Ndërlidhjet

BRUKSEL


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë kërkuar kohë për të reflektuar, pas refuzimit të Kushtetutës së bllokut nga ana e francezëve. Rreth 55 përqind e votuesve në Francë, dje i thanë "Jo" projektit të Kushtetutës evropiane, kurse presidenti Jacque Chirac paralajmëroi ndryshime në qeveri.
Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Javier Solana, ka shprehur keqardhje për rezultatin e referendumit. "Populli francez ka shprehur vullnetin e tij dhe ne e respektojmë atë, por nuk besoj se dikush do të befasohet nëse them se më vjen keq për rezultatin", tha Solana.
Kurse kryeministri britanik Tony Blair, bëri thirrje për të reflektuar. "Ajo që tash ka rëndësi është koha për të reflektuar. Pas dy ditësh e kemi referendumin në Holandë, dhe pastaj, nga mesi i qershorit, takimin e Këshillit të Evropës, në të cilin, të gjithë udhëheqësit mund t'i diskutojnë pasojat e votimeve të fundit", tha Blair.
Ndërkaq në Berlin, kancelari gjerman Gerhard Schroeder, tha se rezultati i referendumit ishte një goditje për procesin, por jo edhe përfundim i tij. "Më ka ardhur shumë keq dhe këtë e kam bërë të qartë. Tash është detyrë e jona e përbashkët që të sigurojmë se procesi i ratifikimit po vazhdon", tha Schroeder.
Deri tash, dokumentin e kanë ratifikuar 9 vende anëtare të Unionit.
XS
SM
MD
LG