Ndërlidhjet

SINJALIZOHET VLERËSIM POZITIV I STANDARDEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe qeveria e Kosovës presin që mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që mbahet të premten më 27 maj, do të lansojë fazën e fundit të vlerësimit të thellësishëm të përmbushjes së standardeve të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtar,e në mënyrë që Kosova të mund të fillojë procesin e përcaktimit të statusit të saj përfundimtar. Remi Durlout, zëdhënës i UNMIK-ut në Prishtinë, tha UNMIK-u pret që Sekretari i Përgjithshëm Anan të mund të rekomandojë lansimin e shqyrtimit gjithëpërfshirës:
"Ne shpresojmë se si rezultat i debatit të premten, Sekretari i Përgjithshëm Anan do të propozojë dhe Këshilli i Sigurimit do të vendosë për lansimin e procesit të vlerësimit të thellësishëm të jetësimit të standardeve," tha zëdhënësi Durlout, për të shpjeguar më pas se ky vlerësim i thellësishëm i përmbushjes së standardeve, do të bëhet në mënyrë krejt të pavarur nga UNMIK-u. Durlout tha se në këtë takim do të bëhet vlerësim në dy nivele i përmbushjes së standardeve dhe se takimi i Këshillit të Sigurimit do të bëjë njëkohësisht vlerësimin teknik dhe atë politik të përmbushjes së standardeve.
Duke e quajtur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit shumë të rëndësishme për Kosovën dhe punën që është bërë në përmbushjen e standardeve, koordinatori i qeverisë së Kosovës për standardet, Avni Arifi tha se qeveria tashmë e ka marrë vlerësimin teknik
"Sa i përket vlerësimit teknik, ai është pozitiv, por vlerësimin politik nuk e dimë. Do të diskutojnë të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit më 27 dhe në bazë të diskutimeve, nëse është arritur progres i mjaftueshëm, atëherë Kofi Anan do të ckatojë një përfaqësues, i cili do të vijë në Kosovë, diku në qershor dhe do të bëjë vlerësimin gjithëpërfshirës të standardeve, proces ky që do të zgjasë rreth tetë javë dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit gjithëpërfshirë,s do të përcaktohet nëse do të fillojë zgjidhja e statusit të Kosovës apo jo,"tha koordinatori Arifi, ndërkohë që zëdhënësi i UNMIK-u Remi Durlout, tha se rezultat i takimit të së premtes të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk pritet të jetë lansimi i fazës së përcaktimit të statusit apo bisedimeve për statusin, por pikërisht lansimi i fazës së vlerësimit të thellësishëm:
"Nëse shqyrtimi i thellësishëm do të jetë pozitiv, do të mund të shkohet në bisedimet për statusin, që do të thotë se kjo është një kohë e rëndësishme për Kosovën," tha zëdhënësi Durlout.
Ndërkohë, duke shpjeguar procedurat dhe mekanizmat e vlerësimit gjithëpërfshirës, koordinatori i qeverisë, Avni Arifi tha se nuk dihen detaje për metodologjinë e punës së të dërguarit të zotit Anan, mirëpo qeveria pret të bashkëpunojë me të:
"Ne nuk kemi asnjë konfirmim se kush do të jetë. Kemi dëgjuar nga Nicholas Burns se do të jetë Kai Eide. Ne presim që të jetë Kai Eide, mirëpo nuk e dimë se me çfarë metodologjie të punës zoti Eide do të punojë. Unë besoj se kushdo që të jetë, është në interes të atij që gjithsesi të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë e Kosovës dhe me UNMIK-un".
Zoti Arifi, më pas ka shpjeguar se edhe raporti i të dërguarit të sekretarit Anan do të vlerësohet sërish në Këshillin e Sigurimit, ku do të vlerësohet në bazë të rekomandimeve të bëra, nëse do të fillojë përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës.
Sidoqoftë, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kosova sërish do të përfaqësohet vetëm nga shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, pasi kryeministri Kosumi ka refuzuar ftesën, meqenëse nuk i ishte lejuar të fliste para Këshillit të Sigurimit.



XS
SM
MD
LG