Ndërlidhjet

HASANI: RAPORTI I KS PËR KOSOVËN ËSHTË KRITIK


Enver Hasani, profesor i të drejtës ndërkombëtare

RADIO EVROPA E LIRË
Si do ta vlerësonit mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit, në të cilën u dha viza për të dërguarin e posaçëm për vlerësimin e thellësishëm të standardeve?

ENVER HASANI
Leximi im i këtij raporti është pak më ndryshe nga vlerësimet publike në Kosovë, sepse unë e shoh atë raport edhe si një lloj kritike. Mendoj se raporti, për dallim nga raportet e tjera ka më shumë tone kritike, si përsa i përket vlerësimit të përgjithshëm të gjendjes dhe sjelljes së partive politike dhe liderëve të caktuar të institucioneve të caktuara, ashtu dhe sa i përket vlerësimit të përmbushjes së secilit standard veç e veç. Unë nuk besoj që raporti duhet lexuar si një raport pozitiv i standardeve. Përkundrazi, ai është një raport shumë i matur dhe jep në mënyrë shumë të detajuar të metat e plotësimit të standardeve deri më tani dhe rreziqet nga ai mosplotësim. Ndërkohë, caktimi i përfaqësuesit të posaçëm për vlerësimin e thellësishëm të standardeve, nuk do të thotë se do të ketë vlerësim pozitiv të tyre, por përkundrazi do të vërtetojë ato dilema që Sekretari i Përgjithshëm i ka shprehur në këtë raport, që do të thotë dilemat dhe hezitimet përsa i përket përmbushjes së standardeve dhe kohë së përmbushjes së tyre. Ndërkohë ana pozitive karshi institucioneve të Kosovës, është se sjelljet e fundit të kryeministrit Haradinaj, shkuarjes së tij në Hagë, mbajtjes së qetësisë përgjithësisht në këta muaj që kanë qenë mjaft të brishtë, i ka lavdëruar dhe i ka paraqitur në mënyrë mjaft korrekte dhe që reflekton realitetin, sado që në nuanca të caktuara flet për pjekurinë e liderëve të Kosovës, që në njëfarë mënyre paraqet edhe njëfarë përçmimi, sepse nuk mund të ketë logjikë që vetëm liderët e një rajoni të ish-Jugosllavisë mund të jenë më pak të pjekur sesa të tjerët dhe mendoj se ai formulim nuk është edhe aq fatlum dhe mendoj që në raportet e tjera duhet të mënjanohet, pasi kultura politike e kosovarëve nuk mund të dallojë shumë nga pjesa tjetër e ish-Jugosllavisë, e sidomos nga pjesa e jugut.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë zoti Hasani, përfaqësues të institucioneve të Kosovës janë shprehur optimistë se do të fillojë shumë shpejt faza e përcaktimit të statusit të Kosovës pas një raporti të të dërguarit të posaçëm për vlerësimin e thellësishëm të standardeve. Cili është qëndrimi juaj?

ENVER HASANI
Unë mendoj se ai vlerësim është mjaft optimist. Dua të them se vlerësimi i tillë është mjaft optimist, por që duhet të merret me kujdes, pasi zoti Anan e ka bërë mjaft të qartë se për çështjet siç janë dialogu, kthimi dhe decentralizimi, po qe se nuk ka lëvizje dhe dinamikë të duhur, edhe mund të komplikohet puna e fillimit të procesit, kështu që mbetet të shikohet se sa do të jetë dhe në fakt me atë është kushtëzuar fillimi i dialogut. Pra me plotësimin dhe dinamikën e plotësimit të këtyre tre standardeve dhe po e fus këtu edhe decentralizimin, edhe pse ai nuk është standard por është mjaft thelbësor dhe tani mbetet të shohim se sa do të ketë progres. Mendoj se nga progresi varet çdo gjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, çfarë mund të pritet, cilat mund të jenë efektet e planit amerikan që sugjeron përshpejtimin, në fakt raporti i zotit Nicholas Burns për përshpejtimin e çështjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës?

