmë të gjithëve të njohin historinë e tyre, të njohin historinë dhe të kaluarën edhe të njëri tjetrit, me qëllim që të njihemi më mirë dhe t'ua ngushtojmë hapësirën stereotipeve dhe paragjykimeve të ndërtuara kryesisht mbi njohjet e mangëta për njëri tjetrin, ose për historinë e njëri tjetrit si kolektivitete. Programi i ri i adaptuar tani, krijon kushte për njohje më të mirë si të historisë po ashtu edhe të vetvetes në këtë koncept dhe që do t'i shërbejë ndërtimit të një besimi të ndërsjellë dhe krijimit të një mirëkuptimi, që edhe çështje të tjera në këtë shoqëri të mund të rindërtohen në këtë drejtim.

Intervistoi Sefer Tahiri
XS
SM
MD
LG