Ndërlidhjet

BISERKO: PALA SERBE TË HEQË ILUZIONET SE MUND TË DOMINOJË NË BALLKAN


Sonja Biserko drejtoreshë e Komitetit të Helsinkit në Serbi

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Biserko sa ndihmojnë konferencat e tilla si kjo, që u mbajt në Prishtinë në zgjidhjen e problemeve mes shqiptarëve dhe serbëve?

SONJA BISERKO
Ky projekt që zgjat prej disa vitesh, pra Komiteti i Helsinkit, ka organizuar konferenca të ngjashme dhe panele, ku mendoj se është treguar se sa e nevojshme është që dialogu të mbahet edhe në nivele të tjera të shoqërisë.
Këtu kanë qenë të pranishëm përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë, të organizatave joqeveritare, por edhe nga alternativa politike, kur është në pyetje pala serbe. Ndërkaq nga Kosova kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të qeverisë, madje edhe vetë shefi i UNMIK-ut dhe zëvendësi i tij, të cilët treguan përkrahjen për një projekt të tillë. Kjo në kohën kur Beogradi edhe më tej pengon fillimin e këtij dialogu, edhe më tej ka një qëndrim të paqartë rreth statusit të ardhshëm të Kosovës, pavarësisht faktit që qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë çështje është bërë i ditur në disa dokumente ndërkombëtare. Deklarata e Grupit të Kontaktit para dy-tre muajve ka treguar se çfarë bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron sa i përket statusit të ardhshëm të Kosovës, e kjo është se nuk ka ndarje, nuk ka juridiksion të Beogradit dhe se nuk ka bashkim me shtete të tjera sovrane. Kjo parimisht është një kornizë precize, për të cilën nuk do të ketë negociata. Faktikisht kjo tregon disa lloje kushtesh për pavarësi, e çështja e pavarësisë mbetet që të diskutohet mes shqiptarëve dhe serbëve, për aq sa kjo të jetë e mundur. Është e qartë se nëse ky dialog nuk fillon, atëherë bashkësia ndërkombëtare do të vendosë vetë. Në këtë moment siç duket Beogradi ende është pengesa kryesore dhe ata vazhdojnë të instrumentalizojnë serbët e Kosovës, për ç’ gjë vetë serbët e Kosovës e pësojnë.
Sa i përket palës shqiptare, ata që nga ngjarjet e marsit, kanë vënë kontaktet me komunitetin serb. Sa do të jenë të suksesshme këto në të ardhmen do të tregojë vlerësimi i standardeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Prishtina dhe Beogradi kanë qëndrime të ndryshme rreth zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Mendoni se do të ketë negociata mes dy kryeqyteteve për zgjidhjen e statusit, apo për statusin do të vendosë komuniteti ndërkombëtar?

SONJA BISERKO
Është e qartë se për zgjidhjen e statusit të Kosovës do të ishte më së miri po të pajtoheshin të dyja palët, për aq sa do të mund të arrihej një marrëveshje historike mes dy popujve, që serbët të pranonin realitetin, që pala serbe të heqë iluzionet se mund të dominojë në Ballkan, se mund të jetë lider në Ballkan, që ky projekt është shkatërruar dhe të heqë iluzionet se kjo mund të jetë e mundshme një ditë.
Përderisa Beogradi nuk e bën këtë, bashkësia ndërkombëtare do të marrë ndonjë vendim për statusin e Kosovës dhe është e qartë se do të jetë një proces, por është e sigurt se zgjidhja do të jetë pavarësia e Kosovës.
Ajo që është e rëndësishme është që të paktën në nivelet e tjera të ketë dialog, te faktorët e tjerë relevantë të shoqërisë, që mund të ndikojnë në shtendosjen e atmosferës. Kjo do të jetë domethënëse edhe për serbët e Kosovës, për krijimin e një mundësie ku edhe serbët, edhe shqiptarët, do të kenë interesa të përbashkëta, që nuk do të jenë vetëm interesa etnike, por edhe politike, sociale e ekonomike. Mendoj se konferenca të tilla në të vërtetë krijojnë këtë kornizë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga standardet, që institucionet e Kosovës duhet të përmbushin është kthimi. Si kryetare e një organizate, që merret me të drejtat e njeriut, a keni vizituar ndonjëherë personat e zhvendosur në Serbi dhe a janë ata të gatshëm që të kthehen në Kosovë, marrë parasysh gjendjen e tanishme ekonomike?

SONJA BISERKO
Kur janë në pyetje refugjatët, qeveria e Beogradit i ka instrumentalizuar ata që nga fillimi, sepse siç e dimë spastrimi etnik nuk ka qenë pasojë, por qëllim i luftës, që ka ngjarë në territoret e ish -RFJ-së dhe mes tjerash që të konsolidohej një territor etnik. Këtë e ka kërkuar vetë Serbia dhe ka penguar kthimin e serbëve në Kroaci, por edhe të asaj pjese të serbëve të Kosovës që vinin nga vendet që ata konsideronin se u përkasin shqiptarëve. Aktualisht Serbia nuk po tregon se vërtet dëshiron të angazhohet për kthimin, në të kundërtën po e pengon këtë dhe me propagandën në media paraqet një fotografi ku Kosova duket si një vend i tmerrshëm dhe ku shqiptarët trajtohen si terroristë. Kjo aspak nuk e inkurajon procesin e kthimit. Unë mund të them se serbët edhe më tej ruajnë pozicionin e ndarjes së Kosovës, ndërkaq slogani “Më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi” nuk vlen asgjë. Kjo është kushtetuta që Kosova e kishte më 1974 dhe ata e shkatërruan atë pasi ia hoqën autonominë Kosovës dhe ky fakt e solli Kosovën në këtë gjendje, që është tani.
Dhe tani po bëhen manipulime me refugjatë, para se gjithash me numrin e tyre, sepse numri më i madh i serbëve janë brenda në Kosovë. Unë mendoj se janë rreth 60- ose 70 mijë serbë të zhvendosur në Serbi, rreth Krushvecit, Kraljevës dhe Kragujevcit.
Pra, kur është në pyetje kthimi, është e pakuptimtë të thuhet se sa do të kthehen, sepse pa përkrahjen e Beogradit as nuk mund të mendohet kthimi i tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se do të ketë pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve qoftë para ose pas zgjidhjes së statusit të Kosovës?

SONJA BISERKO
Procesi i pajtimit zgjat shumë dhe mendoj se për këtë duhet kohë, dekada, kjo nuk mund të ndodhë brenda muajve apo një viti. Megjithatë, që nga fillimi është e domosdoshme, që pala serbë të përballet me të kaluarën e afërt.
Është fakt se politika serbe ka pasur politikë kriminale, rezultati i së cilës ka qenë spastrimi etnik, gjenocidi në Bosnje, përpjekjet për të kryer gjenocid këtu dhe krime masive të luftës. Pra, këto janë fakte.
Natyrisht që ka pasur krime edhe nga pala tjetër, por askush nuk ka pasur politikën që ka pasur Beogradi. Dhe është shumë me rëndësi që serbët të hedhin shikim në këtë politikë dhe të distancohen nga ajo.
Kjo do të paraqiste ato parakushtet minimale për ndonjë lloj normalizimi të raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve, serbëve dhe kroatëve dhe serbëve e boshnjakëve.
Kjo ende nuk ka ndodhur dhe përderisa kjo të mos ndodhë, procesi i pajtimit apo normalizimit nuk është i mundur.

Intervistoi: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG