Ndërlidhjet

TË DJELËN NË FRANCË VOTOHET PËR KUSHTETUTËN E RE TË BE-SË


Breffni O'Rourke

Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Evropën Qëndrore dhe Lindore u shënua në një atmosferë triumfale para një viti. Por efekti i vërtetë i këtij zgjerimi do të shihet më qartë gjatë kësaj fundjave, kur francezët do të vendosin me referendum, nëse do ta aprovojnë kushtetutën e re të BE-së. Kjo familje u zgjerua me 10 anëtarë të rinj, pjesa më e madhe e të cilëve kanë standarte ekonomike larg atyre që kanë vendet fqinje në Evropën Perëndimore. Në Francë, ku aktualisht është duke u zhvilluar fushata për referendumin, grupet që bëjnë thirrje për të votuar kundër janë shumëfishuar. Të gjithë këmbëngulin se kushtetuta e re është ultra-liberale në aspektin ekonomik dhe se si e tillë, do të dëmtonte mirëqenien e Francës. Philippe Moreau de Farge, nga Instituti francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare, sqaron se ka një arsye bazë përse francezët nuk kanë qenë kurrë dakord me zgjerimin e Bashkimit Evropian:
"Zgjerimi në fakt nuk është pranuar nga populli. Është e qartë që shumë francezë nuk janë të kënaqur me këtë zgjerim dhe e konsiderojnë atë si të imponuar, të diktuar dhe jo si një zgjedhje të lirë të Evropës Perëndimore, e veçanërisht të Francës", thotë zoti Moreau de Farge.
Sipas sondazheve, numri i atyre që do të votojnë kundër është shumë më i madh, ndonëse çdo gjë mbetet në duart e votuesve ende të pavendosur.
Nga ana tjetër edhe në Hollandë ka shumë faktorë që mund të sjellin rrëzimin e kushtetutës, të mërkurën e ardhshme. Dick Leurdyk, studiues në Institutin hollandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare shpjegon arsyet:
"Të gjithë na kanë konsideruar si mbështetës të fuqishëm të procesit për unifikimin e Evropës. Kështu e kemi parë edhe ne veten. Dhe tani kur duhej të jepnim provën me votën për kushtetutën, duket se ky mendim po ndryshon. Duhet të pranoj se edhe unë jam paksa i habitur", thotë zoti Leurdyk. Sipas tij arsyet që mund të shkaktojnë kundërshtimin e kushtetutës janë nga më të ndryshmet; dhe ato radhiten nga frika e hollandezëve se mos humbin identitetin, e deri tek frika nga vërshimi i emigracionit nëse Turqia pranohet në Bashkimin Evropian.
Por ç'do të ndodhë vërtet nëse Franca dhe Hollanda e refuzojnë traktatin kushtetues? Zyrtarët francezë kanë paralajmëruar situatë dramatike, deri në paralizimin e 25 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithatë këto deklarata duken të egzagjeruara.
Bashkimi Evropian ka kaluar me sukses edhe sfida të tjera, por në këtë rast do t'i zbehej roli politik në arenën ndërkombëtare, ndërkaq zgjerimi i mëtejshëm me vendet lindore do të vihej në dyshim. Markus Vahl, analist politik në Qendrën për Studime Politike në Evropë, shpjegon ndikimin që mund të ketë vota kundër në Francë dhe në Hollandë.
"Në rast se nuk aprovohet kushtetuta, do të ketë përpjekje për të miratuar të paktën disa pjesë të saj, veçanërisht në kuadër të funksionit që ushtron një Ministër i Punëve të Jashtme. Në këtë rast, ndoshta mund të ketë edhe përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje të re, që nuk do të kërkonte ratifikim ose votim", thotë zoti Vahl.
Por zyrtarë të BE-së kanë thënë se nuk kanë asnjë plan rezervë nëse kushtetuta dështon. Në këtë rast, zoti Vahl, propozon një referendum të dytë në vendet, në të cilat i pari nuk do të ketë sukses. Një metodë e tillë ka sjellë rezultate pozitive në Irlandë dhe në Danimarkë në miratimin e marrëveshjeve të ndryshme, Por kjo metodë nga kritikët vlerësohet si një detyrim për të votuar derisa të arrihet përgjigja që kërkohet. Kushtetuta e re e Bashkimit Evropian mund të hyjë në fuqi vetëm në rast se aprovohet nga të gjithë vendet anëtare.
XS
SM
MD
LG