Ndërlidhjet

logo-print

SHQIPTARËT PËRSHËNDESIN, SERBËT TË PAKËNAQUR ME DEKLARIMET E UASHINGTONIT RRETH STATUSIT PËRFUNDIMTAR TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Duke riafirmuar angazhimin për Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përvijuar qartë politikën që do ndjekur me rastin e përcaktimin e statusit të Kosovës si dhe integrimin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike, kanë vlerësuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të cilët e kanë vlerësuar pozitivisht raportin e djeshëm të Nënsekretarit të shtetit Nicholas Burns para Kongresit amerikan.
Muhamet Hamiti, zëdhënësi i presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, tha se nënsekretari Burns dje përvijoi në vija të qarta rrugën që SHBA dhe aleatët evropianë duhet të ndjekin për të përmbyllur çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës:
"Ecuria që do të ndiqet në këtë synim dhe parimet mbi të cilat do të kërkohet zgjidhja për statusin, japin shpresë se koha e pezullisë në Kosovë është drejt fundit. Roli udhëheqës i SHBA-ve në këtë proces, i riafirmuar fuqishëm nga zyrtari i lartë amerikan dje, është parakusht për ta çuar Kosovën në cakun e saj për integrime veriatlantike".
Zëdhënësi Hamiti tha se është me rëndësi që në qëndrimet e fundit amerikane janë përmendur vështirësitë me të cilat përballet edhe ekonomia e Kosovës, për shkak të paqartësisë rreth statusit:
"Na vjen mirë që njihet qëndrimi ynë i shprehur vazhdimisht, se paqartësia e statusit pengon zhvillimin ekonomik dhe investuesit potencialë nga jashtë presin vendim për sovranitetin e Kosovës, para se të hyjnë në këto investime," tha zëdhënësi i presidentit Rugova, Muhamet Hamiti, sipas të cilit për integrimet euroatlantike dhe për të siguruar respektim të parimeve demokratike dhe qëndrueshmëri në rajon, Kosova e pavarur është zgjidhja optimale, pra një Kosovë e pavarur, që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pakicat.
Ndërkohë, raporti i djeshëm është cilësuar si një lëvizje pozitive e politikës amerikane në zgjidhjen e drejtë dhe të shpejtë të çështjes së Kosovës, edhe nga kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha zëdhënësi i tij, Daut Dauti:
"Është për t’u vlerësuar pozitivisht se propozimi që brenda një viti të fillojnë dhe përfundojnë bisedat, është një element pozitiv siç cilësohet këtu nga Prishtina".
Zëdhënësi Daut Dauti tha se pavarësisht që në raport është thënë se i dërguari kryesor do të jetë evropian, roli prijës amerikan është i dukshëm:
"Në njëfarë mënyre në aspektin vizual duket se amerikanët nuk do të jenë në rolin prijës, por është e qartë se do të jetë rol shumë i madh i SHB-ve. Tani si i dërguar i posaçëm përmendet Kai Eide, ndërsa zëvendësi i tij do të jetë amerikan, por kjo në njëfarë mënyre do ta shprehë angazhimin SHBA-ve dhe BE-së në Kosovë".
Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk e kanë pritur mirë raportin e djeshëm. Kryesuesi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, tha se ky nuk ishte asgjë e re, pasi është i hershëm synimi i qarqeve diplomatike amerikane që çështja e Kosovës të zgjidhet shpejt, meqenëse Shtetet e Bashkuara janë lodhur nga Kosova, e cila sipas tij, nuk është ndonjë interes strategjik amerikan:
"Dëshira amerikane është zgjidhja e shpejtë dhe në njëfarë mënyre e imponuar, mirëpo qëndrimi i Bashkimit Evropian është i rëndësishëm dhe i ndryshëm nga ai amerikan," tha Ivanoviq, sipas të cilit për dallim nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian mendon se është e pashmangshme që Serbia të pajtohet për zgjidhjen lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës.



XS
SM
MD
LG