Ndërlidhjet

PRISHTINË


Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, tha sot në Prishtinë se Shtetet e Bashkuara do t'i përkrahin njerëzit e rajonit për të përcaktuar të ardhmen e tyre. "Në emër të qeverisë amerikane them se viti 2005 duhet të jetë vit i ndryshimeve dhe se status-quo-ja nuk është e qëndrueshme", tha nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, i cili, procesin e vlerësimit të thellësishëm të standardeve e vlerësoi si një hap në këtë drejtim. Këto komente zoti Burns i ka bërë pas takimit me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, të cilit i ka shprehur mbështetje të plotë dhe e ka lavdëruar, duke thënë se ai po bën një përfaqësim dinjitoz të Kombeve të Bashkuara, me çka ka fituar edhe besimin e madh të Shteteve të Bashkuara.
"Ne presim vlerësim të mirë të standardeve këtë verë dhe kemi besim në ambasadorin Eide që do ta udhëheqë këtë proces në emër të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara", theksoi Burn. Ai më pas ka biseduar në një takim të përbashkët me presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Kosumi dhe me kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci.
Presidenti Rugova tha se do të punohet për bisedimet lidhur me statusin, ndërkohë që ka insistuar për njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës. "Do të punojmë për vlerësimin e progresit të Kosovës, që sipas rrugës ndërkombëtare do të hapë bisedat për të ardhmen, për pavarësinë e Ksoovës, ndërsa unë insistoj për njohje direkte nga SHBA-të, nga BE-ja, ndërsa zoti Burns premtoi dhe na siguroi për përkrahjen që do ta kemi nga Amerika", tha Rugova.
Ndërkaq, kryeministri Bajram Kosumi, tha se procesi i pëcaktimit të statusit pritet të fillojë në shtator dhe nuk do të jetë i pakufishëm.
XS
SM
MD
LG