Ndërlidhjet

logo-print

DUKURIA E BRAKTISJES SË SHKOLLIMIT TË VAJZAVE, MË E PËRHAPUR NË KOMUNAT E VARFËRA


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Varfëria në Kosovë është një prej faktorëve kryesorë që kanë ndikuar në mosshkollimin e femrave. Lylavere Kadriu, zyrtare për çështje gjinore në Ministrinë e Arsimit, thotë se braktisja e shkollës nga femrat gjatë këtij viti, arrin në nivelin prej 1.3 përqind. Sipas zonjës Kadriu, një fenomen i tillë është më i pranishëm në komunat e banuara me popullatë të varfër.
" Ministria e Arsimit sapo ka mbledhur të dhënat e fundit për të gjitha nivelet, sidomos për arsimin fillor dhe të mesëm sa i përket braktisjes së shkollës nga nxënësit. Këto të dhëna janë përpunuar dhe gjendja është që 1.4 përqind janë meshkuj dhe 1.3 janë femra."
Por Sevdije Ahmeti, udhëheqëse e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve jep të dhëna të tjera. Ajo thotë se në bazë të një hulumtimi që ka bërë kjo qendër, është konstatuar se braktisja e shkollës arrin në nivelin prej 13 përqind.
" Prej këtyre rezultateve nga të anketuarit, 11.45 përqind deklarojnë se nuk kanë fare shkollim, domethënë nuk dinë as shkrim as lexim, kurse 2.51 përqind të grave kanë një klasë fillore që kanë mbaruar edhe shkrimin edhe leximin."
Në mesin e kësaj përqindjeje, qoftë në atë Ministrisë së Arsimit, apo atë të Qendrës për mbrojtjen e fëmijëve, është edhe Blerta Avdiu, 13 vjeçare nga një fshat në afërsi të Prishtinës. Prindërit e Blertës, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe largësisë së shkollës, janë detyruar t'ia ndërpresin shkollimin, pasi ka mbaruar vetëm klasën e parë. Vetë Blerta, e cila tani duhet të ishte në klasën e gjashtë, nuk ka shumë dëshirë të flasë për shkollën, në të cilën ka shkuar vetëm një vit.
"Nuk kam patur kushte, nuk kam patur para që të shkoj të blej librat për shkollë, por kam dëshirë shumë që të shkojë në shkollë. E kam patur shkollën shumë larg. Tani ndihmoj nënën në punët e shtëpisë."
Zonja Ahmeti thotë se përqindja e femrave që nuk shkollohen mund të jetë edhe më e lartë, meqë të dhënat e sakta nuk mund të dihen pa një regjistrim të popullatës, e veçanërisht të fëmijëve.
" Nuk e di Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në Kosovë, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, përfshirë Ministrinë e Punëve Publike, a janë të vetëdijshëm se ne edhe më tutje i kemi të paregjistruar fëmijët kosovarë".
Zonja Kadriu në këtë kuadër thotë:
"Këto janë shifra të cilat organizatat e ndryshme mund t'i përdorin dhe shfrytëzojnë për përfitime të ndryshme".
Sidoqoftë në Kuvendin e Kosovës tashmë është miratuar ligji për arsimin fillor dhe të mesëm, në bazë të të cilit, prindërit janë të detyruar t'i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollim dhe për ata të cilët nuk e përmbushin këtë detyrim, pasojnë edhe ndëshkimet. Por prindërit që detyrohen t'i largojnë fëmijët nga shkolla për shkaqe ekonomike, thonë se janë edhe institucionet ato që duhet të sigurojnë kushtet minimale për të mundësuar shkollimin e fëmijëve.

XS
SM
MD
LG