Ndërlidhjet

SA KUSHTOJNË PILOT PROJEKTET E DECENTRALIZIMIT?


Albana Isufi, Prishtinë

Ministria e Pushtetit Lokal vlerëson se afërsisht 700 – 900 mijë euro do të kushtojë zbatimi i vetëm një njësie të pilot projekteve të decentralizimit në Kosovë. Ndërkohë, pikërisht një vlerësim të tillë rreth kostos së zbatimit të pilot projekteve të decentralizimit, e ka kërkuar në mënyrë urgjente Grupi i Kontaktit.
Këshilltari i ministrit, Dardan Gashi, thotë se vlerësimi fillestar është bërë para disa muajve.
“Vlerësimi është provizor dhe është bërë nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë, nuk është përfundimtar. Vlerësohet se do të kushtojë 700-9000 mijë euro për njësi të pilot projekteve për vit, pra për vitin e parë, por pasi janë projekte pilot, eksperimente, nuk kemi ndonjë shifër të saktë”.
Vlerësimi, sipas Gashit, është bazuar nga përvojat e deritashme në komunat e vogla të Kosovës.
“Ky vlerësim është bërë para disa muajsh dhe është bazuar në përvojat e deritashme të komunave në Kosovë, të madhësive të ngjashme me pilot projekte, përafërsisht 3 komunat që kanë mbi rreth 5 mijë banorë, kështu që vlerësimet janë bazuar në përvojat e mëhershme dhe nuk janë fiktive”, thotë Dardan Gashi.
Por, Ministria e Ekonomisë dhe e Financave, që i ndan mjetet e Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës, nuk di nëse egziston një vlerësim rreth kostos së decentralizmit. Ministri i Ekonomisë dhe i Financave Haki Shatri, thotë se nuk ka parë deri tani ndonjë vlerësim të tillë. Por, ai thotë se qeveria ka mundësi që të përballojë shpenzimet eventuale duke u bazuar në tre lloje burimesh financiare.
“Një pjesë do të mbulohet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, një pjesë do të mbulohet nga komunat, që ndahen në njësi pilot dhe një pjesë do të kërkojmë që të na përkrahin donatorët”.
Ndërkaq, drejtori i Buxhetit të Kosovës Agim Krasniqi, shpjegon se zbatimi i projektit të decentralizimit do të kërkojë mjete shtesë, përveç atyre që mund të ndahen nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.
“Për arsye se do të krijohet një administratë, mund të jetë çështja edhe e kategorive e nevojave të tjera, vendosja në objektin e ri e çështjet e tjera që mund të ketë shpenzime shtesë, të shikohet brenda buxhetit aktual, por ende nuk kemi mund të themi një qasje, ndoshta deri diku të saktë, se sa do të mund të kushtonte kjo pjesa shtesë e mjeteve që mund të nevojitet për këto pilot projekte”.
Ndërkohë, një raport i paralajmërimit të hershëm përpiluar nga Instituti Riinvesti, tërheq vërejtjen se mjetet shtesë që do të nevojiten për njësitë e reja komunale, do të bien ndesh me rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare, përkitazi me nevojën e zvogëlimit të konsumit buxhetor dhe punësimit të ri në agjencitë qeveritare.



XS
SM
MD
LG