Ndërlidhjet

BURNS: KY DO TË JETË VIT I NDRYSHIMEVE, STATUS QUO-JA MË NUK ËSHTË I QËNDRUESHËM


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ky vit duhet të jetë vit i ndryshimeve dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përkrahin plotësisht njerëzit e rajonit për të përcaktuar të ardhmen e tyre, ka deklaruar sot në Prishtinë, Nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns. Ai i ka bërë këto komente pas një takimi me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, të cilit i ka shprehur mbështetje të plotë dhe e ka lavdëruar duke thënë se ai po bën një përfaqësim dinjitoz të Kombeve të Bashkuara, me çka ka fituar besimin e madh të Shteteve të Bashkuara. Nënsekretari Burns tha se tashmë ka ardhur koha e ndryshimeve dhe se kishte ardhur në Kosovë për të diskutuar për të ardhmen e saj:
"Në emër të qeverisë amerikane thamë se viti 2005 duhet të jetë vit i ndryshimeve dhe se status-quo-ja nuk është i qëndrueshëm", tha Nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns, duke e parë procesin e vlerësimit të thellësishëm të standardeve si një hap në këtë drejtim. Ne presim vlerësim të mirë të standardeve këtë verë dhe kemi besim në ambasadorin Eide që do ta udhëheqë këtë proces, në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, tha Burns:
"Qëndrimi ynë është se nëse gjërat shkojnë në drejtimin e duhur, atëherë do të ketë bisedime për statusin dhe SHBA do të përkrahin plotësisht njerëzit e këtij rajoni për të përcaktuar të ardhmen e tyre," tha Nënsekretari Burns, i cili më pas ka biseduar në një takim të përbashkët me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Kosumi dhe me kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci.
Paraprakisht, zoti Burns është pritur nga organizata joqeveritare KODI , përfaqësuesit e të cilës i kanë thënë Nënsekretarit amerikan të Shtetit, se pavarësia nuk është vetëm vullnet i liderëve të Kosovës, por edhe i popullit të saj.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha se do të punohet për bisedimet lidhur me statusin, ndërkohë që ka insistuar për njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës:
"Do të punojmë për vlerësimin e progresit të Kosovës, që sipas rrugës ndërkombëtare të hapen bisedat për të ardhmen, për pavarësinë e Kosovës. Ndërsa unë insistoj për njohje direkte nga SHBA, nga BE, që do ta njihnin edhe fqinjët tanë, ndërsa zoti Burns premtoi dhe na siguroi për përkrahjen që do ta kemi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës",
tha presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ndërkohë që kryeministri Bajram Kosumi tha se procesi i përcaktimit të statusit pritet të fillojë në shtator dhe nuk do të jetë i pakufishëm:
"Është një dëshirë, vullnet dhe bindje e dyanshme se ka progres shumë të madh dhe rezultate shumë të mëdha në Kosovë. Ne tashmë ngadalë po hyjmë në fazën e përgatitjes për statusin përfundimtar të Kosovës, që besojmë se do të fillojë në shtator dhe nuk do të një proces i pakufishëm negociues, por do të zgjasë më pak se një vit dhe do të definohet statusi përfundimtar i Kosovës".
Nënsekretari Burns ka takuar sot edhe përfaqësuesit e opozitës, Hashim Thaçin nga Partia Demokratike dhe Veton Surroin nga partia ORA, si dhe përfaqësues të serbëve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG