Ndërlidhjet

logo-print

PAS REFERENDUMIT NË FRANCË, EVROPA SIKUR KA NDRYSHUAR PËRGJITHMONË


Breffni O'Rourke

Franca i tha JO Kushtetutës së Bashkimit Evropian.
Ky rezultat shkaktoi valë tronditëse dhe vazhdon të dredhë mbarë Evropën.
Një gjë është e qartë. Prej të dielës, gjërat më nuk do të jenë siç kanë qenë, dhe duket sikur Evropa ka ndryshuar përgjithmonë.
Në mesin e politikave, të cilat tash janë vënë në dyshim, është zgjerimi i BE-së drejt lindjes, e sidomos pranimi i Turqisë.
Franca, njëra nga vendet themeluese të Bashkimit Europian dhe një shtyllë e integrimit europian, ka hedhur një hap që deri dje dukej i paimagjinueshëm. Francezët nëpërmjet referendumit e refuzuan kushtetutën e re të Bashkimit Evropian, një dokument i hartuar nga vetë ish-presidenti i tyre Valery Giscard D'Estaing pas shumë konsultave me shtetet e tjera anëtare të BE-së.
Analisti Dick Leurdyk, përfaqësues i Institutit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Hollandë deklaron:
"Tani ndodhemi në rrethana të reja politike. Diskutimet në Evropë nuk do të jenë më kurrë njësoj, siç ishin përpara ditës së djeshme. Procesi i bashkimit të Evropës deri dje ishte kryesisht një proces vetëm për elitën politike evropiane", thotë Leurdyk.
Kushtetuta do të përballet edhe me një referendum tjetër në Hollandë, të premten më 1 qershor, por duket se edhe atje do të dështojë.
Vota JO e Francës është motivuar nga shumë faktorë, përfshirë edhe frikën se kjo kushtetutë mund ta dëmtojë sistemin e sigurisë sociale në Francë. Por Leurdyk pohon se ritmet e zgjerimit të BE-së në lindje kanë qenë shumë të shpejta dhe nuk janë pranuar dot nga francezët, të trembur edhe nga vendet që janë në listën e pritjes si Ukraina, Moldavia, vendet e Ballkanit perëndimor dhe Turqia.
"Një prej shqetësimeve kryesore të ngritura ka qenë fakti që shumë njerëz vërtet janë të frikësuar nga shpejtësia e këtij procesi të unifikimit. Fakti që tani papritur kemi edhe 10 anëtarë të rinj, duke e rritur nga 15 në 25 numrin e anëtarëve, duket se ishte shkaku kryesor përse shumë francezë i thanë JO kushtetutës. Natyrisht, të njëjtën situatë kemi edhe në Hollandë", shprehet Leurdyk.
Një tjetër analist, Marius Vahl, përfaqësues i Qendrës për Studimin e Politikave Europiane në Bruksel, thotë se vota franceze është ndikuar më shumë nga pranimi i Turqisë në Bashkimin Evropian. Sipas tij, hapja e bisedimeve mes BE-së dhe Turqisë më 3 tetor, tani vihet në pikëpyetje. Një tjetër faktor që i komplikon qëllimet e Turqisë është edhe vendimi i kancelarit gjerman Gerhard Schroeder, për të mbajtur zgjedhje të parakohshme këtë vit. Të gjitha sinjalet tregojnë se në Gjermani do të fitojë opozita Kristian Demokrate. Edhe ata janë kundër anëtarësimit të Turqisë në BE. Vahl deklaron se edhe vetë turqit duket se e kanë ndjerë ndryshimin e klimës politike.
"Gjatë këtyre dy muajve të fundit u krijua përshtypja se turqit nuk përparojnë me procesin e reformave me ritmet e mëparshme megjithëse turqit e kundërshtojnë fuqishëm këtë fakt", thotë Vahl.
Një tjetër problem për Turqinë janë ndryshimet që Franca i bëri kushtetutës së saj.
"Francezët ndryshuan kushtetutën e tyre në mars, dhe tani çdo pranim i ri pas Rumanisë dhe Bullgarisë, në Francë do të duhet të kalojë në referendum ", thotë Vahl.
Por sipas analistit Leurdyk, situtata nuk duhet dramatizuar, sepse në 50 vitet e fundit BE-ja ka pasur edhe më parë refuzime të tilla.
"Natyrisht këtu nuk merr fund procesi i bashkimit të Evropës. Do të kemi kohë për reflektim", thotë Leurduk duke shfaqur bindjen se procesi i bashkimit do të vazhdojë së shpejti.
XS
SM
MD
LG