Ndërlidhjet

logo-print

SERBËT E KOSOVËS THONË SE MOSPJESËMARRJA NË INSTITUCIONE SHKOI NË DËM TË TYRE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Duke mos marrë pjesë në institucionet e Kosovës, serbët i kanë pamundësuar vetvetes që të marrin pjesë në procesin aktual politik, thotë Oliver Ivanoviq, lider i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë. Ivanoviq thotë se është e domosdoshme që të zgjidhet shumë shpejt çështja e përfaqësimit të serbëve të Kosovës në institucione, në mënyrë që të parandalohet izolimi i plotë i tyre:
"Ne jemi të vetëdijshëm, të paktën ne që përfaqësojmë Listën Serbe, se vetë izolimi është i rrezikshëm në rend të parë për ne. Për këtë arsye kërkojmë një përkrahje të pandashme të Beogradit rreth pjesëmarrjes sonë në institucione”, thotë Ivanoviq.
Ndërkohë që edhe Dragisha Kërstoviq, anëtar i kësaj Liste, mendon se mos pjesëmarrja në institucione do t’u kushtojë në rend të parë vetë serbëve të Kosovës:
“Është e mundshme që rrezikun më të madh ta marrin vetë serbët apo dikush që do t’u jepte sinjal atyre që të përfshihen në institucione dhe që të marrin pjesë në proceset e shumta brenda këtij viti”, thotë Kërstoviq. Ai mendon se edhe fakti që serbët nuk janë ftuar fare të marrin pjesë në Forumin politik të Kosovës, tregon për humbjen e durimit te bashkësia ndërkombëtare, ngase pritja për përfshirjen e tyre në institucione ishte e gjatë:
“Është e mundshme që ai, i cili ka thirrur Forumin ka marrë vendim që serbët të mos i ftojë në atë Forum, për arsye se ka kaluar një kohë aq e gjatë kurse serbët nuk kanë ndonjë qëndrim përfundimtar rreth përfaqësimit të tyre në institucione”, thekson Kërstoviq. Ndërkaq, Oliver Ivanoviq mendon se mospjesëmarrja në Forum, i cili do të jetë mekanizëm që do të përgatisë platformën e Prishtinës për bisedimet në lidhje me statusin e Kosovës, është gabim i madh:
“Mendoj se me pjesëmarrjen tonë ne do të pasuronim punën e këtij Forumi dhe sigurisht se do të përfaqësonim aty pasqyrën e vërtetë dhe reale në Kosovë”, thotë Ivanoviq. Pasi që shefi i UNMIK-ut u ka bërë të qartë serbëve se pa pjesëmarrje në institucione nuk mund të marrin pjesë në Forumin e Kosovës, Ivanoviq shpreson që të gjendet një harmonizim me Beogradin në mënyrë që menjëherë pas përfaqësimit në institucione, Lista Serbe të bëhet pjesë e Forumit politik.
Mirëpo, pavarësisht faktit se serbët e pranojnë se mospjesëmarrja shkon në dëm të komunitetit serb, përfaqësuesit e Listës Serbe nuk besojnë se mund të merret ndonjë vendim pa përkrahjen e Beogradit.

XS
SM
MD
LG