Ndërlidhjet

BËRNS: VITI 2005 VENDIMTAR PËR STATUSIN PËRFUNDIMTAR TË KOSOVËS


Dëshmi e Nënsekretarit amerikan të Shtetit Nikolas Bërns, para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Kongresit të SHBA-ve

Çështja e Kosovës është e një rëndësie kyçe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Xhorxh Bush dhe Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs, e kanë vënë në mesin e prioriteteve, ka thënë Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns. Këto komente zoti Bërns i ka bërë në një dëshmi para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
Nikolas Bërns me këtë rast ka vënë në pah se viti 2005 është vendimtar për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Kosova është çështja më komplekse në rajon, ka thënë zoti Bërns për të shtuar:
"Konsiderojmë se statusi i papërcaktuar i Kosovës edhe më tutje është i paqëndrueshëm, i padëshirueshëm dhe i papranueshëm. Kjo gjendje nuk kënaq asnjë palë dhe pos tjerash kërcënon me ripërtërirjen e konflikteve", ka thënë Nikolas Bërns, për të shtuar se "ne duhet të punojmë shumë për të ndihmuar popullin e Kosovës që të ketë siguri, pajtim etnik dhe paqe në vitin 2005".
Ai ka vënë në pah se Shtetet e Bashkuara me aleatët evropianë do të fillojnë procesin që do të çojë drejt përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, për të shtuar se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, gjatë verës do të emërojë ambasadorin norvegjez Kai Eide, raportues special, i cili do të vlerësojë nëse janë përmbushur kushtet, përkatësisht standardet, për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës.
Nëse vlerësimi do të jetë pozitiv do t'i propozojmë Kofi Ananit të emërojë negociatorin nga Evropa, të cilit do t'i asistojë një diplomat amerikan, për të organizuar bisedimet kushtuar statusit përfundimtar të Kosovës, ka thënë me këtë rast Nikolas Bërns.
Ai ka përkujtuar se pala shqiptare angazhohet për pavarësi, autoritetet në Beograd për autonomi dhe jo pavarësim të Kosovës, ndërsa që ka edhe të tillë që janë për një ecje graduale të Kosovës drejt pavarësisë:
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët evropianë nuk janë pozicionuar rreth asnjërës nga opsionet për Kosovën. Ne dëshirojmë të jemi ndërmjetësues të paanshëm në bisedime, të shfrytëzojmë ndikimin tonë me qëllim të arritjes së zgjidhjes përfundimtare, në mënyrë që të shmangim dhunën etnike", ka thënë Nikolas Bërns, para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
Ai me këtë rast ka vënë në pah se statusi përfundimtar i Kosovës duhet të mbështetet në multietnicitet dhe në respekt të plotë për të drejtat e njeriut, duke përfshirë edhe të drejtën e të gjithë refugjatëve dhe personave të zhvendosur të kthehen të sigurt në shtëpitë e veta.
Ai ka ftuar gjithashtu për garanca efektive kushtetuese për të siguruar mbrojtjen e minoriteteve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe religjioze.
"Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë në Kosovë gjatë viteve të 90-ta për të mbrojtur popullatën shumicë shqiptare nga terrori i rregjimit të Millosheviqit. Tani nuk duhet lejuar që pjesëtarët e shumicës të sulmojnë pjesëtarët e pakicës. Rruga e vetme drejt ardhmërisë është pajtimi dhe harmonia etnike", ka thënë Nikolas Bërns.
NATO duhet të mbetet në Kosovë gjithnjë, përderisa nuk jetësohen qëllimet e apostrofuara dhe trupat amerikane do të mbeten bashkë me aleatët, ka thënë në vazhdim Nikolas Bërns.
Zoti Bërns gjithashtu ka thënë se qeveria serbe duhet të jetë e zotuar për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ka sinjalizuar Beogradin, se nuk do të ketë marrëdhënie normale me Shtetet e Bashkuara, gjithnjë përderisa të dyshuarit për krime lufte nuk i dorëzohen Tribunalit të Hagës:
"Presim që Serbia përfundimisht të mbyllë kapitullin e historisë së viteve të 90-ta, të arrestojë Ratko Mladiçin dhe t'ia dorëzojë Tribunalit të Hagës. Shtetet e Bashkuara formalisht nuk do të normalizojnë marrëdhëniet me Beogradin, gjithnjë përderisa kjo nuk realizohet dhe nuk do të lejojnë hyrjen e Serbisë në Partneritetin për Paqe", ka thënë zoti Bërns.
"Ne nuk mund të harrojmë historinë e viteve të 90-ta. Këtë ua kemi borxh viktimave dhe familjeve të viktimave", ka përfunduar Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns, në dëshminë para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG