Ndërlidhjet

TAKIMI I PARË I FORUMIT POLITIK MBAHET MË 1 QERSHOR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Forumi joformal politik i Kosovës do ta ketë takimin e parë zyrtar më 1 qershor të këtij viti, ka deklaruar sot shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi.
Shefi i UNMIK-ut, Petersen tha se ka qenë e pamundur që takimi përfundimtar të mbahej sot, siç ishte paralajmëruar, ndërkohë që parashihej që në këtë takim të shqyrtoheshin përfundimisht detajet lidhur me natyrën e këtij mekanizmi:
"Ne do ta kemi edhe një takim përfundimtar për t’u ulur së bashku dhe për ta shqyrtuar tekstin përfundimar, të mërkurën e ardhshme, pasi për arsye logjistike nuk do të mund takohemi sot," tha zoti Petersen.
Në takimin e të mërkurës, ku përveç zotit Petersen, pritet të marrin pjesë përfaqësuesit e katër partive më të mëdha politike të Kosovës dhe presidenti Ibrahim Rugova, pritet të diskutohet lidhur me rolin dhe natyrën e këtij mekanizmi, ndërkohë që nuk dihen detajet e përgjigjeve që i kanë kthyer liderët politikë propozimit të shefit të UNMIK-ut. Ajo që dihet deri më tash është se Partia Demokratike e Kosovës, që është më e madhja parti opozitare, ka kërkuar që forumi të jetë vendimmarrës dhe që vendimet e forumit të kalohen pastaj për miratim në Parlamentin e Kosovës. Mirëpo, një ide e tillë deri më tash është kundërshtuar nga partitë anëtare të koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat konsiderojnë se fuqia vendimmarrëse e këtij forumi, do të ishte paralelizëm në raport me institucionet e zgjedhura vendore.
Në një deklaratë të shkruar, lëshuar sot nga Partia Demokratike e Kosovës, thuhet se projekt-propozimi i fundit, i datës 18 maj i zotit Petersenm paraqet një hap përpara dhe serioz për formimin e Forumit Politik të Kosovës, sepse në draftin e ri janë përfshirë shumica e rekomandimeve të PDK-së. Megjithatë, PDK-ja vlerëson se ky projekt vazhdon të përcillet me paqartësi në aspektin e objektivave dhe rregullave të punës dhe pret që në ditët e ardhshme, nga konsultat e brendshme ndërpartiake dhe ato me UNMIK-un, do të gjendet një zgjidhje e duhur dhe e qartë, thuhet në deklaratë.
Vetë propozuesi i këtij mekanizmi, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, ka thënë se synimi i tij nuk ishte që të zëvendësojë institucionet e zgjedhura në mënyrë demokratike të Kosovës, por që t’i ndihmojë ato lidhur me çështjet më të rëndësishme. Petersen ka thënë se forumi joformal do të diskutonte lidhur me çështjet e interesit kombëtar për Kosovën, siç janë standardet, decentralizimi dhe procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.
Sidoqoftë, pavarësisht nga mospajtimet aktuale ndërmjet partive dhe krerëve të tyre, shefi i UNMIK-ut Petersen është shprehur sot optimist se forumi politik i Kosovës do të jetë i konstituuar deri në fillim të muajit të ardhshëm:
"Unë ende pres që takimi i parë i forumit të bëhet më 1 qershor dhe ftesat do të dërgohen pas takimit të së mërkurës, që do të thotë se synimi im është që forumi të takohet për herë të parë më 1 qershor," tha zoti Petersen.
Ndërkohë, ditë më parë, formimin e një forumi të tillë e ka mbështetur edhe shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, sipas të cilit forumi është i nevojshëm për të diskutuar lidhur me çështjet si përcaktimi i statusit që shkojnë mbi fuqinë e parlamentit, pasi ka nevojë për konsensus më të gjerë.
XS
SM
MD
LG