Ndërlidhjet

MALOKU: STANDARDET S'KANË NDONJË FILLIM DHE FUND, JANË PROCES I VAZHDUESHËM


Naim Maloku, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës (AAK)

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, si i vlerësoni punimet e fundit në Këshillin e Sigurimit për Kosovën, ku është vendosur që në Kosovë të dërgohet një i dërguar i posaçëm i zotit Anan, për të bërë vlerësimin e gjithanshëm të standardeve?

NAIM MALOKU
Më së pari jam personalisht i kënaqur dhe duhet të jemi të kënaqur që procesi i vlerësimit të standardeve ka shkuar ashtu siç ka qenë e paraparë, pavarësisht të gjitha tronditjeve që i patëm me ish kryeministrin Haradinaj dhe me qeverinë e re që u desh të votohej. Pra nuk ka patur shmangie nga procesi, në të cilin pati hyrë Kosova. Normalisht, nga kjo mbledhje e Këshillit të Sigurimit është pritur që të dërgohet një i dërguar i posaçëm, i cili do të bëjë vlerësimin e standardeve këtu në Kosovë dhe pastaj do t'i raportojë Këshillit të Sigurimit dhe zotit Kofi Anan, përmbushjen e standardeve në Kosovë dhe proceset në të cilat ka hyrë Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar se raporti i këtij përfaqësuesi do të jetë i vlefshëm dhe për të hapur, kushtimisht thënë, fazën tjetër, atë të bisedimeve rreth statusit të Kosovës. Sa konsideroni se Kosova ka arritur një përparim të dukshëm që do t'i mundësonte asaj hapjen e diskutimeve për statusin e saj?

NAIM MALOKU
Ne presim që sipas trendeve, të cilat po zhvillohen në Kosovë dhe procesit, që po avancon në vend çdo ditë e më tepër, që edhe pas tre muajve, gjatë këtij mandati që e ka zoti Eide në Kosovë, do të jepet një raport pozitiv për proceset në Kosovë. Standardet nuk kanë ndonjë fillim dhe fund, janë proces i vazhdueshëm. Por me rëndësi është që Kosova të fitojë vlerësim pozitiv për proceset në Këshillin e Sigurimit, në mënyrë që të fillojë procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar dhe të mos vonohet. Ne presim që nga shtatori do të shkojë gjithshka në rregull dhe në shtator të fillojë procesi i zgjidhjes së statusit përfundimtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, në Prishtinë është paralajmëruar të formohet edhe një trup i përbashkët politik i quajtur forum politik kosovar. Çfarë konsideroni se do të jetë përgjegjësia e këtij forumi në lidhje me proceset e ardhshme në Kosovë?

NAIM MALOKU
Mendoj se aty do të debatohet për të gjitha çështjet më të rëndësishme për proceset në Kosovë, prej procesit të reformimit të pushtetit lokal, për të cilat ka mosmarrëveshje dhe mungesë harmonie brenda grupeve parlamentare. Forumi do të jetë një vend ku do debatohet dhe do të bëhet harmonizimi në masën më të madhe i qëndrimeve, në mënyrë që ta kenë më të lehtë parlamenti dhe qeveria. Procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës është një proces i vështirë dhe aty duhet të harmonizohen çështjet, normalisht edhe standardet. Aty ku eventualisht ka ngecje, për atë do të debatohet dhe eventualisht do të arrihet konsensusi maksimal mes pozitës dhe opozitës. Kështu e shoh rëndësinë e një forumi të tillë. Nuk do të zëvendësojë parlamentin dhe qeverinë, mirëpo do të jetë një forum ku do të arrihet konsensusi mes partive më të mëdha politike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
A konsideroni se ky forum mund të shihet dhe zanafillë e delegacionit kosovar, domethënë krijimit të një trupi kosovar përfaqësues në diskutimet rreth statusit të saj?

NAIM MALOKU
Jo. Forumi nuk do të jetë delegacion për statusin përfundimtar. Në forum do të debatohet dhe do të miratohet strategjia e punëve që duhet të përmbushë grupi, i cili do të përfaqësojë Kosovën. Ajo strategji i procedohet qeverisë dhe parlamentit për miratim dhe normalisht grupin e caktojnë institucionet e Kosovës: qeveria, parlamenti dhe instanca të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Kuvendi i Kosovës ka debatuar në lidhje me decentralizimin dhe pritet që kjo çështje të kthehet sërisht. Cilat konsideroni se do të jenë rekomandimet e fundit që do të japë parlamenti i qeverisë së Kosovës, sidomos në lidhje me pesë pilot projektet e propozuara?

NAIM MALOKU
Vlerësimet dhe vërejtjet janë dhënë në debatin që është mbajtur për proceset e reformimit të pushtetit lokal. Qeverisë i është proceduar stenogrami i debatit nga debati i gjerë ku kanë marrë pjesë shumica e deputetëve të parlamentit të Kosovës. Qeveria do t'i nxjerrë të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet që i janë dhënë parlamentit të Kosovës, do të plotësojë programin e reformimit të pushtetit lokal, dhe ashtu të plotësuar me vërejtje t'i kthehet parlamentit të Kosovës. Por mendoj se kjo nuk do të ndalojë procesin e reformimit të pushtetit lokal. Kjo sepse çdo diskutant dhe çdo grup parlamentar, secili deputet e ka thënë qartë se e përkrahin procesin e reformimit të pushtetit lokal. Me padyshim i tërë parlamenti i ka dhënë dritë të gjelbër reformimit të pushtetit lokal. Vërejtjet për programin e qeverisë janë dhënë dhe do të përfshihen në program.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG