Ndërlidhjet

QEVERIA VLERËSON LART RAPORTIN E PETERSENIT PARA KS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës mendon se mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurimit dhe vlerësimet që janë bërë aty, i kanë shpërblyer përpjekjet e deritashme të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, ndërkohë që përcaktimi për një të dërguar të posaçëm, që do të bëjë vlerësimin gjithëpërfshirës të standardeve, të shtyn të mendosh se po afrohet përcaktimi i statusit të Kosovës, tha zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Daut Daut. Në një prononcim për Evropën e Lirë, zoti Dauti tha se një paraqitje çfarë ishte ajo e shefit të UNMIK-ut Soren Jessen Petersen dhe e anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit kryesisht është pritur nga qeveria e Kosovës:
"Në qeverinë e Kosovës dhe në të gjitha institucionet është bërë një aktivitet jashtëzakonisht i madh dhe siç duket kjo është shpërblyer mirë, pasi që sot ka pasur një vlerësim të denjë nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit".
Zoti Dauti ka vlerësuar edhe diskutimet e një pjese të madhe të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, të cilët kanë mbështetur përcaktimin e Sekretarit të Përgjithshëm të KB, Kofi Annan që të emërohet një i dërguar i posaçëm, i cili gjatë verës do të bëjë vlerësimin gjithëpërfshirës të përmbushjes së standardeve:
"Ne këtë e vlerësojmë si një hap pozitiv, që ka një domethënie tjetër, pra një domethënie, e cila të shtyn të mendosh se çështja e statusit të Kosovës gjithnjë e më shumë po konsiderohet seriozisht dhe gjithnjë e më shpejt kërkon një zgjidhje më të mirë".
Daut Dauti, zëdhënësi i kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi, i cili nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit, meqë nuk i qe lejuar të fliste, tha se duhen marrë me kujdes edhe vlerësimet, se mbetet ende shumë punë për t’u bërë për vlerësimin e standardeve:
"Disa nga standardet nuk janë për t’u përmbushur deri në këtë kohë apo për disa muaj. Disa nga standardet kërkojnë një kohë më të gjatë, disa muaj, apo edhe më shumë".
Mirëpo, tha zëdhënësi Dauti, shumica e standardeve që kanë qenë të prekshme dhe në të cilat ka mundur të bëhet ndonjë aktivitet, kryesisht është treguar rezultat i mirë.
Edhe institucionet e tjera të Kosovës që më herët e kanë vlerësuar të rëndësishëm emërimin e një të dërguari të posaçëm të sekretarit Annan për vlerësimin e thellësishëm të standardeve, që ka qenë edhe detyra kryesore e mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurimit, ku është bërë vlerësim pozitiv teknik dhe politik i përmbushjes së standardeve. Sipas paralajmërimeve të zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, pritet që i dërguari i posaçëm ta hartojë raportine tij brenda tetë javësh dhe në rast të vlerësimit pozitiv, atëherë do të hapej rruga për fillimin e përcaktimit të statusit përfundimtar në vjeshtë.

XS
SM
MD
LG