Ndërlidhjet

logo-print

SHQIPTARËT DHE SERBËT DISKUTOJNË TË ARDHMEN E KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Përfaqësues të institucioneve, të opozitës e shoqërisë civile nga Prishtina e Beogradi, kanë diskutuar sot në Prishtinë për statusin e ardhshëm të Kosovës, për tejkalimin e pengesave nga të dyja vendet, me qëllim që të mundësohet integrimi më i shpejtë në strukturat evropiane.
Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, ka deklaruar se është koha e fundit ,që të gjitha palët të flasin hapur dhe në mënyrë konstruktive, pasi sipas tij status quo-ja është i paqëndrueshëm.
“Bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të qartë se bisedimet për statusin do të fillojnë drejt fundit të këtij viti. Tani u përket politikanëve edhe liderëve të institucioneve të Kosovës, të tregojnë se janë të aftë për të ndërtuar një shoqëri stabile, tolerante e demokratike, ku të gjitha komunitetet mund të jetojnë në paqe dhe një shoqëri, që është në paqe me fqinjtë”, tha Petersen.
Duke folur në emër të presidentit Rugova këshilltari i tij Sali Cacaj, ka thënë se institucionet po punojnë shumë në zbatimin e standardeve, vlerësimi pozitiv i të cilave do të çonte në hapjen e bisedimeve për statusin.
“Institucionet e Kosovës besojnë fuqimisht se vendimi për statusin përfundimtar të Kosovës, është e drejtë demokratike e politike e Kosovës".
Ish kryetarja e Kuvendit të Serbisë Natasha Miçiç, konsideron se si e ardhmja e Kosovës, ashtu edhe ajo e Serbisë, janë në ndërlidhshmëri me njëra-tjetrën.
“Sot shumica shqiptare mendon se kushti i domosdoshëm për të ardhmen në Evropë është pavarësia e plotë e tyre. Po ashtu zgjidhja e problemit të shtetit të Serbisë, është modernizmi i saj. Është e qartë se nga zgjidhja e statusit të Kosovës varet edhe zgjidhja e problemit të shtetit të Serbisë, ashtu sikurse zgjidhja e statusit të Kosovës varet nga pozita e pakicave”, tha kryetarja e Aleancës Civile të Serbisë Natasha Miçiç.
Ndërkohë, Jessen Petersen ka kërkuar edhe në këtë takim nga zyrtarët e Beogradit, që të mos i mbajnë peng serbët e Kosovës, por t’u mundësojnë atyre hyrjen në institucionet e Kosovës.
Për një gjë të tillë është pajtuar edhe Natasha Miçiç, e cila ka akuzuar konservatorët serbë se po e shfrytëzojnë gjendjen e rëndë ekonomike të serbëve, për të manipuluar me ta.
“Për serbët e Kosovës institucionet që ua mundësojnë luftën për jetësimin e interesave të tyre gjenden në Kosovë që nga 1999. Alternativë e kësaj është getoja”, tha Miçiç, duke shtuar se shumica shqiptare megjithatë, ka detyrë që të trajtojë në mënyrën e duhur pakicat.
Ndërkohë, Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkoviq, ka thënë se problemi më i madh që pamundëson kthimin e të zhvendosurve, përveç ekonomisë, është edhe deklarimi i pamatur rreth statusit i liderëve serbë dhe shqiptarë.
“Është tregim i vazhdueshëm, që ngre tensionet, kur të dy palët flasin për statusin, sikur ajo të ishte dita- D. Njerëzit do të jetojnë edhe pas kësaj dite, ashtu sikur jetojnë edhe tani. Dhe nuk duhet që të ngrihen tensionet, se pas zgjidhjes së statusit, njëra palë i merr të gjitha dhe tjetra asgjë”, tha Petkoviq.
Ndërkohë ish zëvendëskryeministri i Serbisë, Cedomir Jovanoviq, ka thënë se nuk mund të injorohet fakti se njerëzit qëndrojnë aty ku janë kushtet më të mira për ta. Jovanoviq ka thënë se serbët duhet të jenë pjesëmarrës aktivë në shoqërinë e Kosovës, por për këtë duhet ofruar hapësira.
“Serbët duhet të jenë aktivë dhe për të qënë të tillë, duhet t'u krijohet hapësira. Konsideroj se në kontekst të asaj për çka angazhohet elita politike e Kosovës për pavarësinë e Kosovës, duhet krijuar hapësira për pjesëmarrjen e bashkësisë serbe. Konsideroj se është shumë me rëndësi që popullit tim t'i bëhet i mundur roli konstitutiv, jo pse serbët mund t'i ndalin ato procese, është e qartë se nuk munden, por sepse me pranimin e kësaj oferte, ne do të kishim hedhur hapin në epokën e pajtimit historik dhe marrëveshjes”, tha Jovanoviq.
Ndërkohë lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, është shprehur i bindur se Prishtina do të mund të luajë një rol konstruktiv në ndryshimet e duhura, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
“Raportet Prishtinë-Beograd të përcaktohen edhe me qartë, në mënyrë që e ardhmja e rajonit në përgjithësi të ketë një status mbinacional. Të kemi një rajon me status evropian, me shtete të pavarura; me Kosovë të pavarur e të integruar në Bashkimin Evropian, me Serbi të pavarur, Mal të Zi të pavarur”.
Konferenca "Statusi i ardhshëm i Kosovës" është organizuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe do të vazhdojë punimet pasditen e sotme dhe nesër.

XS
SM
MD
LG