Ndërlidhjet

logo-print

PRISHTINA MBLEDH PARLAMENTARËT E EVROPËS JUGLINDORE


Albana Isufi, Prishtinë

Bashkëpunimi dhe dialogu rajonal është parë nga parlamentarët e Evropës Juglindore, si mundësia e vetme që ndihmon në synimin e vendeve të Ballkanit për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Deputetë të rajonit, nën organizimin e OSBE-së, kanë diskutuar në Prishtinë format e një mbikqyrjeje efektive të qeverisë nga ana e parlamentit.
Megjithatë, takimi është shfrytëzuar edhe për diskutime në fusha të tjera. Kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, ka thënë se një takim i tillë, ku për herë të parë deputetët e Serbisë e Malit të Zi, morën pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Kosovë, ka ndikuar në shtendosjen e marrëdhënieve mes dy palëve.
“Pozitivja më e madhe është se njerëzit kanë ardhur në Kosovë, janë jashtëzakonisht të relaksuar".
Gordana Comiq, nga Kuvendi i Serbisë, thekson se roli i parlamentarëve është që të hapë bisedime me homologët në rajon dhe pas kësaj, sipas zonjës Comiq, mund të bisedohet edhe për bashkëpunim konkret në fusha të tjera.
“Na takon, neve, kësaj gjenerate të politikanëve, që të vendosim për bashkëpunimin e mëtjemë, për të mirën e fëmijëvë tanë në të ardhmen”, thotë Comiq, e cila mendon se serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në institucione, por kërkon nga shumica shqiptare që të marrin parasysh edhe vërejtjet dhe brengat e tyre. Ndërkohë, bartësi i Listës Serbe për Kosovën Oliver Ivanoviq, pohon se mospjesëmarrja në institucione është faj i vetë serbëve.
“Arsyeja pse serbët nuk janë në Kuvend është faji ynë, kryesisht yni. Por, normalisht që faji nuk është çdoherë i vetëm në njërën anë, por i kombinuar, dhe ndoshta moskuptimi i problemeve tona nga ana e shumicës ka ndikuar në mospjesëmarrjen tonë dhe rritjen e mosbesimit në institucione”, tha Oliver Ivanoviq.
Ndërkohë, ish kryetari i Asamblesë Parlamentare Adrian Severin, thotë bashkëpunimi rajonal i parlamenteve do të ndikonte në zgjidhjen e problemeve, siç është kjo e serbëve të Kosovës.
“Është detyrë e rëndë e parlamentarëve të Kosovës, që të ndërtojnë një rrjet parlamentar rajonal, së bashku me të tjerët, siç kërkojnë vendet evropiane. Derisa ju duhet të arrini një system të balancuar institucional, ju duhet të përdorni metodat e diplomacisë parlamantare me qëllim që të promovoni aspiratat legjitime në botë, si dhe të kontribuoni në zhvillimin e projektit të madh për një Evropë të bashkuar”, tha Severin.
Neritan Ceka nga Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se takimet e tilla duhet të shfrytëzohen për relaksimin marrëdhënieve mes palëve që kanë qenë në konflikt.
“Natyrisht që është një rast i takimit dhe jo vetëm i diskutimit në publik, por të qëndruarit bashkë, të ulurit në kontakte njerëzore është sot shumë i rëndësishëm".
Werner Wendt, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, ka thënë se kjo tryezë ka rëndësi jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin dhe Evropën. Takimi do të zgjasë edhe nesër.
XS
SM
MD
LG