Ndërlidhjet

logo-print

TEATRI BËN SHFAQJE QË NXISIN DEBATE POLITIKE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Teatri Alternativ i Kosovës, i cili funksionon në kuadër të Institutit për Dramë, Film dhe Koreografi, përmes artit skenik ka bërë dhe po bën përpjekje që të ndikojë në ngritjen e debateve për problemet e caktuara në shoqërinë kosovare të pasluftës, si dhe të pasqyrojë ato probleme, thotë aktori Avni Dalipi, menaxher i këtij instituti.
"Ne krijojmë shfaqje të tilla, të cilat me temat që shtjellojnë nxisin debate të caktuara, ose më mirë të themi hapin tema, rreth të cilave mund të diskutohet për mënyrat e ndryshme të mundshme për zgjidhjen e problemeve të caktuara".
Instituti për Dramë, Film dhe Koreografi, siç thotë zoti Dalipi, në kuadër të projekteve të veta përmes Teatrit Alternativ të Kosovës, ka realizuar shfaqje për fëmijë dhe të rritur. Sipas tij shfaqja "Një jetë më e mirë për të gjithë", e dedikuar në radhë të parë për fëmijët, ka trajtuar problemin e të kuptuarit të standardeve.
"Përmes fëmijëve, përmes pjesëmarrjes në këtë shfaqje të fëmijëve, kemi ngulur këmbë që në mënyrë jo të drejtpërdrejtë të ndikojmë tek opinioni jonë, tek shoqëria, tek prindërit e tyre mbi këto probleme, që janë quajtur me një emër si standarde. Kjo bëhet, sepse në të shumtën e rasteve, nënkuptohet se standardet janë diçka që na është imponuar, diçka abstrakte dhe e pakapshme. Ndërsa ne kemi dëshirë që të themi se standardet janë diçka e kapshme, diçka konkrete, diçka që ndikon në krijimin e kushteve dhe respektimin sa më të mirë të të drejtave të njeriut dhe të fëmijëve, që nënkuptojnë një jetë më të mirë për të gjithë ne."
Sipas zotit Dalipi edhe vetë fëmijët janë pjesëmarrës aktivë në këtë shfaqje.
" Pas aktit të parë, vetë fëmijët janë pjesëmarrës në një skenë se si ata e mendojnë se duhet ndryshuar ajo që nuk është e mirë".
Ndërkaq "Drama kosovar" e autorit Aqif Mulliqi, e cila është realizuar nga ky teatër, sipas zotit Dalipi, po ashtu futet në funksion të shqyrtimit të problemeve të cilat kanë lindur nga lufta.
"Ky është një tekst, i cili ka të bëjë me luftën e fundit në Kosovë. Si zakonisht në luftë gjithmonë egzistojnë dy palë dhe ne përmes shfaqjeve tona nxjerrim probleme të caktuara, të cilat nxisin debatin për mënyrat e ndryshme të tejkalimit të këtyre problemeve", thotë zoti Dalipi.
Teatri Alternativ i Kosovës, me "Dramën kosovare", sipas zotit Dalipi, është ftuar që të marrë pjesë edhe në një festival në Portugali, si dhe në festivalin Blue Elephant Theatre të Londrës, ku këtë vit temat e shfaqjeve janë për teatrin dhe politikën.
XS
SM
MD
LG