Ndërlidhjet

DECENTRALIZIMI DHE LIRIA E LËVIZJES- TEMAT QËNDRORE NË TAKIMIN E GRUPIT TË KONTAKTIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përshpejtimi i zbatimit të pilot-projekteve dhe përparimi në lirinë e lëvizjes, janë çështje në të cilat në Kosovë duhet të punohet më shumë, është thënë sot pas takimit, që Grupi i Kontaktit Plus ka mbajtur me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, ata të opozitës, si dhe ata të pakicave. Nikoqir i takimit të sotëm ka qenë Zyra Amerikane në Prishtinë, ku kanë qenë të pranishëm dhe udhëheqësit më të lartë të Misionit të Kombeve të Bashkuara, komandanti i KFOR-it, si dhe i deleguari special i zotit Kofi Anan për standardet, ambasadori Kai Eide. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se e çmonte lartë përkushtimin e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe priste që Kai Eide të materializonte në letër përparimin e arritur në Kosovë, duke i hapur rrugën kështu, sipas tij, pavarësimit të Kosovës:
"Është vlerësim i tyre si grup që ka punuar prej një viti me ne dhe është me rëndësi që ka progres që e vlerësojnë. Natyrisht raporti i Kai Eides është një formalizim i këtij progresi, i cili do të hapë dritën e gjelbërt për të ardhmen për pavarësinë e Kosovës sipas rrugës ndërkombëtare. Unë përsëri po them që insistoj për një njohje të drejtpërdrejtë të pavarësisë, që është më e mirë për këtë pjesë të Evropës dhe botës".
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, tha se Grupi i Kontaktit kishte dhe disa kërkesa specifike për qeverinë e tij, në të cilat kërkohej më tepër angazhim, e që kryesisht ndërlidhen me pozitën e pakicës serbe në Kosovë:
" Janë evidentuar disa prej çështjeve ku duhet punuar më shumë në Kosovë. Unë mund të them tani dy prej atyre çështjeve, decentralizimi dhe minoritetet. Duhet të fillohet sa më shpejt që është e mundur me pilot-projektet, të cilat janë debatuar në Kuvend dhe janë bërë rekomandimet e deputetëve. Duhen bërë veprime të tjera për lëvizjen e lirë të qytetarëve në tërë Kosovën."
Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës veçuan dhe disa çështje të tjera të ngritura në takim me Grupin e Kontaktit. Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, tha se Grupi i Kontaktit po dëgjon çdo herë e më tepër edhe vizionin e opozitës. Ai kërkoi funksionalizimin sa më të shpejtë të Forumit politik dhe unifikimin e platformës politike të palës kosovare, para diskutimeve për statusin e Kosovës:
"Mendoj se optimizmi i Grupit të Kontaktit varet nga puna konkrete që ne bëjmë. Jemi optimistë dhe jemi duke punuar konkretisht që suksesi të ndodhë dhe nga ky sukses, jam i sigurt se do të ndodhë vlerësimi pozitiv teknik, por natyrisht dhe një vlerësim pozitiv në aspektin politik, me vërejtje dhe sugjerime, të cilat janë evidente, veçanërisht sa i përket funksionimit demokratik të institucioneve, ku ka vërejtje të mëdha lidhur me autoritarizmin në parlamentin e Kosovës, për mostransparencën në punën e qeverisë dhe mosrespektimin e ligjeve", tha Hashim Thaçi. Ndërkaq kryetari i partisë politike “Ora”, Veton Surroi, tha se me Grupin e Kontaktit janë biseduar dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me funksionalizimin e institucioneve, luftimin e krimit dhe mënjanimin e strukturave paralele:
"Çështjet janë ato që janë thënë edhe më herët, domethënë është funksionimi i institucioneve demokratike. Kuvendi nuk mund të rrijë e të mbajë mbledhje një herë në muaj, trajtimi me çështje më serioze siç janë strukturat paralele të sigurisë, çështja e krimit të organizuar dhe e krimit të organizuar të lidhur me strukturat politike, çështja e konsensusit në decentralizim, çështja e konsensusit për krijimin e platformës unike për pregatitjen për statusin e Kosovës. Këto janë çështje të cilat duhen trajtuar në shoqëri".
Më pas Grupi i Kontaktit ka zhvilluar takim edhe me përfaqësuesit serbë nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë. Goran Bogdanoviq tha se me Grupin e Kontaktit është biseduar për decentralizimin, kthimin e serbëve në institucione dhe standardet:

“I kemi paraqitur Grupit të Kontaktit se edhe ne si Listë Serbe, jemi të ndarë në qëndrime lidhur me pjesëmarrjen tonë në institucionet e Kosovës”, tha Bogdanoviq. Këto qëndrime të ndara sipas tij, janë rezultat i mungesës së një qëndrimi të qartë të Beogradit.
Grupit të Kontaktit Plus mban takime të rregullta me përfaqësuesit më të lartë të pranisë ndërkombëtare dhe ata vendore në Kosovë çdo gjashtë javë, ku bëhet shqyrtimi i zhvillimeve aktuale dhe jepen sugjerime në lidhje me proceset, me të cilat aktualisht po ballafaqohet Kosova.

XS
SM
MD
LG