Ndërlidhjet

logo-print

PARTITË MOHOJNË TË KENË STRUKTURA TË KUNDËRZBULIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Partitë politike në Kosovë e vlerësojnë pozitivisht raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i cili i referohet gjendjes në Kosovë pas shkuarjes në Hagë të ish-kryeministrit Haradinaj. Raporti i Grupit të Krizave megjithatë fokusohet mjaft dhe në egzistimin e disa strukturave partiake të ngjashme me shërbimet sekrete, të cilat sipas këtij raporti rrezikojnë shumë proceset dhe të ardhmen e Kosovës. Ndërsa në Lidhjen Demokratike të Kosovës, zyrtarët e saj nuk kanë pranuar të prononcohen, dy partitë tjera më të mëdha në Kosovë thonë se egzistimi i shërbimeve sekrete apo atyre të inteligjencës, vjen si pasojë e mungesës së një strukture të vetme legale në Kosovë. Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Avdiu thotë se PDK-ja e vlerëson mjaft pozitivisht raportin e ICG-së. Avdiu megjithatë thotë se PDK-ja nuk ka struktura të atilla që do të identifikoheshin me ato të inteligjencës apo shërbimeve sekrete, ndërkaq nuk e përjashton mundësinë që të gjitha partitë të kenë disa struktura të tjera të ngjashme:
"Është shumë evidente që shërbime apo struktura të tilla egzistojnë në Kosovë dhe ato egzistojnë dhe për faktin se deri më tani pas përfundimit të luftës, ka munguar edhe nisma edhe vullneti i strukturave ndërkombëtare veçanërisht që të ndërtojnë një strukturë të mirëfilltë të shërbimit të inteligjencës, e cila do të ishte gjithmonë si një rojë kundër zhvillimit dhe përhapjes së krimit të organizuar në Kosovë”, tha Avdiu.
Në anën tjetër zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ernest Luma, përveç se e vlerëson pozitivisht raportin e Grupit të Krizave, mendon se raporti ka mundur t’i identifikojë me emër strukturat partiake që në Kosovë njihen si shërbime sekrete:
“Jo reflektimi pozitiv të prezencës së strukturave eventuale informative të partive të ndryshme politike është ndoshta deri diku real nga ana e Grupit të Krizave, por nuk mund të them që është edhe një rrezik potencial, përderisa ato nuk verifikohen apo nuk qartësohen saktësisht se cilat janë, si veprojnë. Natyrisht që nëse ato veprojnë, atëherë edhe vetë bashkësia ndërkombëtare e cila është e akredituar dhe vepron në Kosovë duhet të jetë në dijeni për veprimtarinë e tyre”, tha Luma.
Ndërkohë që raporti i ICG-së përmend dy partitë më të mëdha LDK-në dhe PDK-në, të cilat thuhet se posedojnë shërbime sekrete të inteligjencës, për çka zyrtarët e LDK-së nuk pranojnë të flasin, kurse ata të PDK-së thonë se në partinë e tyre nuk ka një strukturë të tillë të organizuar:
“PDK-ja nuk ka ndonjë strukturë të tillë që funksionon në kuadër të partisë. Por, jo rrallë ka, do të thotë struktura të atilla, që vërtetë përpiqen të ndërtojnë dhe konstruktime të ndryshme lidhur me kundërshtarët apo edhe me oponentët politikë”, tha Ramadan Avdiu.
Raporti i Grupit të Krizave thotë se edhe administrata e UNMIK-ut i ka përdorur shpesh si burime të vetat shërbimet e këtyre strukturave hetuese apo të inteligjencës. Mirëpo edhe në administratën e UNMIK-ut, zyrtarët e saj sot kanë refuzuar të flasin.



XS
SM
MD
LG