Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI DHE LIDERËT POLITIKË OPOZITARË PAJTOHEN ME VLERËSIMET E GK


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefat e zyrave të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit kanë kërkuar sot nga qeveria dhe opozita e Kosovës, që të punojnë së bashku për ta shfrytëzuar sa më mirë kohën e mbetur për përmbushjen e standardeve. Këto deklarata shefi i zyrës gjermane në Prishtinë, Jurgen Engel, i ka bërë në emër të kolegëve të tij, pas takimeve që ka pasur me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi dhe liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Hashim Thaçi e Veton Surroi. Zoti Engel tha se ky ishte një mesazh i përmbledhur drejtuar si pushtetit, ashtu edhe opozitës:
"Ajo që i themi shqyrtim i thellësishëm i standardeve është shumë afër, ka mbetur shumë pak kohë, prandaj të gjithë duhet të punojmë së bashku dhe ta shfrytëzojmë këtë kohë për të bërë sa më shumë përparim që të jetë e mundur," tha zoti Jurgen Engel, duke paraqitur qëndrimet e Grupit të Kontaktit nga mbledhja e të hënës mbajtur në Londër, ku ndër të tjera Kosova qe kritikuar lidhur me mospërparimin e duhur në standardet që kanë të bëjnë me pakicat.
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, ka falënderuar Grupin e Kontaktit për vlerësimet e bëra:
"Unë fillimisht dua të falënderoj anëtarët e Grupit të Kontaktit për mbledhjen e suksesshme që kanë bërë. Ka qenë një mbledhje e vështirë, e rëndë, por me përfundim të suksesshëm për qëndrimet që kanë miratuar në atë mbledhje dhe për vlerësimin e mirë që kanë dhënë për mbarëvajtjen e procesit në Kosovë".
Sidoqoftë, kryeministri Bajram Kosumi tha se përmbushja e standardeve është synim më vete i Kosovës dhe jo vetëm për të përmbushur kërkesat e ndërkombëtarëve:
"Standardet nuk i marrim si një tabelë ku duhet të ketë pluse e minuse, si diçka që bëhet sot dhe harrohet për një kohë të shkurtër. Standardet paraqesin disa prej vlerave dhe parimeve themelore të demokracisë dhe lirive njerëzore dhe këto vlera ne synojmë t’i perfeksionojmë për një kohë të gjatë".
Në anën tjetër liderët opozitarë kanë mbështetur qëndrimet e Grupit të Kontaktit dhe kanë kërkuar nga qeveria që të bëjë më shumë për të përmbushur kërkesat e Grupit të Kontaktit. Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, e quajti demarsh për qeverinë vlerësimin e Grupit të Kontaktit lidhur me standardet, vetëm pak ditë para shqyrtimit teknik dhe politik të standardeve që do të bëhet të premten në Këshillin e Sigurimit:
"Demarshi i paraqitur sot nga Grupi i Kontaktit për standardet dhe natyrisht të drejtuar te përfaqësia qeverisëse në Kosovë, nuk është i mirëpritur për rrethanat e reja të krijuara. Natyrisht se ne kemi pritur përparim më të madh, por sido që të jetë, përpjekjet e qytetarëve të Kosovës, përpjekjet pozitive të spektrit politik në të ardhmen, do të vlerësohen pozitivisht. Pra edhe përmbushja e standardeve dhe vlerësimi i tyre në aspektin teknik dhe në atë politik".
Zoti Thaçi ka vazhduar të kritikojë pozitën për shkak të, siç ka thënë ai, mospërparimit në fushë të funksionimit të institucioneve demokratike. Ndërkaq, edhe kryetari i partisë Ora, Veton Surroi ka përkrahur vlerësimet e Grupit të Kontaktit:
"Qëndrimi i Orës rreth këtyre pikave ka qenë i përkrahjes. Siç e dini ne e kemi përkrahur publikisht procesin e kthimit dhe të lirisë së lëvizjes të minoriteteve, në këtë rast të serbëve dhe do të vazhdojmë ta përkrahim edhe qeverinë, edhe institucionet e tjera si TMK-ja, që ndihmojnë procesin e kthimit."
Kryetari i partisë së dytë opozitare, Veton Surroi, tha se duhet qartësuar edhe puna e decentralizimit dhe duhet bërë të njohur se me sa komuna do të hyjë Kosova në vitin 2006. Sidoqoftë, që të dyja partitë opozitare kanë premtuar ndihmën e tyre konstruktive për qeverinë, me qëllim të përmbushjes së standardeve të theksuara nga Grupi i Kontaktit.






XS
SM
MD
LG