Ndërlidhjet

logo-print

ULRICH: KFOR-I I PËRGATITUR PËR ÇDO SFIDË NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Forca shumëkombëshe e NATO-s në Kosovë do të vazhdojë të garantojë bashkë me Kombet e Bashkuara një mjedis të sigurt për të gjithë në Kosovë, si dhe do të jetë e përgatitur për të gjitha sfidat me të cilat mund të ballafaqohet muajt e ardhshëm, ka thënë sot në Prishtinë, Komandanti i Komandës së NATO-s për Evropën Jugore dhe komandant i Marinës Amerikane për Evropën, admirali Herry Ulrich. Në vizitën e tij të parë në Kosovë, i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Iv de Cermabon, admirali Ulrich ka takuar sot presidentin Ibrahim Rugova dhe kryetarin e Kuvendit Nexhat Daci. Me këtë rast, Ulrich tha se qëllimi i vizitës së tij ishte më tepër i karakterit njohës, si me personalitet udhëheqëse vendore, ashtu dhe me situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, për çka që nga 12 qershori i vitit 1999 kujdeset forca shumëkombëshe e NATO-s, e quajtur KFOR:
“Unë do të vazhdoj të punoj me ju gjatë muajve të ardhshëm, të cilët do të jenë muaj të sfidave, përderisa Kosova po kalon në procesin e vlerësimit të standardeve”, tha admirali Ulrich, duke iu drejtuar komandantin të KFOR-it dhe udhëheqësve vendorë.
Në anën tjetër, presidenti, Ibrahim Rugova tha se e çmonte lartë angazhimin e KFOR-it në Kosovë, ndërsa tha se e kishte njoftuar admiralin amerikan lidhur me përparimet e bëra në Kosovë këto vitet e fundit:
“I thashë admiralit se KFOR-i bën një punë “ekselence” në Kosovë së bashku me gjeneralin me komandantin, Cermabon, dhe KFOR-i mbetet forca kryesore e dashur nga të gjithë qytetarët e Kosovës që bën sigurinë. Po ashtu e njoftova për punën që po bëjmë tash në vlerësimin e progresit, të standardeve prioritare që pastaj të bisedohet për të ardhmen e Kosovës”, tha Rugova.
Presidenti Rugova përsëriti qëndrimin e tij se njohja e pavarësisë së Kosovës do të qetësonte këtë pjesë të rajonit dhe Evropës. Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci kërkoi nga admirali amerikan, që përveç angazhimeve të KFOR-it në fushën e sigurisë, kjo forcë ushtarake t’i ndihmojnë edhe Trupat e Mbrojtjes së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve:
“Kërkova ndihmë edhe më shumë, në shkollimin e kadetëve të ri në akademitë ushtarake në teknologji, edhe në njerëzit në teknologji që i ka KFOR-i shumë të shkolluar këtu”, theksoi Daci.
Daci tha po ashtu se forca e KFOR-it, vazhdon të jetë struktura më e popullarizuar në Kosovë.
Vizita e komandantit të NATO-s për Evropën Jugore, i ka pasuar vizitat e shumta të paraardhësve të tij në këtë post, Majk Mullen dhe Gregory Johnson. Admirali Ulrich tha se NATO-ja do të vazhdoj të përcjellë nga afër gjendjen në Kosovë, kurse kjo vizitë do t’i shërbej atij për të studiuar më mirë situatën aktuale dhe sfidat që mund ta presin KFOR-in gjatë muajve të ardhshëm.


XS
SM
MD
LG