Ndërlidhjet

THAÇI: KABINETI I QEVERISJES SË MIRË NUK ËSHTË KABINET PARALEL ME QEVERINË AKTUALE


Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi a mund të na thoni se cili është roli i kabinetit për qeverisje të mirë që e keni formuar në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës?

HASHIM THAÇI
Roli i kabinetit të qeverisjes së mirë do të jetë zbatimi i programit politik të PDK-së dhe në angazhimet e veta, kabineti i qeverisjes së mirë, si bazë ka vizionin për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Në të njëjtën kohë kabineti i qeverisjes së mirë përbëhet prej deputetëve më të mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, prej ekspertëve të saj, prej njerëzve të botës akademike, shoqërisë civile dhe të biznesit kosovar. Pra kemi të bëjmë me një qeverisje të mirë nga njerëz të botës së politikës, të botës akademike, dhe ekspertëve të pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është qëllimi juaj konkret dhe cila do të jetë forma e veprimit?

HASHIM THAÇI
Qëllimi i PDK-së është formësimi i plotë i vizionit për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran, zbatimi i standardeve, ushtrimi i autoritetit për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve, respektimi i ligjit, lufta pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimi i pushtetit lokal, fillimi i zbatimit të kontratës kolektive, zhbllokimi i fondeve të privatizimit dhe përdorimi i tyre për zhvillimin e Kosovës, bashkëpunimi me vendet fqinje, por mbi të gjitha do të jetë fuqizimi i angazhimeve tona për ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës dhe arritjen në nivel të duhur të mirëqënies sociale të qytetarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila do të jetë forma e veprimit në mënyrë që të realizohen këto qëllimet tuaja?

HASHIM THAÇI
Forma e veprimit të kabinetit të qeverisjes së mirë është duke u përcaktuar me rregullore të veçantë të punës. Do të ketë takime të rregullta javore, në të cilat do të marrin pjesë të gjithë drejtuesit e 14 departamenteve. Natyrisht secili do të ketë përgjegjësitë e veta të ndara. Do të kemi prezantim të ideve, objektivave dhe alternativave të reja për proceset aktuale politike dhe qeverisëse në Kosovë, në prezantimin e ideve më të mira dhe në zbatimin e tyre nga institucionet aktuale, brenda mundësive aty ku i kemi këto mundësi. Në të njëjtën kohë do të kemi edhe angazhimet tona në reagimet për eleminimin e dobësive, lëshimeve dhe deformimeve në kuadër të qeverisë aktuale, por edhe në veçanti të ngritjes së zërit për mosrespektimin e ligjit nga qeveria aktuale dhe thjesht lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, e natyrisht angazhime të tjera shtesë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, në media, por edhe në qarqe të ndryshme ky mekanizëm është quajtur qoftë qeveri në hije, qoftë qeveri paralele. Cili është shpjegimi juaj?

HASHIM THAÇI
Partia Demokratike e Kosovës sot ka formuar kabinetin e qeverisjes së mirë, që do ta lerë në hije qeverinë aktuale me ide dhe projekte, ndërsa kabineti i qeverisjes së mirë nuk do të jetë kabinet paralel me qeverinë aktuale, por do të jetë kabinet i qeverisjes së mirë, që do të përballet me ide, projekte dhe sfida të reja përballë kabinetit të qeverisjes së keqe Kosumit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të përballeni me qeverinë aktuale të Kosovës? Cila do të jetë fuqia juaj në raport me qeverinë?

HASHIM THAÇI
Kontaktet do të jenë në nivel të kabineteve qeveritare. Natyrisht ne do të shikojmë që të gjejmë të gjitha pikat e mundura të kontakteve, por edhe të bashkëpunimit që lidhen me interesat madhore të vendit dhe qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat pritni që të jenë efektet dhe pasojat e mundshme të kabinetit të qeverisjes së mirë në raport me rrjedhat politike në Kosovë?

HASHIM THAÇI
Fillimisht dua të theksoj se ky projekt i PDK-së është krejt diçka e re për Kosovën dhe për qytetarët e saj. Por besoj se qytetarët do ta kuptojnë drejt riorganizimin dhe natyrisht përshtatjen në rrethanat e reja demokratike me ide të reja. Kështu që ky projekt është duke u praktikuar për herë të parë në Kosovë dhe rajon, por është një projekt që është praktikuar në vendet perëndimore dhe në disa vende të tjera të Evropës Lindore që është treguar i suksesshëm. Është një projekt që do të sjellë rezultate dhe emancipim të jetës institucionale në Kosovë.

Intervistoi Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG