Ndërlidhjet

JESSEN-PETERSEN THEKSON PROGRESIN NË KOSOVË DHE REKOMANDON VLERËSIMIN E STANDARDEVE


Robert MCMAHON

Kreu i administratës ndërkombëtare në Kosovë Soren Jessen-Petersen, ka rekomanduar që këtë verë të bëhet vlerësimi, i cili do ta hapte procesin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës.
Jessen-Petersen i tha Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës kanë bërë progres të qartë drejt vendosjes së një demokracie shumëetnike.
Por përfaqësuesi i Beogradit e cilësoi raportin si jo të barazpeshuar, dhe tha se pakica serbe në Kosovë ende përballet me probleme të sigurisë.
Raporti i fundit në Këshillin e Sigurimit thotë se shqiptarët e Kosovës ende nuk i kanë zbatuar plotësisht reformat e caktuara.
Por shefi i administratës ndërkombëtare, Soren Jessen-Petersen, i tha Këshillit se udhëheqësit shqiptarë të Kosovës kanë bërë progres të gjerë. Ai i theksoi përmirësimet në lirinë e lëvizjes së pakicave, forcimin e institucioneve dhe pjekurinë e ambjentit politik në Prishtinë.
Jessen-Petersen tha se zyrtarët në Prishtinë shfaqin përkushtim për t'i zbatuar reformat kyçe.
"Ne ndjejmë se autoritetet në Kosovë dhe sidomos qytetarët, e kanë kuptuar nevojën e zbatimit të standardeve, dhe kanë bërë përpjekje që t'i plotësojnë të drejtat e pakicave", tha Jessen-Petersen.
Shefi i UNMIK-ut gjithashtu shprehu shqetësime se numri i të kthyerve nga radhët e minoriteteve është i vogël.
Së shpejti, Sekretari i Përgjithshëm i OKB Kofi Annan, pritet të emërojë një të dërguar special për Kosovën, i cili do ta bëjë vlerësimin gjithëpërfshirës të reformave në Kosovë. Nëse do të jetë pozitiv, atëherë nga fundi i vitit vlerësimi mund të çojë në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës.
Jessen-Petersen tha se zgjidhja e statusit të Kosovës do ta përmirësonte kthimin, lirinë e lëvizjes dhe perspektivat e ekonomisë. Ai gjithashtu tha se kjo do do ta përshpejtonte integrimin rajonal.
"Janë disa kufizime të qarta kur është fjala për rezultatet e integrimit rajonal, i cili nuk mund të arrihet me pasigurinë rreth statusit. Nëse statusi mbetet pezull, do të vonohet integrimi rajonal, i cili i prek interesat e të gjithëve, përfshirë Beogradit, Podgoricës, Shkupit dhe Tiranës. Në takimet e mia me partnerët e rajonit, është shprehur një interes i fuqishëm për të parë zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës", tha Jessen-Petersen.
Ndërkaq përfaqësuesi i Beogradit Nebojsha Çoviq, i tha Këshillit të Sigurimit se raporti i Kombeve të Bashkuara mbi progresin e bërë në Kosovë paraqet shtrembërim të realitetit, me të cilin përballen serbët e Kosovës. Çoviq tha se kushtet e sigurisë për pakicat mbeten të pakënaqshme, dhe theksoi se rruga më e mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës është dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit shprehën optimizëm të përmbajtur për progresin e arritur në Kosovë, dhe i miratuan rekomandimet për rishikimin gjithëpërfshirës të gjendjes.
Ambasadori i Greqisë Adamantios Vassilakis tha se barra për reformat do të bjerë mbi supet e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës.
"Shpresa jonë është që Kosova një ditë të bëhet pjesëtare e barabartë e stabilitetit në rajon, dhe pjesë integrale e familjes së zgjeruar evropiane. Prandaj, kërkohet zbatimi i të gjitha qëllimeve në planin e standardeve", tha Vassilakis.
Pritet që Kofi Annan ta emërojë diplomatin norvegjez Kai Aide si të dërguarin e tij, i cili këtë verë do të bëjë vlerësimin gjithëpërfshirës të standardeve në Kosovë.

XS
SM
MD
LG