Ndërlidhjet

logo-print

QË SOT KOSOVA ME KODIN E VET POSTAR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Letrat dhe dërgesat e tjera postare që dërgohen në Kosovë nga jashtë apo nga Kosova në vendet e tjera, do të shkojnë direkt në destinacion, pa kaluar tranzit nëpër Beograd, pasi Kosova që sot ka kodin e saj ndërkombëtar postar. Kjo është bërë e ditur sot nga drejtori i Postave të Kosovës Rafet Jashari:
"Më lejoni të njoftoj dhe të deklarojmë njohjen ndërkombëtare dhe pranimin e kodit postar për Kosovën. Kodi Ndërkombëtar Postar është një avancim për postën e Kosovës, por edhe një ndihmesë e jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët që duan të shkëmbejnë letra dhe paketa brenda dhe jashtë Kosovës".
Drejtori Rafet Jashari ka shpjeguar se Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica, Ferizaj dhe Gjilani do të kenë numrat e tyre pesëshifror si dhe nënkodet, në mënyrë që secila dërgesë ta ketë destinacionin e qartë për të shtuar efikasitetin.
Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë e Kosovës, Qemajl Ahmeti, tha se kjo është një ditë tepër e rëndësishme, e cila do të rrumbullakësohet me marrjen e kodit ndërkombëtar telefonik:
"Kjo ditë është një ditë e veçantë, jo vetëm për postën e Kosovës, por për të gjithë kosovarët dhe për Kosovën. Dëshirojmë që sa më shpejt ta shënojmë edhe një ditë tjetër të madhe, ndarjen e prefiksit telefonik, me të cilin do të rrumbullakësohet një pjesë e shërbimve telekomunikuese".
Garvin Jeffrey drejtor menaxhues i postave të Kosovës, tha se kjo është bërë e mundur me angazhimin e punëtorëve të postës, UNMIK-ut, Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit, nën kompetencat e të cilit është PTK-ja:
"Njohja e kodit postar për Kosovën është një e arritur e vërtetë për postën dhe për Kosovën. Kjo është një e arritur që do ta çojmë përpara," tha Garvin Jeffrey.
Zyrtarët thanë se që nga sot në Kosovë nuk do të përdoret asnjë kod tjetër, pos kodeve të reja. Kështu, kodi i Prishtinës është 10 000, numri postar i Prizrenit është 20 000, i Pejës 30 000, numri postar i Mitrovicës është 40 000, i Gjakovës 50 000, i Gjilanit 60 000 dhe i Ferizajt 70 000. Të gjitha kodet e qyteteve kanë edhe nënkodet e veta.
Duke shpjeguar rëndësinë e kodit postar të Kosovës, zëdhënësi i PTK-së, Seremb Gjergji tha:
"Fitimi i kodit postar nënkupton shpejtësi, saktësi dhe efikasitet në punën tonë, Çdo dërgesë nga Kosova jashtë apo nga jashtë në Kosovë do të jetë maksimalisht në kohëzgjatje prej pesë deri në shtatë ditë. Kjo do të thotë se letrat dhe llojet e tjera të dërgesave janë 99 përqind të sigurta, pasi dihet saktësisht destinacioni".
Zoti Gjergji tha se implementimi i kodit postar ndihmon zhvillimin ekonomik të Kosovës, pasi të gjitha këto letra janë fitim në Kosovë, sepse eliminohen humbjet e shkaktuara nga tranziti. Zëdhënësi Gjergji tha se ende nuk dihet saktësisht se cili do të jetë fitimi financiar nga kodi i ri postar, ndërkohë që shprehu gadishmërinë teknike të PTK-së për implementimin e kodit telefonik të Kosovës:
"Ne si PTK teknikisht kemi mundësi ta implementojmë kodin ndërkombëtar të telefonisë brenda tre muajsh. Sa i përket marrjes së kodit telefonik kjo varet nga UNMIK-u pasi zoti Petersen personalisht po kujdeset për këtë punë, që sa më shpejt ta kemi kodin telefonik".
Kjo çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, me ç’rast shefi i UNMIK-ut Petersen tha se arsyet që Kosova të ketë një kod të vetin telefonik ndërkombëtar, janë ekonomike, pasi Kosova humb disa dhjetëra milionë euro në vit, për shkak të mungesës së kodit telefonik.

XS
SM
MD
LG