Ndërlidhjet

KTHIMI NUK MATET ME NUMRA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Diskutimi i çështjeve pronësore dhe garantimi i kthimit të qëndrueshëm, kanë qenë temat qendrore të takimit të dytë të Grupit për kthimin e personave të zhvendosur, që funksionon në kuadër të katër grupeve punuese në dialogun teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kryesuesi i këtij grupi Godfrit Kopfner nga Komisariati i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, tha pas takimit të mbajtur në ndërtesën e qeverisë së Kosovës në Prishtinë, se përfaqësuesit nga Prishtina dhe ata nga Beogradi janë marë vesh sot që të organizojnë një udhëtim pune në Bosnje e Hercegovinë, për të parë se si autoritetet e atjeshme janë përballur me rregullimin e çështjeve pronësore pas luftës. Si konkludim i përbashkët i grupit punues, sipas tij ishte se numri i deritashëm i të kthyerve që kalon shifrën prej 12 mijë vetave është i vogël. Por sidoqoftë, Kopfner tha se kthimi nuk matet dhe nuk vlerësohet në numra, por në krijimin e kushteve për kthim të qëndrueshëm:
“Kthimi nuk paraqet vetëm numra, kthimi nënkupton dhe kualitetin, pasi ne po flasim për një kthim të qëndrueshëm, ku njerëzit duhet të kenë mundësi të jetojnë jetë normale, të kenë siguri e liri të lëvizjes," theksoi Kopfner.
Ai tha se për të ditur numrin e saktë të personave që duan të kthehen, duhet që paraprakisht të bëhet regjistrimi i tyre, që mund të jetë një nga temat e diskutimeve në takimet e radhës. Sipas tij, grupi punues po shqyrton kthimet e atyre që duan të rikthehen dhe jo të atyre që i kanë shitur pronat e tyre dhe nuk duan të kthehen. Zyrtari nga UNHCR-ja tha se grupi i përbashkët punues do të identifikojë të gjitha masat që duhet të ndërmerren për një kthim të qëndrueshëm, mirëpo implementimi u takon qeverive dhe administratës ndërkombëtare:
“Grupi punues mund të bëjë rekomandime dhe mund të identifikojë problemet si dhe mund të thotë se kjo apo ajo çështje duhet të adresohet për të pasur një kthim të qëndrueshëm”, tha Kopfner.
Takimi i sotëm në Prishtinë e ka pasuar një takim të mëhershëm më 12 maj në Beograd. Në kuadër të dialogut teknik ndërmjet Prishtinës e Beogradit, dje po në Prishtinë ka zhvilluar takimin e tretë grupi punues për çështjen e personave të zhdukur të luftës. Po në kuadër të dialogut teknik, Prishtina dhe Beogradi kanë dhe dy grupe tjera punuese, atë për çështjet energjetike dhe grupin punues për çështje të transportit.

XS
SM
MD
LG