Ndërlidhjet

RRITET NUMRI I TË SËMURËVE NGA KANCERI


Këtë vit 11 milionë njerëz do të mësojnë se vuajnë nga kanceri dhe 7 milionë të tjerë do të humbin jetën nga kjo sëmundje. Megjithë faktin se njerëzit janë më të informuar mbi trajtimin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje, numri i të sëmurëve vazhdon të rritet nga viti në vit. Isabel Mortara, drejtuesja i Unionit Ndërkombëtar Kundër Kancerit, ka deklaruar në Organizata Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë se numri i përgjithshëm i të sëmurëve në 15 vitet e ardhshme do të rritet me 50 përqind.
"Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 12 përqind e vdekjeve në mbarë botën kanë lidhje me kancerin. Pra më shumë se tuberkulozi, SIDA dhe malarja bashkë, e madje dy herë më shumë sesa vetë SIDA-s. Këtë vit 11 milionë njerëz do të marrin vesh që kanë kancer dhe 7 milionë të tjerë do të vdesin prej kësaj sëmundje. Kjo do të thotë se njerëzit kudo, në Zvicër, Honduras apo në Singapor do të vdesin nga kanceri për çdo vit", thotë zonja Mortara.
Ajo parashikon shifra tronditëse që flasin për 16 milionë raste të reja me kancer në vitin 2020 dhe 10 milionë vdekje nga kjo sëmundje. Problemi kryesor shtrihet në vendet në zhvillim, të cilat kanë më pak se 5 përqind të mjeteve të nevojshme për t'u marrë me këtë problem.
Kanceri, që shkaktohet nga sëmundjet infektive dhe viruset, si ato në melçi, stomak dhe në qafën e mitrës, është i zakonshëm në vendet e varfëra. Në vendet e zhvilluara ndërkaq, problemi kryesor qëndron tek kanceri në prostat dhe në gjoks, që shpesh herë janë të shkaktuara nga dietat jo të shëndetshme, mbipesha dhe përditshmëria joaktive.
Në përgjithësi vrasësi kryesor është kanceri në mushkëri, i shkaktuar kryesisht nga duhani. Për herë të parë Organizata Botërore e Shëndetësisë do të hartojë një rezolutë mbi parandalimin dhe kontrollin e kancerit, duke e njohur kësisoj këtë sëmundje, si një problem të madh global.
Por përveç kancerit, një shqetësim tjetër për Organizatën Botërore të Shëndetësisë është dhe gripi i shpendëve. Në Indonezi, ky virus është zbuluar te disa derra në ishujt Java. Ky zbulim ka shtuar shqetësimin se virusi, i cili në disa raste është vdekjeprurës, mund të përhapet mes njerëzve në shtetin e katërt më të populluar në botë. Pas analizave të kryera në zona të ndryshme, përfshirë këtu edhe ishullin Bali, gripi i shpendëve është zbuluar vetëm në ishullin e Javës Perëndimore. Ministria e Bujqësisë në Indonezi, megjithatë ka thënë se situata është nën kontroll dhe se nuk ka asnjë plan për vrasjen masive të derrave të infektuar.
Ramzi Xha është veteriner në një karantinë në Xhakarta, ku derrat nga fermat e ndryshme dërgohen përpara se të vriten.
"Derrat sillen këtu në karantinë. Ne kontrollojmë fillimisht dokumentet për të zbuluar nga vijnë dhe më pas gjendjen e tyre shëndetësore. Ato mbahen në karantinë nga 12 deri në 24 orë përpara se të vriten," thotë zoti Xha. Egziston frika se virusi mund të ndryshojë formë dhe të bartet më lehtësisht tek njerëzit, duke u kthyer kështu në një epidemi globale, që do të vriste miliona njerëz. Deri tani në Indonezi nuk është gjetur asnjë njeri i infektuar me grupin e shpendëve, por që prej vitit 2003, 36 vietnamezë, 12 tajlandezë dhe 4 kamboxhianë kanë vdekur nga ky virus.


XS
SM
MD
LG