Ndërlidhjet

MOORE: RIKTHIMI DIPLOMATIK I AMERIKËS NË KOSOVË


PATRICK MOORE, ANALIST I RADIOS EVROPA E LIRË

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, këtë javë kemi dëgjuar Nënsekretarin amerikan të Shtetit, zotin Nicholas Burns të ketë thënë se viti 2005 është vendimtar për statusin e Kosovës.
A do të thotë kjo se Amerika sërish i rikthehet Evropës dhe Ballkanit, dhe cili është mesazhi i fjalës së zotit Burns?

PATRICK MOORE
Kjo duket se është mjaft e qartë, sepse në deklaratën e tij ai e përdori termin udhëheqja e Amerikës. Ajo që kjo nënkupton është një rikthim i udhëheqjes amerikane, por në këtë rast flitet për një kthim të udhëheqjes diplomatike amerikane. Qëllimi është të zgjidhet situata e paqartë, që praktikisht nënkupton një lëvizje drejt një zgjidhjeje të çështjes së statusit. Mendoj se kjo duhet të jetë e qartë për këdo që ka patur qasje ndaj kësaj çështjeje. Ajo për të cilën po flasim këtu pra është udhëheqja diplomatike, e cila nuk don të thotë që do të ketë një rritje të pranisë fizike amerikane në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se egziston strategji e harmonizuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian rreth Kosovës apo ajo duhet të hartohet. Në fakt, a ka gjasa fare për një strategji të tillë të përbashkët?

PATRICK MOORE
Zoti Burns sugjeroi që kjo qëndron, por ende ka disa pyetje. Së pari egziston problemi kulturor i një shteti-komb që përballet me një lëvizje shumë të ngadaltë të organizatave ndërkombëtare. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur shteti komb ndodh që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku njerëzit përpiqen të gjejnë zgjidhje të shpejta dhe një progres të qartë. Siç e ka thënë dikush, amerikanët luajnë poker, kurse rusët luajnë shah. Ky është një faktor kulturor. Por siç e kanë theksuar dhe shumë analistë, pjesë e problemit të marrjes me Bashkimin Evropian si një faktor ndërkombëtar, është se ai përbëhet nga 25 vende anëtare, të cilave u duhet një kohë e gjatë për të arritur konsensusin. Për të bërë diçka duhet një kohë shumë e gjatë dhe ata nuk kanë konceptin e shpejtësisë, ndërkohë që amerikanët i mbështesin zgjidhjet më të shpejta. Nëse e keni vënë re, të gjitha modelet që kanë dalë nga qarqet pranë Bashkimit Evropian, kanë përfshirë një tranzicion shumë të zgjatur nga UNMIK-u në statusin përfundimtar, duke kaluar përmes një sërë fazash të regjimit kolonialist. Kjo është një qasje e orientuar shumë nga procedura, pasi Bashkimi Evropian është i orientuar nga procedurat dhe jo nga rezultatet. SHBA-të janë të orientuar nga rezultatet, duan rezultate dhe nuk mendoj se duan një situatë të zgjatur pa një zgjidhje të qartë të problemit.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila sipas jush mund të jetë sfida, përkatësisht pengesa më e madhe në zgjidhjen e statusit të Kosovës në periudhën e ardhshme?

PATRICK MOORE
Egzistojnë tri pengesa të mundshme. Pengesa e parë është Bashkimi Evropian. Siç e thashë, kur dikush merret me shtete individuale mund të arrihet në veprime, veçanërisht me Britaninë e Madhe. Kur preken interesat e tyre si për shembull në Afrikë, britanikët janë të aftë për të vepruar shumë shpejt. Por Bashkimi Evropian si organizatë ecën shumë ngadalë. Një problem tjetër me BE-në janë modelet të cilave iu referuam më sipër për një tranzicion të zgjatur, të cilat janë joreale. Kjo, veçanërisht nëse i hidhni një sy logjikës bazë të qasjes amerikane, e cila është se gjërat po lëvizin shumë ngadalë dhe ato duhet t'i shpejtojmë.
Fusha e dytë e pengesave vjen nga Moska. Rusia në këtë çështje ka luajtur rolin e dinosaurit. Ata nuk duken të jenë shumë efektivë dhe nuk mendoj se do mund të jenë një pengesë shumë e madhe. Nëse lexoni mesazhet që vijnë nga Ministria e Jashtme ruse dhe Parlamenti i Rusisë, ato praktikisht përfshijnë një përsëritje të vdekur dhe pa imagjinatë të linjës së Beogradit, që tingëllon po aq e vdekur sa makineria e propagandës së Brezhnjevit 25 vjet më parë. Nga ajo që kam lexuar këtë javë në media, kuptova se diplomatët perëndimorë janë të bindur se Rusia nuk do të kundërshtojë dhe nuk do të jetë një pengesë e madhe, ndonëse i mbron aspiratat jorealiste të Beogradit për të mbajtur Kosovën. Personalisht nuk jam shumë i shqetësuar për Rusinë.
Ka një fushë të tretë pengesash që quhet Serbi. Është bërë e qartë nga UNMIK-u se Serbia nuk do të ketë të drejtën e vetos ndaj çështjes së statusit përfundimtar. Doja t'u tërhiqja vëmendjen të gjithëve se zoti Burns, pavarësisht se i pranoi shqetësimet e Serbisë për lirinë e lëvizjes dhe të drejtën e kthimit, theksoi që ripranimi i Serbisë në komunitetin ndërkombëtar do të jetë i kushtëzuar nga bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës dhe arrestimi i kriminelëve të luftës si Ratko Mlladiç. Ajo që kemi ndërkohë është vazhdimi i ankesave të Beogradit dhe ngritja e çështjeve joegzistente si bisedimet për çështjet propagandistike, të cilat nëse merren të gjitha së bashku, flasin jo aq shumë për një diplomaci realiste, por për një film të vjetër të Felinit.

Intervistoi Melazim Koci
XS
SM
MD
LG