Ndërlidhjet

MOORE:"KOHA PËR VETËVENDOSJE"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, gjatë qëndrimit në Prishtinë, nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Burns, ka ftuar kosovarët për kompromis, por gjithashtu ka thënë se "nuk është çështje e amerikanëve dhe evropianëve që të vendosin për fatin e Kosovës. Populli i Kosovës duhet të vendosë për të ardhmen e vet." Ç'do të thotë kjo deklaratë?

PATRICK MOORE
Ky është një mesazh i qartë për të gjithë, përfshirë jo vetëm njerëzit në Kosovë dhe në Beograd, por është një mesazh i qartë për të gjithë, veçanërisht për Bashkimin Evropian. I ka ardhur fundi kohës së sundimit kolonialist të Ballkanit dhe kjo deklaratë është një njohje që parimet e vetëvendosjes dhe sundimit të shumicës duhet të aplikohen në Kosovë dhe tjetërkund në Evropë, ashtu siç aplikohen në Afrikë, Azi apo vende të tjera ish koloni. Nuk është e qartë për mua nëse ideja e zotit Burns do të pranohet në Bruksel, sepse Bashkimi Evropian është i paduruar që të tregojë shenja të suksesit në politikën e jashtme, siç u përpoqën të bëjnë në Maqedoni dhe në Bosnje pasi NATO-ja bëri tërë punën. Disa njerëz në Bashkimin Evropian ishin tepër të vendosur që Kosova të bëhet protektorati i tyre i ri, në mënyrë që ata të tregojnë njëfarë suksesi. Rrjedhimisht me vjen mirë që zoti Burns theksoi që askush nuk mund të marrë vendime në këto kohë për popujt e tjerë. Nëse e konsideron veten vend demokratik duhet t'u njohësh të tjerëve të drejtën për vetëvendosje dhe sundim të shumicës.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëkohësisht sekretari amerikan i Mbrojtjes Donal Rumsfeld në Bruksel ka thënë se zgjidhja politike për Kosovën është shumë e rëndësishme. Por ministri rus i Mbrojtjes Sergei Ivanov, ka thënë se zgjidhja politike për Kosovën është larg dhe për të do të duhen shumë vite. Si i komentoni ju këto prononcime?

PATRICK MOORE
Kjo është mënyra se si rusët kanë folur prej vitesh, dhe këtu nuk ka asgjë të re. Janë amerikanët që tani po e kuptojnë që koha po kalon dhe se do të ketë më shumë frustrime dhe dhunë, siç e pamë në marsin e vitit 2004, nëse njerëzit nuk e dinë perspektivën dhe të ardhmen e tyre. Ajo që nevojitet këtu është një plan i qartë për pavarësinë, pa ndonjë sundim kolonialist, pa ndonjë status të përgjysmuar të njëfarësoj shteti. Rusia, si Serbia, beson se koha punon për Beogradin. Në bazë të kësaj qasjeje, ata mendojnë se duhet pritur për një kohë të gjatë, pastaj perëndimorët do të mërziten dhe largohen, dhe Serbia do të jetë në gjendje të kthehet. Ata sinqerisht e besojnë këtë. Kjo është ajo që Rusia po përpiqet të bëjë në emër të miqve të saj në Beograd. Për mua ky është një tjetër fakt që politika e jashtme ruse po kthehet në kohët e ish - Bashkimit Sovjetik dhe ka shumë pak të përbashkëta me vitet e mëparshme kur Jelcini ishte president dhe Kozirev ishte ministër i punëve të jashtme. Në ato kohë Rusia filloi të sillej si një vend normal, por tani po u rikthehet modeleve sovjetike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka analistë që thonë se Shtetet e Bashkuara janë duke shpejtuar procesin e zgjidhjes politike për Kosovën, sepse dëshirojnë të tërhiqen nga rajoni. Sa dhe a janë fare të sakta këto pohime?

PATRICK MOORE
Ajo që më duket se amerikanët duan është dhënia fund kësaj zgjidhjeje gjysmake, sepse siç e pamë në mars të vitit 2004, kjo zgjatje e pasigurisë mund të çojë vetëm në probleme të tjera. Kjo është ajo që Uashingtoni do. Gjithashtu do që të pakësojë praninë e huaj. Pra nëse doni të flisni për tërheqjen nga rajoni, do të thotë të gjithë të huajt, jo vetëm amerikanët nuk do të kenë më poste civile dhe prania e huaj, byrokracia e huaj, makinat e shtrenjta e gjithçka tjetër do të jenë thjesht pjesë e historisë. Ajo që mendoj se duhet të theksohet është që shpresoj se një prani ushtarake amerikane do të vazhdojë të jetë në Kosovë dhe në Bosnje për një kohë të konsiderueshme. Pse? Sepse autoritetet aty e kanë bërë mjaft të qartë se duan që amerikanët të qëndrojnë dhe Uashingtoni mund të vlerësojë dëshirat e miqve dhe aleatëve të tij. Së dyti, Shtetet e Bashkuara kanë interesa strategjike në këtë pjesë të botës dhe nuk mendoj që SHBA-të kanë ndërtuar një bazë ushtarake, si ajo në Bondsteel, për t'u tërhequr në të njëjtën kohë që administrata civile e UNMIK-ut do të mbyllet.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG