Ndërlidhjet

PLANIFIKOHEN LINJA TE REJA TRANSPORTI PER VENDBANIMET E PJESËTARËVE TË PAKICAVE


Albana Isufi, Prishtinë

Nëse në qershor fillon së zbatuari projekti i transportit të integruar publik, atëherë do të fillojë bartja e udhëtarëve nga enklavat e banuara me serbë në pjesët ku banon shumica shqiptare dhe anasjelltas, transport ky, i cili nga mbarimi i luftës ka qenë i rrallë apo nuk ka funksionuar fare.
Drejtori i Departamentit të Transportit Rrugor në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, Qamil Feka, shpjegon se bëhet fjalë për 5 relacione të ndryshme.
“Në 5 relacionet kryesore, Prizren-Mushnikov-Shtërpcë, Graçanicë-Prishtinë-Obiliq-Prilluzhë-Vushtrri-Mitrovicë, Shtërpce-Ferizaj, Gorazhdec- Pejë-Osijan-Klinë, Gjilan-Viti-Kllokot-Ferizaj, të cilat përshkojnë një qarkullim të përnjëhershëm prej 500 kilometra, ne kemi kërkuar që të ketë qarkullim të dyfishtë. Meqenëse nuk ka arsyeshmëri ekonomike që operatorët të mbajnë këto relacione, ne i kemi propozuar qeverisë që të bëjë subvencionimin për zhvillimin e këtyre 5 relacioneve”.
Koordinatorja e UNMIK-ut për standardet Liria e Lëvizjes dhe Kthimet e Qëndrueshme, Laurie Wiseberg, thotë se janë bërë përpjekje serioze për t’u hapur këto linja, që sipas saj do të ndihmojnë në integrimin e pakicave, gjegjësisht pakicës serbe në shoqëri.
“Ideja është që 50 përqind e të punësuarve që mbajnë këto relacione do të jenë joshqiptarë. Ky do të jetë një eksperiment dhe në 3 muajt e parë do të ketë subvencionim, ndërsa më pas shpresojmë se do të fillojë të paguajë secili për vete”, thotë Laurie Wiseberg.
Me këtë projekt, sipas koordinatorit të qeverisë për standarde, Avni Arifi, përveç integrimit të pakicave, do të rritet edhe punësimi nga radhët e minoriteteve.
“Qëllimi është që të integrohen, të punësohen, të shtohen linjat transportuese për zonat minoritare te zonat minoritare dhe prej zonave minoritare në zonat tjera.”
Zyrtarët e qeverisë druajnë se ndër problemet kryesore që mund të dalin nga ky projekt është ana financiare. Qamil Feka shpjegon se deri tash transporti për pakicat ka qenë falas, ndërsa nëse zbatohet projekti për transportin e integruar publik, udhëtimi falas do të reduktohet apo do të zhduket tërësisht.
“Mendoj se ka ardhur koha që ky transport, në tërësi humanitar të zbërthehet në pjesërisht humanitar dhe që të fillohet të subvencionohet, dhe të bëhet transparent dhe publik edhe për operatorët e tjerë, pasi me transportin humanitar keni një operator të vetëm, që është shumë, shumë i mirë i subvencionuar nga ata të cilët e financojnë, harxhon mjete të mëdha, ndërsa po e shihni që me 40 për qind të subvencionimit, me 33 750 euro për 6 muaj ne do të mund të zhvillonim 1000 km në ditë, prandaj ndoshta do të ketë hezitim në fazën fillestare, por ky transport duhet ta zëvendësojë atë humanitar”.
Transporti i integruar publik është një pikë e veçantç, e cila duhet përmbushur në kuadër të standardit Liria e Lëvizjes dhe Kthimet e Qëndrueshme. Liria e Lëvizjes është një nga standardet prioritare që institucionet duhet përmbushur para se të hapen diskutimet për statusin përfundimtar të Kosovës.


XS
SM
MD
LG