Ndërlidhjet

DIAGNOSTIFIKIMI I SHPEJTË I KANCERIT TË GJIRIT NDIHMON SHËRIMIN E TIJ


Ron SYNOVITZ

Ylli ndërkombëtar i muzikës pop, Kylie Minogue është shtuar në një spital në Merbourne të Australisë, në pritje për t'iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
36-vjeçarja mësoi të enjten se ka kancer në gji. Sipas mjekëve, diagnoza e Kylie shërben si dëshmi për gratë e tjera, se sa të rëndësishme janë vizitat e rregullta te mjeku, përpara se të jetë shumë vonë.
Adhuruesit e muzikës pop në mbarë botën, janë tronditur nga lajmi se ylli më i madh i muzikës australiane është diagnostifikuar me kancer në gji, në moshën 36-vjeçare. Pak orë pas njoftimit, zëdhënësi i Kylie Minogue, Michael Gadinsky, tha se këngëtarja ka anulluar turnetë e planifikuara në Australi dhe në Azi, pasi është shtruar në një spital në Melbourne.
"Unë nuk jam mjek. Nuk jam i kualifikuar të flas për diagnozën. Ajo do t'i nënshtrohet trajtimit të menjëhershëm. Në fakt sëmundja u zbulua që të enjten. Ajo është një vajzë e shëndetshme dhe me vullnet të hekurt. Me shpresa dhe falë doktorëve të mrekullueshëm, Kylie do të vazhdojë të këndojë edhe për shumë kohë", tha zëdhënësi saj Gadinsky. Kryeministri australian John Howard, deklaroi se sëmundja që ka prekur ikonën e re të mirënjohur të popit shërben, për t'i kujtuar njerëzve se kanceri nuk kursen askënd.
"Mendoj se të gjithë ndihen të tronditur dhe të dëshpëruar kur një grua e re, si Kylie Minogue, por edhe çdo grua në moshën e saj, preket nga kjo diagnozë. Kjo i ndodh shumë femrave. Por shërben për të kuptuar se, meqë kanceri i gjirit është shumë i përhapur mes grave, ato duhet të kujdesen për ta zbuluar në fazat e para", tha kryeministri Howard. Qendra Kombëtare e Kancerit të Gjirit në Australi deklaron se në rastet kur sëmundja zbulohet shpejt, pacienti gjen shpëtim. Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale mund të hiqet vetëm tumori ose i gjithë gjiri. Më pas pacienti u nënshtrohet radioterapive ose kemioterapive. Trajtimi zgjat 6 javë deri në 6 muaj kohë. Sipas mjekëve, Kylie e ka zbuluar sëmundjen në kohë dhe kanceri nuk është përhapur në vende të tjera të trupit.
Vetë këngëtarja foli për gjendjen e saj kur përmes një mesazhi u ofroi mbështetje të gjitha grave në botë që vuajnë nga kanceri në gji. Ajo u kërkoi adhuruesve të saj të mos i dërgojnë lule, por të dërgojnë donacione në Qendrën e Kancerit në atdheun e saj në Viktoria të Australisë.
Gillian Batt, është drejtoreshë e kësaj qendre.
"Njerëzit që zbulojnë se kanë kancer turbullohen nga shumë lloje emocionesh. Fillimisht mendojnë ç'të bëjnë më tej. Pastaj duhet t'i tregojnë gjithçka familjes dhe të përballen dhe me emocionet dhe frikat e tyre. Gjithçka kanë planifikuar për të ardhmen, papritur ndryshon. Kjo zgjat deri sa të mësohen me rrethanat e reja", shprehet Batt.
Sipas statistikave të OBSH, kanceri i gjirit është i dyti, pas atij në mushkëri, që prek më shumë gratë. Para moshës 30 vjeç, probabiliteti për t'u prekur nga sëmundja është 1 në 2.200. Në moshën 30-40 vjeç gjasat janë 1 në 235, kurse mbi 60 vjeç rriten në 1 në 23 gra.
Ka 3 mënyra për të zbuluar kancerin në gji. Një është mamograma, që e zbulon kancerin 2 vjet para se të bëhet i dukshëm. Mënyra e dytë është vizita e rregullt te mjeku, dhe e treta nëpërmjet kontrollit të vetes, i lehtë për t'u kryer sipas rekomandimeve. Mjekët tani shpresojnë se fakti që sëmundja e Kylie ka përfshirë mediat e të gjithë botës, kjo do të ndihmojë për të shtuar kujdesin dhe masat parandaluese ndaj kancerit të gjirit. Kështu ndoshta shpëtohen jetët e shumë grave të tjera.
XS
SM
MD
LG