Ndërlidhjet

F. MALOKU: KOSOVARËT NUK JANË TË INFORMUAR PËR STANDARDET


Fadil Maloku, Drejtor i Institutit për Demokraci dhe Relacione Etnike

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, duke patur parasysh se standardet kryesore që Kosova duhet t'i përmbushë, janë ato që kanë të bëjnë me pakicat, si e vlerësoni ju gjendjen e pakicave në Kosovë aktualisht?

FADIL MALOKU
Padyshim më duhet të them që standardet janë një parakusht për ta përmbyllur kaptinën e gjatë rreth përcaktimit të statusit politik. Në këtë drejtim standardet, sidomos ajo pjesa që ka të bëjë me krijimin e parakushteve për minoritetet është pjesa më e rëndësishme. Unë konsideroj që në bazë të një hulumtimi që ka bërë Instituti për Demokraci dhe Relacione Etnike, shihet se pas ngjarjeve të marsit, raportet ndëretnike janë shumë më relaksuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është gjendja reale e pakicave, përfshirë këtu lirinë e lëvizjes, qasjen në institucionet publike dhe standardet e tjera prioritare?

FADIL MALOKU
Shihet se diskursi politik lokal që vepron në Kosovë është i fragmentarizuar. Një pjesë e këtij diskursi është e inkuadruar në procesin e përmbushjes së standardeve, kurse një pjesë tjetër edhe më tutje refuzon pjesëmarrjen. Unë konsideroj që ajo pjesa që është jashtë institucioneve të Kosovës është pjesa që është e manipuluar prej establishmentit politik serb dhe në këtë drejtim është një pengesë serioze në përmbushjen e standardeve dhe krijimin e një klime shumë më fleksibile rreth sjelljes dhe lirisë së qarkullimit, lirisë së veprimit e kështu me rradhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër është thënë disa herë se popullata shumicë në Kosovë ka rol të rëndësishëm për të përmirësuar kushtet që kanë të bëjnë me pakicat. Në këtë kuptim, sa i është shpjeguar popullatës shumicë rëndësia e përmbushjes së këtyre standardeve?

FADIL MALOKU
Përsëri duhet t'i adresohem një hulumtimi që kemi bërë kohët e fundit dhe në bazë të këtij hulumtimi shihet se qytetarët e Kosovës, pa dallime etnike, janë shumë pak, për të mos thënë janë të painformuar lidhur me procesin e përmbushjes së standardeve. Ajo që hetohet është se këto informacione që vijnë rreth përmbushjes së standardeve, kryesisht vijnë prej mediave, sidomos mediave elektronike. Ky është një përfundim i një hulumtimi që e kemi bërë kohëve të fundit. Konsideroj që institucionet qeveritare, më tepër i kanë kushtuar rëndësi pjesës institucionale, domethënë informimit dhe përmbushjes së atyre procedurave administrative, sesa plasimit të idesë së lirisë dhe qarkullimit, sidomos e kam fjalën tek minoritetet. Për këtë arsye unë mendoj se qeveria aktuale ka një defekt, ngaqë nuk ka arritur që pjesëtarët e komunitetit serb t'i informojë, në mënyrë që ata edhe më tepër ta rritin shkallën e fleksibilitetit dhe përfshirjes së tyre në procesin, të cilin aktualisht jemi duke e ndërtuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Në ç'masë ka ndikuar mospërfshirja, mos hyrja e një pjese të madhe të subjekteve politike të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, në raport me përmbushjen e këtyre standardeve dhe përparimin e shënuar lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me pakicat?

FADIL MALOKU
Konsideroj që kur të bëhet raporti përfundimtar nga ana e qeverisë, do të shihet një mungesë e kësaj që thoni ju dhe pikërisht kjo ndoshta, po flas në mënyrë hipotetike, do të mund të paraqitet një pengesë serioze, ose do të thosha një njollë në krejt projektin e përfshirjes së grupeve të ndryshme etnike, posaçërisht serbëve. Kjo do të vërehet, dhe mund të jetë një pengesë serioze kur të bëhet raporti përfundimtar. Nga serbët, pjesa dërrmuese, ende i anashkalojnë institucionet legale të Kosovës dhe kjo do të shihet në raportin përfundimtar. Unë rekomandoj që qeveria, sidomos institucionet e Kosovës, të inkuadrohen edhe më shumë në informimin e qytetarëve dhe të komunitetit serb, rreth formës dhe mënyrës se çfarë janë standardet, cili është qëllimi i standardeve dhe kështu me rradhë. Në anën tjetër, ajo pjesa e fragmentarizuar e diskursit politik, siç thashë edhe më herët është një pengesë serioze dhe si e tillë ajo nuk varet prej institucioneve, por varet prej manipulimeve të ndryshme, të cilat Beogradi i sheh si interesa të veta përmes serbëve, me të cilët ai ka pretenduar vazhdimisht gjatë këtyre viteve të fundit të manipulojë, sidomos me pjesën e serbëve që nuk kanë hyrë në institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë do të vijë i dërguari i posaçëm për vlerësimin e thellësishëm të standardeve, zoti Kai Eide. Cila është puna që u mbetet për të bërë institucioneve të Kosovës, për të bërë gjatë kësaj kohe dhe në kohën e përcaktimit të statusit përfundimtar?

FADIL MALOKU
Rekomandimi ynë do të ishte që të drejtohet drejt informimit sa më të madh të qytetarëve të komunitetit serb. Unë këtë mendim e mbështes në hulumtimin që e ka bërë Instituti për Demokraci dhe Relacione Etnike, se pjesa e komunitetit serb është pak ose është fare e painformuar. Nuk po i fajësoj institucionet tona, por po flas në kuptimin që institucionet tona duhet të bëjnë shumë më shumë në drejtim të animimit, informimit dhe përvetësimit të kësaj pjese e cila është e manipuluar nga diskursi politik i Beogradit dhe në këtë drejtim konsideroj që raporti përfundimtar do të ishte shumë më komplet dhe në favor të procesit të përcaktimit të statusit politik të Kosovës.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi



XS
SM
MD
LG