Ndërlidhjet

logo-print

RUGOVA: PLANI AMERIKAN, HAP SHUMË POZITIV PËR KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Duke riafirmuar angazhimin për Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përvijuar qartë politikën që do ndjekur me rastin e përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, si dhe integrimin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike, kanë vlerësuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të cilët e kanë vlerësuar pozitivisht raportin e djeshëm të Nënsekretarit të shtetit Nicholas Burns para Kongresit amerikan.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha sot se plani amerikan është një hap shumë pozitiv për Kosovën.
"Vlerësoj se është shumë pozitiv, sepse sjell një dinamikë të re rreth kësaj çështjeje. Pra që në afatin sa më të shkurtër të zgjidhet çështja e Kosovës, që unë i them pavarësi, si dhe vlerësoj shumë pozitiv edhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian", tha presidenti Rugova.
Ndërkohë raporti i djeshëm është cilësuar si një lëvizje pozitive e politikës amerikane në zgjidhjen e drejtë dhe të shpejtë të çështjes së Kosovës, edhe nga kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha zëdhënësi i tij, Daut Dauti.
"Qeveria, përkatësisht kryeministri i Kosovës, raportin e zotit Burns e cilëson si një lëvizje pozitive të politikës amerikane, në zgjidhjen e drejtë dhe të shpejtë të çështjes së Kosovës. Është për t'u vlerësuar pozitivisht se propozimi, që brenda një viti të fillojnë dhe të përfundojnë bisedat, cilësohet si një element pozitiv këtu në Prishtinë."
Zëdhënësi Daut Dauti, tha se pavarësisht që në raport është thënë se i dërguari kryesor do të jetë evropian, roli prijës amerikan është i dukshëm:
"Në njëfarë mënyre në aspektin vizual duket se amerikanët nuk do të jenë në rolin prijës, por është e qartë se do të jetë rol shumë i madh i SHB-ve. Tani si i dërguar i posaçëm përmendet Kai Eide, ndërsa zëvendësi i tij do të jetë amerikan, por kjo në njëfarë mënyre do të pasqyrojë angazhimin SHBA-ve dhe BE-së në Kosovë".
Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk e kanë pritur mirë raportin e djeshëm. Kryesuesi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, tha se ky nuk ishte asgjë e re, pasi është i hershëm synimi i qarqeve diplomatike amerikane që çështja e Kosovës të zgjidhet shpejt, meqenëse Shtetet e Bashkuara janë lodhur nga Kosova, e cila sipas tij, nuk është ndonjë interes strategjik amerikan:
"Dëshira amerikane është zgjidhja e shpejtë dhe në njëfarë mënyre e imponuar, mirëpo qëndrimi i Bashkimit Evropian është i rëndësishëm dhe i ndryshëm nga ai amerikan," tha Ivanoviq, sipas të cilit për dallim nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian mendon se është e pashmangshme që Serbia të pajtohet për zgjidhjen lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës.



XS
SM
MD
LG