ENVER HASANI
Tani, dëshmia e zotit Burns duhet të shikohet në mënyrë mjaft serioze, pasi në Kosovë nuk është se nuk ka pasur plotësim të standardeve dhe këtë e thotë edhe raporti, domethënë nuk është se nuk ka pasur progres dhe vullnet. Ka një klimë të përgjithshme që standardet të plotësohen dhe Kosova t’u përafrohet strukturave dhe vlerave veri-atlantike. Problemi është se në Kosovë ka ngecje dhe ka një dinamikë që ec me inercion dhe mendoj se këtu është esenca dhe në politikë ka shumë rëndësi koha. Kërkesat e zotit Burns për të lëvizur më shpejt, duhet të merren shumë seriozisht, sepse në Kosovë, po qe se nuk bëhet një lëvizje nga vendi shumë shpejt në muajt që vijnë, proceset e tjera mund të na tejkalojnë dhe mund të na lënë anash, prandaj në këtë drejtim duhet të shikohet si një gjë shumë serioze dhe që duhet të merret parasysh. Besoj se këtë e ka parasysh edhe zoti Anan.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, zoti Hasani a mendoni se klasa politike e Kosovës dhe institucionet janë të përgatitura që t’i përmbushin ato që janë kërkuar në fakt në raportin e zotit Anan, por edhe në raportin e zotit Burns?

ENVER HASANI
Nuk është problemi që nuk janë të gatshëm dhe që nuk i përmbushin, por problemi është i kohës dhe këtu ka shumë rëndësi që deri në fund të këtij viti të lëvizet nga vendi dhe të fillohet me një dinamikë tjetër. Unë kam frikë se në këtë drejtim institucionet e Kosovës mund të ngecin prapa në kuptim të kohës, do të thotë mund të mos i përmbushin afatet kohore të lëvizjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, sa mund të ndihmojë në këtë plan Forumi politik, i cili pritet të aktivizohet nga një qershori?

ENVER HASANI
Tani, Forumi politik duhet të shikohet ngjashëm me ato që kanë qenë menjëherë pas luftës, që do të thotë se esenca e Forumi nuk është që të vendosin bashkë, pasi do të delegjitimoheshin strukturat aktuale, institucionet aktuale. Problemi është që të jenë të gjithë në tavolinë dhe për çështjet që janë pak më të ndjeshme të jenë në dijeni të gjithë dhe të paraqiten opinionet në mënyrë më transparente. Unë Forumin e shoh si një vend ku do të jepet një lloj garancie për publikun e Kosovës se ka transparencë sa u përket vendimeve thelbësore për këtë vend, çka nuk do të thotë se do të vendosin bashkërisht. Në politikë është me rëndësi që të dihet për të gjithë aktorët politikë se çfarë angazhimesh politike kanë dhe kjo mund të bëhet vetëm me një Forum, apo debat që është më publik dhe që dëgjohet nga më shumë veta. Dhe, mbi të gjitha, Forumi e bën procesin më të parashikueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, cili mund të jetë apo cili do të jetë roli i Beogradit në këtë fazë, meqenëse pati edhe mjaft kritika në adresë të Beogradit në diskutimet në Këshillin e Sigurimit?

ENVER HASANI
Adresat mendoj se janë legjitime, pasi Beogradi tërë forcën e vet e ka përqendruar në zvarritjen e fillimit të bisedave për status, duke shpresuar, mendoj jo pa të drejtë, se këto procese mund të degjenerojnë dhe që pastaj krejt faji të hidhet në anën kosovare. Kjo është, do të thotë, logjika. Në këtë logjikë, duhet të shihet përpjekja e Beogradit për delegjitimim të të gjitha strukturave lokale serbe dhe të të gjithë serbëve lokalë që kanë dashur t’i ndihmojnë institucionet lokale. Ju e dini se Beogradi ka qenë mjaft i suksesshëm në delegjitimimin e të gjitha personaliteteve që kanë treguar ndaj Prishtinës një mirëkuptim më të madh për integrim dhe për zhvillim institucional të Prishtinës, prandaj në këtë drejtim Beogradi tash besoj se e kupton më seriozisht dhe kjo është njëkohësisht një vërejtje për Beogradin për të mos penguar, për të mos kushtëzuar në fakt procesin dhe për të mos ndërhyrë në ato pjesë që nuk i takojnë.


Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG