Ndërlidhjet

EIDE TAKOHET ME DREJTUESIT VENDORË TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Krerët e institucioneve të Kosovës, presidenti Ibrahim Rugova dhe kryeministri Bajram Kosumi, kanë thënë sot se presin nga i dërguari i Sekretarit Anan për vlerësimin e progresit në Kosovë, vlerësim realist lidhur me të arriturat këtu, ndërkohë që zoti Kai Eide tha se ai do të bëjë gjithë çfarë është e mundur, për të përpiluar një raport sa më kredibël, meqenëse është një raport tepër i rëndësishëm.
"Unë besoj se ky raport është po aq i rëndësishëm, madje edhe më i rëndësishëm sesa ai i vitit të kaluar, prandaj ne duhet të reflektojmë dhe të përpiqemi ta gjejmë mënyrën më të mirë të shkuar përpara," tha ambasadori Kai Eide, i cili dje ka filluar misionin e tij, me ç’rast tha se detyrë e tij nuk është vetëm vlerësimi i thellësishëm i standardeve, por edhe aspekte të tjera politike. Për këtë arsye, ai tha se ka zgjedhur një ekip nga selia e Kombeve të Bashkuara, përbërë nga njerëz, në të cilët mund të mbështetet dhe me të cilët mund ta përmbushë këtë mision. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, i ka premtuar zotit Eide mbështetjen e tij të plotë:
"Ky është një rast i mirë që të bëhet një vlerësim i gjendjes së përgjithshme në Kosovë. Siç e dini, raporti që ka bërë vjet ambasadori, na ka hapur rrugë dhe na ka krijuar një dinamikë më të madhe. Është rruga ndërkombëtare që pas vlerësimit, të hapen bisedimet për të ardhmen e Kosovës, e cila për ne është pavarësia dhe në të njëjtën kohë, unë insistoj për njohje direkte të pavarësisë, nga SHBA, BE".
Ndërkohë, tha presidenti Rugova, duke pasur besimin në njohjen e zotit Eide për Kosovën, shpresojmë se ai do të bëjë vlerësim real, i cili do t’i hapë Kosovës perspektivën. Edhe kryeministri Bajram Kosumi, tha se pavarësia e punës së zotit Eide është në të mirë të procesit në Kosovë:
"Ajo që pres nga ambasadori Eide është të vlerësojë realisht të arriturat, zhvillimet në Kosovë, të vlerësojë në mënyrë të pavarur zhvillimet demokratike dhe të lirive njerëzore në Kosovë dhe kjo pavarësi e raportit të zotit Eide mendoj se është në të mirë të procesit në Kosovë", tha kryeministri Bajram Kosumi, ndërkohë që vetë i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Anan, ambasadori Kai Eide, tha se ai do të bëjë përpjekje për të arritur këtë synim dhe do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e Kosovës gjatë përpilimit të raportit:
"Ne do të bëjmë gjithshka është e mundur për ta përpiluar një raport kredibël dhe që mund të shihet si realist nga sa më shumë palë që të jetë e mundur," tha zoti Eide, i cili nesër takohet me liderët e opozitës dhe me përfaqësues të serbëve të Kosovës. Më pas zoti Eide do të shkojë në Beograd për të takuar autoritetet e atjeshme. Zoti Eide tha se në fillim të korrikut do të kthehet sërish në Kosovë, kur do të fillojë fazën më intensive të misionit të tij, duke vizituar vende të ndryshme të Kosovës. Raporti i zotit Eide është vlerësuar të hapë rrugën për fillimin e bisedimeve lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG