Ndërlidhjet

DANIEL SERWER: AMERIKANËT JANË PËRBËRËS ESENCIAL PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS


"Mendoj se historia e suksesit në Ballkan është histori e Shteteve të Bashkuara dhe e Bashkimit Evropian duke punuar se bashku në tandem. Në mënyrë të barabartë. Mendoj se do të ishte më mirë që të vazhdoj kjo mënyrë", thotë analisti Daniel Serwer, nga Instituti Për Paqe i SHBA-ve, me seli në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Dëshiroj t'ju pyes lidhur me fjalimin e fundit të nënsekretarit amerikan të shtetit, Nicholas Burns, gjatë një seance dëgjimi në një Komitet të Kongresit. Pra, si e komentoni ju qëndrimin e tij se "viti 2005 është vit vendimtar për Kosovën"?

DANIEL SERWER
Mendoj se do të ishte gjë shumë e mirë nëse është e vërtetë. Mendoj se do të jetë vështirë për ta kompletuar procesin në vitin 2005. Por, unë do të isha i lumtur nëse ky proces do të kompletohej në këtë kohë vitin e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, a mund të kuptohet kjo si sinjal se administrata e Shteteve të Bashkuara do të udhëheq në këtë proces kah statusi final i Kosovës?

DANIEL SERWER
Jo, frikësohem se nuk do ta udhëheqin sepse Shtetet e Bashkuara e kanë bërë shumë të qartë se dëshirojnë që emisari i lartë të jetë evropian. Pra, frikësohem se Shtetet e Bashkuara nuk janë të përgatitura për të udhëhequr dhe konsideroj se ky është problem.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse mendoni se është problem?

DANIEL SERWER
Mendoj se historia e suksesit në Ballkan është histori e Shteteve të Bashkuara dhe e Bashkimit Evropian duke punuar se bashku në tandem. Në mënyrë të barabartë. Mendoj se do të ishte më mirë që të vazhdoj kjo mënyrë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeamdinistratori i Kosovës, Petersen ka thënë se angazhimi amerikan në çështjen e Kosovës paraqet "mesazh të fuqishëm për rajon dhe kjo do të ndihmoj shumë". Në ç'mënyrë mendoni se kjo do të ndihmoj?

DANIEL SERWER
Mendoj se kjo është e drejtë. Kjo dërgon mesazh të fuqishëm dhe pozitiv në rajon. Mendoj se amerikanët janë përbërës esencial për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Mendoj, poashtu, se kjo është esenciale edhe nga perspektiva serbe. Pra, është shumë e rëndësishme që amerikanët të jenë të angazhuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Para një jave, ju, poashtu, dëshmuat para një Komiteti të Kongresit amerikan, gjatë diskutimit për Kosovën. Me këtë rast thatë se "përderisa anëtarësimi i Kosovës në BE është relativisht i qartë, çështja që shtrohet është: si të arrihet atje?". A mund të na e shpjegoni këtë ide?

DANIEL SERWER
Sot Kosova është protektorat i Kombeve të Bashkuara. Një ditë në të ardhmen, do të jetë anëtare e BE-së dhe ju duhet të filloni të mendoni se çfarë rruge duhet marrë për të arritur atje. Kur të bëhet anëtare e BE-së duhet të jetë shtet sovran ose pjesë e shtetit sovran. Pikëpamja ime do të ishte se është vështirë të imagjinohet se do të jetë pjesë e Serbisë. Në këtë pikë, Serbia për 10 vite do të duhej të ishte në Bashkimin Evropian. Pra, mendoj se Kosova, përfundimisht, do të jetë shtet sovran. Mendoj se atje do të arrijë duke e përfunduar protektoratin e Kombeve të Bashkuara dhe duke pasur një regjim me sovranitet të kufizuar, pasi kosovarët dëshirojnë që Natoja të mbetet, ata dëshirojnë monitorimin e policisë së tyre dhe ndihmë ndërkombëtare për sistemin gjyqësor. Pra, të gjitha këto janë aspekte të sovranitetit të kufizuar. Pra, në fund të fundit, do të imagjinoja se Kosova do ta qeverisë vetveten në mënyrë të plotë dhe pastaj, do të bëjë negociata për hyrjen e saj në BE.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë për Kosovën do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit. Kuptohet në fokus do të jenë të arriturat në fushën e standardeve. Si e vlerësoni ju, në këtë moment, arritjen e standardeve në disa fusha?

DANIEL SERWER
Mendoj se është bërë progres domethënës në shumë fusha, por ende ka shumë punë për tu bërë. Kjo punë që ka mbetur, e që është e një rëndësie të veçantë, ka të bëjë me trajtimin e serbëve dhe të pakicave të tjera. Në këtë aspekt, askush nuk do të duhej të pretendonte se trajtimi i serbëve në Kosovë është plotësisht korrekt. Shumë njerëz nuk mund të shkojnë në shtëpitë e tyre. Dhuna e menjëhershme kundër serbëve është ndalur tash e disa muaj, por ka rrezik të vazhdueshëm. Mendoj se është shumë me rëndësi që kosovarët ta kuptojnë se përsëritja e ngjarjeve të marsit të vitit të kaluar vetëm se do ta ngadalësoj procesin e statusit final. Në fakt, unë besoj se sikur të mos kishin ndodhur ngjarjet e marsit 2004, tashmë Kosova do ti kishte bërë disa hapa të parë drejt statusit.

INTERVISTOI FATMIR BUJUPI
XS
SM
MD
LG