Ndërlidhjet

SERBËT KUNDËRSHTOJNË PËRDORIMIN E KODEVE TË REJA POSTARE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

PTK-ja dhe UNMIK-u, nuk janë në gjendje ta zbatojnë në gjithë territorin e Kosovës kodin e ri ndërkombëtar postar të Kosovës që ka hyrë në fuqi dje zyrtarisht. Në të vërtetë, ky kod nuk do të zbatohet në enklavat serbe, ku që nga përfundimi i luftës e deri më sot operon Posta dhe Telefonia e Serbisë. Rangjel Nojkiq, drejtor për Kosovë i Postës dhe Telekomit të Serbisë, tha se kodin e ri të Kosovës e konsideronte shkelje të rezolutës 1244, prandaj edhe të papranueshëm për serbët dhe vendbanimet e tyre:
"Serbët shfrytëzojnë shërbimet e PTT të Serbisë, prandaj ky nuk është ndonjë vendim i obligueshëm dhe askush nuk ka të drejtë të ndryshojë numrat e PTT të Serbisë dhe gjërat do të mbeten siç ishin," tha Nojkiq, sipas të cilit kodet e vjetra do të Serbisë do të vazhdojnë të aplikohen në zonat e banuara me serbë.
Zyrtarët e UNMIK-ut nuk mendojnë se në këtë rast duhet të gjejë shprehje zbatimi i detyrueshëm:
"Çështja e zbatimit të detyrueshëm nuk gjen shprehjen në secilin rast dhe në secilën situatë. Kur është fjala për strukturat paralele, kjo është çështje e ndarë me të cilën merremi," tha Singh, sipas të cilit, në rastet kur ka struktura paralele duhet të shikohet nëse qytetarët serbë kanë qasje të mjaftueshme në shërbimet e rregullta dhe gjithçka sipas tij duhet të shikohet rast për rast.
"Të provojmë të mos komplikojmë dhe politizojmë secilën çështje, pasi kjo është çështje që nuk do politizuar," tha zëdhënësi i UNMIK-ut Singh, ndërkohë që zëdhënësja e Shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Mechtilde Henneke ishte edhe më e qartë:
"PTK do të shpërndajë edhe letrat me kodin e vjetër, pasi egziston një fazë kalimtare, prandaj nuk duhet të flitet në këtë rast për zbatim të detyrueshëm," tha Mechtilde Henneke.
Ndërkohë, drejtori i Postave të Kosovës Rafet Jashari, dje deklaroi se kodet e vjetra më nuk janë të vlefshme. Zëdhënësi i PTK-së, Seremb Gjergji tha se kjo deklaratë është e mbështetur në rezolutës 1244:
"Drejtori i Postave të Kosovës ka thënë, pasi në bazë të rezolutës 1244 Kosova është një territor i përbashkët dhe jo i ndarë, prandaj janë disa zona ku nuk implementohet aktualisht, por kjo nuk do thotë se nuk mund të implementohet në të ardhmen".
Zëdhënësi Gjergji tha se implementimi i kodit postar nuk është më çështje teknike, por politike dhe nuk varet nga PTK:
"Për momentin ne do ta implementojmë kodin e ri postar në të gjitha pjesët ku është e mundur. Teknikisht ne mund ta implementojmë kodin në të gjitha pjesët e Kosovës, përfshirë enklavat, por kjo nuk është çështje teknike sa është polititike".
Zëdhënësi Seremb Gjergji tha se po negociohet me zonat e banuara me serbë për mundësitë e implementimit të kodit, por deri atëherë ata do ta përdorin atë kod që e kanë përdorur deri më sot. Mirëpo, ai thotë se nuk mund të garantohen dërgesat me kodin e vjetër:
"Nuk mund të siguroj. Unë besoj se ajo dërgesë do të humbet diku dhe nuk i kisha sugjeruar askujt që ta përdorë kodin e vjetër, tash kur egziston kodi i ri"
Sidoqoftë, pavarësisht se Kosova që nga dje ka një kod postar, ai do të jetë një kod që do ta shfrytëzojnë shqiptarët dhe pakicat joserbe, ndërkohë që banorët e Graçanicës për të marrë letra dhe dërgesa të tjera nga jashtë, në adresë në vend të numrit 10 mijë të Prishtinës do ta shkruajnë kodin e vjetër 38 mijë.



XS
SM
MD
LG