Ndërlidhjet

FËMIJËVE KOSOVARË EDHE MË TEJ VAZHDOJNË T’U SHKELEN TË DREJTAT E TYRE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Situata e rëndë ekonomike dhe sociale, shoqëria civile dhe institucionet vendore janë përgjegjësit kryesorë që fëmijët në Kosovë nuk i gëzojnë të drejtat që u takojnë. Merita Bajçinca, nga Qendra për Rehabilitimin e Nënës dhe Fëmijës, thotë se në këtë kuadër është punuar shumë pak.
“Më vjen shumë keq, por deri tani nuk është bërë asgjë, është bërë shumë pak. Me ata fëmijë thuaj se askush nuk punon përveç disa OJQ-ve që merren më këtë çështje. Sa i përket institucioneve tona shumë pak,” tha zonja Bajçinca.
Zonja Bajçinca, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të ketë projekte konkrete në mënyrë që t’u ndihmojë fëmijëve edhe me mjete materiale.
"Kështu që është mirë qeveria si qeveri të ndërmarrë apo të ndryshojë diçka, të marrë hapa të mëtutjeshëm apo t'u sigurojë këtyre fëmijëve asistencë sociale apo ndonjë mbrojtje nga ana financiare. Mendoj se po të kenë anën financiare këta fëmijë nuk besoj se do të dalin dhe të punojnë në rrugë”, tha zonja Bajçinca.
Për Fondin Ndërkombëtar të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, përveç institucioneve, një pjesë të përgjegjësisë për situatën në të cilën gjenden sot fëmijët në Kosovë e mban edhe shoqëria civile. Arbena Kuriu nga ky Fond, pohon se shoqëria civile ende nuk e ka arritur nivelin që duhet për të qenë e vetëdijshme mbi të drejtat që kanë fëmijët.
“Duhet të kuptojmë se të drejtat e fëmijëve janë të drejtat e njeriut, dhe fëmijët janë bartësit e të drejtave të tyre, dhe duhet të përfshihen në çdo aspekt dhe duhet të kemi të qartë se më vetë faktin se i respektojmë të drejtat, kjo përfshin edhe përgjegjësi. Mund të themi se jemi në një fazë trazicioni dhe shoqëria nuk e ka të qartë ende se si zbatohen të drejtat e njeriut,” tha zonja Kuriu.
Zonja Kuriu, ndërkaq përmend edhe fushat ku fëmijët shfrytëzohen më se shumti.
“Se sa shkelen të drejtat e fëmijëve, jemi të gjithë dëshmitarë të rritjes së numrit të fëmijëve që po punojnë, fëmijët që abuzohen apo fëmijët që shfrytëzohen në mënyrë të ndryshme, fëmijë që edhe vdesin nga praktika e të mos ushqyeshmërisë së duhur. Fëmijë që janë jashtë sistemit arsimor kështu që në një mënyrë do t'i theksoja si çështja e kryesore që preken nga kjo dukuri,” tha zonja Kuriu.
Ndryshe, Fondi Ndërkombëtar i Fëmijëve i Kombeve të Bashkuara vitin e kaluar ka bërë një hulumtim mbi punën që bëjnë fëmijët në Kosovë. Në raport thuhet se 50 përqind e fëmijëve që punojnë deklarojnë se problemet e tyre shëndetësore kanë lidhshmëri më punën fizike që bëjnë, 10 përqind kanë qenë viktima të akteve kriminale gjatë punës që kanë bërë, 13 përqind nuk e vijojnë shkollën dhe 25 përqind thonë se nuk kanë kohë për lojë pikërisht për faktin se punojnë.
XS
SM
MD
LG