Ndërlidhjet

KOSOVA NË PRITJE TË PLANIT AMERIKAN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Krerët e institucioneve të Kosovës, por edhe përfaqësues të serbëve të Kosovës e mirëpresin angazhimin më të madh amerikan në Kosovë, duke e parë një hap në këtë drejtim paralajmërimin e publikimit të planit të presidentit Xhorxh Bush për Kosovën.
Ndërkohë që presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, disa herë më parë është deklaruar për një rol më të fuqishëm prijës të Shteteve të Bashkuara në proceset në Kosovë, kryeministri Bajram Kosumi tha sot se qeveria e tij pret një angazhim më të fuqishëm dhe rol prijës të Shteteve të Bashkuara në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës:
"Ende nuk e kemi në dorë atë plan, por në bazë të rrjedhave të diplomacisë amerikane dhe në bazë të përvojave dhe të angazhimit të Departmentit të Shtetit në çështjen e Kosovës, ne presim angazhim më të fuqishëm të SHBA-ve në procesin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës".
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha sot se diplomacia amerikane është ajo që është dëshmuar si një fuqi që lëviz gjërat nga vendi:
"Ne mirëpresim rolin prijës të SHBA-ve në këtë proces. Me të vërtetë, diplomacia amerikane është diplomaci që mund t’i lëvizë gjërat nga vendi dhe unë dua të them që vendimet e duhura për Kosovën nuk duhet të shtyhen apo zgjaten, por duhet të merren shpejt, nuk them menjëherë, por shpejt, pasi shtyrja e tyre mund të na rrezikojë të gjithëve nga pak dhe mund ta rrezikojë procesin".
Prandaj, tha kryeministri Bajram Kosumi, Kosova e mirëpret rolin prijës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në organizimin dhe përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.
Ndërkaq, Muhamet Hamiti, zëdhënësi presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, tha se plani i presidentit Bush do të duhej të orientojë një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën dhe rajonin, që sipas tij është pavarësia:
"Presim që SHBA-të të përvijojnë zgjidhjen për çështjen e Kosovës që siguron respektim të vullnetit demokratik të popullit tonë dhe qëndrueshmëri në këtë pjesë të Evropës, ndërsa pavarësia e Kosovës i siguron të dyja," tha zoti Hamiti, ndërkohë që sipas tij zgjidhjet e këqija dhe zgjidhjet hibride, kanë qenë në themel të paqëndrueshmërisë së ish-Jugosllavisë që shpërtheu pastaj në luftëra të tmerrshme në fund të shekullit të kaluar. Ai tha se roli prijës i SHBA-ve është i domosdoshëm:
"Roli prijës i SHBA-ve është i pazëvendësueshëm për të siguruar konsensus në bashkëpunim me Unionin Evropian për integrimin e Kosovës dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore në strukturat veriatlantike."
Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës e kanë mirëpritur atë që e kanë quajtur angazhim i shtuar amerikan në Kosovë. Rangjell Nojkiq, një nga drejtuesit e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, tha se vetë fakti që Amerika po kthehet ngadalë në Ballkan dhe që Kosova sërish është aktuale, flet për rëndësinë e pjesëmarrjes amerikane në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Nojkiq tha se bashkësia ndërkombëtare është përpjekur që çështjen e Kosovës ta hedhë në Evropë, mirëpo për shkak të qëndrimeve të ndryshme në kontinentin e vjetër, Amerika është kthyer në Kosovë:
"Mendoj se kjo është një gjë e mirë, pasi Amerika është një faktor tepër i rëndësishëm ndërkombëtar për zgjidhjen e të gjitha problemeve anembanë botës, e normalisht edhe në Kosovë," tha Nojkiq, duke vlerësuar se Amerika ka një strategji krejt të ndryshme në raport me periudhën e kaluar. Ai tha se një element të mirë në gjithë këtë është sipas tij, pozicioni amerikan që nuk mund të flitet për statusin pa përmbushjen e standardeve.



XS
SM
MD
LG