Ndërlidhjet

HAXHIU: PAVARËSI PA NATO-N NUK DO TË KISHTE


Baton Haxhiu, analist nga Prishtina

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, aktualisht janë duke u bërë përpjekje për konkretizimin e një takimi ndërmjet kryeministrit Bajram Kosumi dhe atij serb Vojisllav Koshtunica. Si e shihni ju idenë e kontakteve në këtë nivel dhe eventualisht shtrirjen e kontakteve në nivelin e presidentëve?

BATON HAXHIU
Realisht më duket shumë qesharake kjo mënyrë e komunikimit me mediat dhe më vjen keq që mediat janë ato, të cilat shpërndajnë informatën, ose përdoren për shpërndarjen e informatave nga njëri tek tjetri kryeministër. Kjo, për arsye se ky lloj komunikimi nuk është serioz, nuk është institucional dhe nuk ka përmbajtje. Meqë nuk ka përmbajtje, atëhere i shoh si forma shumë të shpërfillshme, për arsye se serioziteti i takimit, mbas gjithë asaj që ka ndodhur në Kosovë duhet të ketë së paku një letër përmbajtjeje për takimin, e cila reflekton. Nuk na duhet më takimi për dorështrëngim, por na duhet një takim, i cili realisht reflekton një relaksim të marrëdhënieve dhe reflekton një model të ri të komunikimit fqinjësor, një komunikim,i cili e ndërton vizionin për të ardhmen në rajon. Unë mendoj që po kthehemi në vitet 90', 97-98, ku institucionet e Kosovës dhe shqiptarët kanë patur një lloj mosbesimi në vete dhe një lloj inferioriteti karshi institucioneve serbe, një lloj frike të panevojshme, një lloj hezitimi për ballafaqim Duke ditur sa kemi të drejtë ne në këto negociata në këto bisedime, duke ditur se sa të fortë mund të dalim, ne jemi të nguruar që të takohemi me institucionet e Serbisë, siç është kryetari dhe kryeministri.

RADIO EVROPA E LIRË
Po konkretisht nëse do të realizohej një takim i tillë, cilat konsideroni se do të ishin pikat e diskutimeve, agjenda e një takimi ndërmjet dy kryeministrave?

BATON HAXHIU
Agjenda e takimit normalisht është gjithsesi e kaluara. E kaluara, sepse dikush duhet të japë llogari për atë që ka ndodhur. Agjenda e takimit duhet të jetë e tashmja, për arsye se ka shumë probleme mes dy vendeve, por agjenda e takimit kurrsesi nuk duhet të jetë e ardhmja, për arsye se nuk u takon institucioneve të Kosovës për të biseduar për të ardhmen e Kosovës, por për të relaksuar marrëdhëniet mes dy fqinjëve. Natyrisht që statusi i Kosovës, ata që nuk e dinë dhe nuk e kanë kuptuar, nuk do zgjidhet në mes dy palëve serbe dhe shqiptarëve, por do të zgjidhet me një vendim, i cili do të jetë produkt i këtyre bisedimeve të relaksuara, të cilat do reflektojnë që kur të zgjidhet statusi, të mos ketë armiqësi mes këtyre dy vendeve, por të ketë relaksim dhe komunikim të madh mes dy vendeve, si dhe reflektim për gabimet që janë bërë karshi shqiptarëve dhe Kosovës gjatë një periudhe prej një dekade e gjysëm. Prandaj unë jam shumë i bindur se këto lloj takimesh kanë tjetër dimension, nuk kanë dimension historik, kanë dimension të së ardhmes. Dimensionin historik do ta vendosë Këshilli i Sigurimit. Pavarësia tashmë është çështje e kryer, sepse kurrkush nuk merr përgjegjësi për një krizë të madhe në Ballkan dhe Evropë dhe meqënëse është çështje e kryer, atëhere nuk na duhet një njeri, i cili na tregon se sa i vlefshëm ka qenë ai në procesin politik për të nënshkruar një pavarësi. Pavarësi pa NATO-n nuk do të kishte.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Prishtinë aktualisht, shefi i UNMIK-ut është duke tentuar që të krijojë një trup, një forum politik, ku do t'i mblidhte përfaqësuesit e subjekteve kryesore politike. Cili mendoni se do të jetë roli i këtij forumi në procesin e ardhshëm negociator?

BATON HAXHIU
Ne po kthehemi në vitin 1998, kur është formuar Grupi G-15 për të biseduar me serbët, dhe ky G-15 ka qenë produkt i mosfunksionimit të institucioneve dhe mosegzistimit të shtetit të Kosovës. E njëjta situatë është edhe tani. Ne kemi një situatë më të favorshme, për arsye se nuk kemi policinë serbe, por kemi një proces negociues. Kosova nuk është shtet. Meqënëse nuk është shtet, atëhere institucionet e krijuara janë të përkohshme. Dhe institucionet e përkohshme nuk mund të ndërtojnë asnjë formacion, ku do të vendosej për statusin e Kosovës, për arsye se institucionet e përkohshme janë krijuar për çështjet ditore. Për çështje të sigurisë dhe të politikës së jashtme dihet kush pyetet në Kosovë. Pyetet UNMIK-u. Prandaj këto institucione, të cilat kanë marrë përsipër shëndetësinë dhe arsimin, realisht kanë dështuar. Paramendoni nëse këtyre institucioneve ua le në dorë statusin. Nuk di pse ka kaq shumë krekosje dhe nuk di pse ka kaq shumë insistim. Këta njerës nuk e meritojnë që të jenë ata, të cilët do të nënshkruajnë një të ardhme të këtij vendi. Këtu ka shumë njerëz të merituar, të cilët duhet të jenë pjesë e atij procesi.

Intervistoi: Zijadin Gashi



XS
SM
MD
LG