Ndërlidhjet

KUSHTETUTA E BE-SË NË KRIZË PAS DISFATËS NË HOLLANDË


Ahto LOBJAKAS

Luksemburgu, kryesues i radhës i Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian, mbrëmë bënë thirrje për qetësi dhe reflektim pas disfatës së rëndë që kushtetuta e unionit pësoi në referendumin në Hollandë, vetëm tre ditë pas refuzimit në Francë.
Analistët parashikojnë se BE-ja tash gjendet në situatë të vështirë. Shpëtimi i kushtetutës është i pamundur, ndërkohë që kërkohen mënyra të tjera të mundshme për t'i vënë në zbatim pjesët më të rëndësishme të dokumentit.
Liderët e Bashkimit Evropian u shfaqën të shtangur pasi votuesit në Hollandë i realizuan parashikimet për refuzimin e kushtetutës, tre ditë pas votimit të ngjashëm të francezëve.
Jean-Claude Juncker, kryeministër i Luksemburgut, kryesues aktual i unionit, e vuri në pikëpyetje integrimin e mëtejmë të BE-së me vërejtjen se "Evropa tashmë nuk është ëndrra e njerëzve".
Jose Borrell, kryetar i Parlamentit Evropian, gjithashtu ofroi shpjegime emocionale, për drojet e ndryshme të zgjedhësve në Hollandë.
"Droja ishte më e madhe se ëndrra. Në këto momente duhet që evropianët dhe të gjitha vendet, ta kenë mundësinë për t'u shprehur, ashtu siç parashihej në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes. Padyshim që votës së francezëve dhe hollandezëve i japim rëndësi, por u duhet dhënë rëndësi edhe evropianëve të tjerë", tha Borrell.
Megjithatë, politikanë të Bashkimit Evropian dhe analistë, janë të vetëdijshëm se një pjesë e opinionit publik tashmë është kthyer kundër kushtetutës, kështu që referendumet e ardhshme në vendet e tjera do të jetë vështirë që të kenë sukses.
Dick Leurdijk, ekspert nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Hollandë, thotë se Bashkimi Evropian tash duhet të marrë vendimin nëse duhet apo nuk duhet t'i organizojë ato referendume.
"Mendoj se pyetja e parë, e cila tash kërkon përgjigje është se "a do të vazhdojmë me procesin e ratifikimit të kushtetutës. Vetëm pasi të merret vendimi për këtë çështje, atëherë do të mund të diskutohen edhe çështjet e tjera. Sepse, përpjekja për të shpëtuar diçka nga kushtetuta, sinjalizon se ne gjendemi në kushte të negociatave", thotë Leurdijk.
Një analist tjetër, Philippe Moreau de Farge nga Insituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Francë, e shpreh bindjen se në samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel më 16 dhe 17 qershor, liderët e unionit do të gjejnë gjuhë të përbashkët për alternativat e tjera, me qëllim të ratifikimit të kushtetutës.
"Mendoj se shumë shpejt, përmes negociatave do të gjendet një zgjidhje alternative. Ajo mund të jetë një marrëveshje e kufizuar, e cila do t'i përfshinte disa elemente të projekt-kushtetutës, për shembull ministrinë e Jashtme të BE-së, sjelljen e vendimeve me shumicë të mjaftueshme, apo kryetarin e përhershëm të Këshillit Evropian", thotë de Farge.
Por Leurdijk pjesërisht nuk pajtohet. Ai thotë se vendimi përfundimtar për kushtetutën mund të presë, dhe sugjeron se duhet kohë më e gjatë për të reflektuar, përpara se të ndërmerren hapat e tjera drejt integrimeve.
"Pozicioni ynë i përmbysur na bën që të vazhdojmë të punojmë në bazë të parimeve të Traktatit të Nicës. Pasi të kenë kaluar disa vite, atëherë mund të pyesim veten çfarë të bëjmë me kushtetutën. Tash na duhet kohë për ta rishikuar situatën, dhe të pyesim veten nëse ishte ide e mirë përpjekja për ta shtyrë përpara një kushtetutë të tillë", përfundon analisti Leurdijk.


XS
SM
MD
LG