Ndërlidhjet

logo-print

BURNS: VENDIMI PËR STATUSIN I TAKON POPULLIT TË KOSOVËS, POR DUHET TË JETË REZULTAT I NEGOCIATAVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nënsekretari amerikan i Shtetit për çështje politike Nicholas Burns, tha sot në Prishtinë se vendimi për statusin e ardhshëm të Kosovës është vendim që i takon popullit të Kosovës dhe jo Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo Bashkimit Evropian, mirëpo ky vendim duhet të jetë rezultat i negociatave dhe kompromiseve.
Nënsekretari Burns i ka bërë këto komente sot pasdite në një konferencë për shtyp mbajtur në zyrën amerikane në Prishtinë, pasi ka takuar shefin e UNMIK-ut Petersen, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës,liderët e opozitës dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, ndërkohë që ka siguruar se Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol thelbësor në procesin e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës.
Nënsekretari Burns tha se ky vit është vit i ndryshimeve dhe se status quo-ja është i paqëndrueshëm. Ai tha që egziston një vullnet i komunitetit ndërkombëtar se ka ardhur koha për të lëvizur përpara. Nëse i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kai Aide, vlerëson se është koha, atëherë Shtetet e Bashkuara do të mbështesin fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar, tha Burns.
"Pikëpamja amerikane është se nëse gjërat shkojnë në drejtimin e duhur, atëherë do të ketë bisedime për statusin dhe Shtetet e Bashkuara do të përkrahin plotësisht popullin e këtij rajoni për të përcaktuar të ardhmen e tij". Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të imponojnë asnjë zgjidhje, por presin një kompromis që do të çojë drejt paqes:
"Nuk u takon të huajve, amerikanëve apo evropianëve që të vendosin për të ardhmen e Kosovës. Populli i Kosovës duhet të vendosë për të ardhmen e tij dhe për këtë duhet të ketë një proces negociatash dhe kompromisi," tha Nicholas Burns, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara synojnë të kenë një rol qendror në këtë proces.
"Ne do të emërojmë një diplomat të lartë amerikan, i cili do të jetë pjesë e ekipit negociator ndërkombëtar, që pritet të jetë i udhëhequr nga evropianët, meqë Kosova është pjesë e Evropës. Mirëpo, në kuptim më të gjerë ne mendojmë se tashmë ka ardhur koha për të përcaktuar të ardhmen e Kosovës," tha nënsekretari Burns, duke siguruar se Shtetet e Bashkuara do të jenë të përfshira në proces edhe diplomatikisht, por edhe ushtarakisht, meqë ajo do të vazhdojë praninë e saj ushtarake si simbol i përkushtimit ndaj një Kosove paqësore dhe të sigurt.
Ambasadori Burns shfaqi shpresën e fuqishme se procesi do të dëshmojë se të gjitha palët janë të përkushtuara për të punuar në procesin e decentralizimit, në vendosjen e tolerancës për të gjitha grupet etnike dhe për të drejtat e të gjitha pakicave që jetojnë aty. Posaçërisht ai tha se SHBA-të shpresojnë që shumica shqiptare do të ngrihet e të thotë se serbët kanë të drejtë të jetojnë dhe të kthehen në Kosovë.
Nënsekretari Burns ka biseduar në një takim të përbashkët me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Kosumi dhe me kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha se do të punohet për bisedimet lidhur me statusin, ndërkohë që ka insistuar për njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës:
"Do të punojmë për vlerësimin e progresit të Kosovës, që sipas rrugës ndërkombëtare të hapen bisedat për të ardhmen, për pavarësinë e Kosovës. Ndërsa unë insistoj për njohje direkte nga SHBA-të, nga BE-ja, që do ta njihnin edhe fqinjët tanë, ndërsa zoti Burns premtoi dhe na siguroi për përkrahjen që do ta kemi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës",
tha presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ndërkohë që kryeministri Bajram Kosumi tha se procesi i përcaktimit të statusit pritet të fillojë në shtator dhe nuk do të jetë i pakufishëm:
"Është një dëshirë, vullnet dhe bindje e dyanshme, se ka progres shumë të madh dhe rezultate shumë të mëdha në Kosovë. Ne tashmë ngadalë po hyjmë në fazën e përgatitjes për statusin përfundimtar të Kosovës, që besojmë se do të fillojë në shtator dhe nuk do të jetë një proces i pakufishëm negociues, por do të zgjasë më pak se një vit dhe do të përcaktojë statusin përfundimtar të Kosovës".
Nënsekretari Burns ka takuar sot edhe përfaqësuesit e opozitës, Hashim Thaçin nga Partia Demokratike dhe Veton Surroin nga partia ORA, si dhe përfaqësues të serbëve të Kosovës, ndërsa pas Prishtinës qëndron në Beograd, ku udhëheqësve të atjeshëm tha se do t’u bëjë thirrje që të luajnë rol konstruktiv në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.







XS
SM
MD
LG